PYETJA: Unë shkova bedel për babain tim vitin e kaluar, por kur u ktheva disa më thanë se kjo është kotë, sepse njeriut i takon vetëm ajo që e ka bërë vetë. A është e vërtetë se bedeli në haxh nuk ka vlerë?
Dr. Bashkim ALIU
PËRGJIGJA:
Fillimisht më duhet të them se inshallah je shpërblyer për këtë vepër të mire ndaj prindit tënd, sepse jo vetëm që e ke kryer një obligim që e ka patur ai obligim ta kryej, nëse i ka plotësuar kushtet, por kjo është edhe mirësi ndaj tij. Do të thotë se ke sevapin e haxhit, dhe sevapin e mirësisë ndaj prindërve.
Bedeli është legjitim, dhe vetë Pejgamberi s.a.v.s. e ka legjitimuar, gjegjësisht duke e bërë haxhin, e ka dëgjuar një njeri duke e bërë haxhin për një të afërm të vetë i cili quhej Shubrume. Pejgamberi s.a.v.s. e pyeti se a e ka kryer ky haxhin së pari për vete? Ai u përgjigj:Jo. Pejgamberi s.a.v.s. i tha:” Së pari bëne haxhin për vete, e pastaj për Shubrumen”.
Ky hadith flet qartë se muslimani mund ta bëjë haxhin për tjetrin, pra të shkoj bedel, dhe kjo ka rëndësi, apo nuk është për kot. Nëse dikush e ka patur obligim haxhin, por ka vdekur para se ta kryer, dhe pastaj dikush e bën haxhin për të, personi përkatës lirohet prej bligimit.
Është e vërtetë se njeriut  i takon ajo që e ka bërë vetë, por nuk do të thotë se nuk ka  shpërblim edhe për atë që e bëjnë tjerët për të. Kështu, nëse lutesh për të, i vdekuri ka dobi; nëse jep lëmoshë për të, ai ka dobi; po ashtu edhe haxhi, është adhurim që kryhet me trup dhe me mjete materiale, që do të thotë se mund të kryhet edhe nga ndonji tjetër dhe personi për të cilin bëhet nijet ka dobi.
Nuk ka nevojë njeriu të dëgjojë fjalë djathtas e majtas. Për këto çështje duhet drejtuar burimeve islame. Burimet islame e kanë legjitimuar bedelin për haxh, për atë edhe muslimanit nuk i duhet autoritet tjetër.
Allahu e di më së miri.