Edhe kjo festë e 7 Marsit, ditës së arsimit shqip, apo ndyshe e njohur edhe si Dita e mësuesit kaloi në kushte të mjerueshme të arsimit shqip në Maqedoni dhe më detyroi të shkruaj dhe të bëj një sqarim për situatën reale të kësaj sfere.
Ditëve që kaluan ishim dëshmitarë të një sërë aktiviteteve nëpër qytete të ndryshme  të një organizate jo qeveritare, e cila me mundësitë e saja, për hirë të Ditës ndërkombëtare të studentit, 21 Shkurtit, organizoi debate dhe tribuna në lokacione të ndryshme në disa qytete, duke u munduar që ato të mbahen në lokalet e universiteteve nëpër qytetet përkatëse. Qëllimi i vetëm i këtyre debateve dhe tribunave ishte vetëdijësimi i studentëve shqiptarë se ata janë fuqia e ndryshimit të proceve të ndryshme në jetë, si ato politike, ekonomike, shoqërore e të tjera. Aktivitetin e tillë kjo organizatë nuk e bëri vetëm sivjet, por e bën vite me rradhë për të arritur qëllimin e lart cekur. Besoj se qëllimi i këtij projekti me kalimin e kohës do të realizohet dhe studentët vërtetë do të kuptojnë se ata janë ndryshimi dhe se prej tyre pritet të fillojë revolucioni i ndryshimeve. Lirisht mund të them se deri më sot, shumë pak nga të rrinjtë tanë janë vetëdijësuar, por edhe ata që e kanë kuptuar mesazhin e projektit në fjalë, nuk mund asesi të bashkohen në një organizatë, apo në ndonjë mënyrë të ndryshme për të filluar së bashku ndryshimin, sepse një fjalë e urtë popullore thotë se “Të bashkuar jemi më të fortë”, ose edhe fjala tjeter popullore e cila thotë se një shkop thyhet më lehtë se sa një grup shkopinjsh.
Në fillim shpreha një falenderim deri te organizata për mundin e saj, por edhe një kritikë deri te studentët, apo deri te rinia shqiptare që nuk po arrin tu bashkohet nismave të ndryshme që shkojnë në interesin e tyre. Në pjesën e mëposhtme të shkrimit do të kisha vazhduar me gjendjen e arsimit shqip në përgjithësi, nga ai fillor deri tek ai universitar.
Sot, të gjithë jemi dëshmitarë se edhe fëmijët 4-5 vjeçar dinë të përdorin internetin, e kur jemi te ky i fundit, po të futemi në kërkuesin google dhe të kërkojmë lidhur me arsimin shqip në Maqedoni, do të vërejmë pasqyrën negative që do të na paraqitet aty, duke lexuar vetëm titujt të cilët thojnë se arsmi shqip në Maqedoni është në gjendje katastrofike, e kjo vjen si rezultat i asaj që nuk merren parasysh shkrimet e tilla të cilat tërheqin vërejtjen për gjendjen alarmante të arsimit shqip në Maqedoni, dukuri kjo që flet se për këtë problematikë është shkruar dhe ende vazhdohet të shkruhet.
Gjendja alarmante shihet me faktin se shkollat fillore shqipe në Maqedoni gjatë vitit shkollor 2011/2012 arrijnë numrin rreth 287 nga 986 të tilla gjithsej, me një numër nxënësish prej rreth 64.213, të cilët vijojnë mësimin në 3.456 paralele nga 10.685 paralele në nivel republikan. Këto numra, e posaçërisht numri i shkollave fillore, mund të mos jetë i saktë për shkak të disa shkollave në të cilat mësimi vijohet ne dygjuhësi ose në tregjuhësi.
Mirëpo, problemi kryesor qëndron në atë se askund nuk kemi numër të saktë të paraleleve me numër nxënësish, gjë që paraqet një problematikë tjetër. Dikush mund të thotë se nga numrat e lartshënuar shumë lehtë mund të nxirren numrat e nxënësve për paralele, por nuk është ashtu, sepse po e pjestuam numrin e nxënësve që e kam shënuar më lartë me numrin e paraleleve, do të fitojmë një numër mesatar të nxënësve për një paralele, që në realitet nuk është ashtu, pra rreth 19 nxënës për paralele, ndërsa edhe te paralelet maqedonase paraqitet numrër afërsisht i njejtë, dmth me rreth 19 nxënës për paralele.Nga këtu mund të vërejmë se paralelet maqedonse edhe ato shqiptare në shkollat fillore paskan numër të njejtë nxënësish, pra nga 19 nxënës, gjë që nuk është aspak reale, sepse po dolëm në terren nëpër shkollat shqipe do të vërrejmë se çdo paralele ka prej 25-35 nxënës, e ndoshta edhe më tepër.
Dukuria tjetër që më shqetëson është fakti i ndërtimit të shkollave të reja dhe rinovimit të atyre ekzistuese si ato fillore, poashtu edhe ato të mesme. Para dy viteve, me sa më kujtohet në dy fshatra të ndryshme të banuara kryesisht me shqiptarë u dogjën dy shkolla, shkaku i instalimit të vjetërsuar të rrymës dhe nxënësit e gjorë detyroheshin që të udhëtonin deri te fshatrat e afërt për të ndjekur mësimin, e me këtë edhe më tepër u vështirësohej mësimi nxënësve, për arsye se rritej numri i tyre dhe mësimdhënësi e kishte të vështirë të mbulonte të gjithë nxënësit. Rinovimi i atyre shkollave nuk ka përfunduar ende, e kjo vetëm për faktin se se ato shkolla ndodhen në vende të banuara me shqiptarë, ndërsa kur u dogj kisha dhe manastiri, Qeveria menjëherë ndau të holla nga buxheti (taksapagues dhe mbushës të të cilit janë edhe shqiptarët) për të rinovuar manastirin dhe kishën e djegur, ndërsa për shkollat nuk e panë të arsyeshme ta bëjnë të njejtën gjë. Problem afërsisht të njejtë këmi edhe më dy lagjet, apo më mirë të them  komunat në Qytetin e Shkupit, atë të lagjes së Vizbegut, që i takon komunës së Butelit dhe lagjes së Shuto Orizarit që i takon komunës me po të njejtin emër, ku në mungesë të shkollës fillore në lagjen e Vizbegut (që vite me rradhë përmendet se do të ndërtohet e deri sot nuk është askund), fëmijët udhëtojnë deri në shkollën fillore që i takon lagjes së Shuto Orizares për të vijuar mësimin, përderisa ajo shkollë nuk i plotëson kushtet për nxënësit e asaj komune, e le më të pranojë nxënës nga lagje (komuna) tjera.
Kaq sa i përket shkollave fillore. Sa u përket shkollave të mesme, gjendja nuk është aspak më e mirë. Nga 113 shkolla të mesme në Maqedoni me gjithsej 3465 paralele, prej tyre janë 36 shkolla të mesme shqipe me 923 paralele me 26.377 nxënës nga gjithsej 91.167 nxënës në shkolla të mesme gjatë vitit shkollor 2011/2012. Edhe këtu numrat mund të mos jenë reale, sepse gjendja në terren tregon krejtësisht ndryshe. Me pak matematikë, edhe këtu kanë nga 29 nxënës për paralele, ndërsa tek paralelet maqedone kanë nga 26 nxënës për paralele.
Sipas statistikave zyrtare, të marra nga ueb faqja e Entit statistikor të Maqedonisë, rezulton se paralelet shqipe dhe ato maqedonase si në shkollat fillore, si në ato të mesme janë të barabarta për sa i përket numrit të nxënësve, gjë që do ta them edhe njëherë po dolëm në terren do të shohim se këto numra nuk janë aspak reale
Arsimi sipëror në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë është një temë e veçantë, për të cilën nevoitet një shkrim shtesë dhe prandaj këtu nuk do të përqëndrohem shumë për faktin se ky nivel i arsimit në vendin tonë ndahet në shtetëror dhe në atë privat. Universitetet që janë nën ombrellën e shtetit, konkretisht i vetmi universitet i tillë në gjuhën shqipe, ai i Tetovës që financohet nga mjetet e pakta dhe të pamjaftueshme të buxhetit të Ministrisë së Arsimit së Republikës së Maqedonisë, në krahasim me universitetin shtetëror të Shkupit, Manastirit, Prilepit dhe Ohrit. Sa i përket universiteteve private,  kushtet janë mëse të volitshme për studim, por edhe kostoja e studimit është shumë më e lartë.
Do ta kisha përmbyllur duke thënë se ngelem me shpresë se viteve në vazhdim, arsimi shqip në Maqedoni do të pësojë ndryshime drastike kah e mira, por edhe duke përdorur një thënie të kryetarit të ShBA-ve, Franklin Roosevelt se “Gardiani i vërtetë i demokracisë është arsimimi”, e kjo mund të arrihet vetëm nëse mundësohen kushte të mira dhe së paku elementare për të vijuar mësimin.