Bashkim Aliu
PYETJA: Hoxhë i nderuar, esselamu alejkum. Pyetja ime ka të bëjë me saktësinë e namazit të xhenazes. Ndodhi nji rast këtu në USA që një musliman vdiq, dhe në mungesë të hoxhës, xhenazen e fali një person që dinte të lexojë Kur’an dhe sado pak dinte nga feja. Mirëpo, u zhvillua një polemikë për atë se a e kemi patur namazin tamam, nga shkaku se xhenazja ka qenë e drejtuar kah kibleja, mirëpo, koka ka qenë e vënë në atë pozitë që ka ardhur në krahun e majtë të imamit, ndërkaq këmbët kanë ardhur në krahun e djathtë. Ne kur falim xhenaze në vendlindje koka vjen ashtu e shtrirë xhenazja horizontalisht në krahun e djathtë të imamit. Besoj se e ke të qartë se e kemi vënë xhenazen në anën e kundërt me atë që kah është dashtë të vehet koka, kanë ardhur këmbët, e kah është dashur të vijnë këmbët ka ardhur koka. A është namazi tamam, pasi e kemi falur xhenazen në këtë pozitë?
PËRGJIGJA: Esselamu alejkum. Së pari, është obligim për muslimanët që të interesohen për çështjet e tyre fetare dhe t’i rregullojnë gjërat me kohë e mos presin që t’u vijë puna ngushtë nga mos interesimi, dhe pastaj të mos kenë zgjidhje, e me këtë, ta hapin mundësinë që çdo kush të kryej veprime fetare, edhe nëse nuk është kompetent dhe i ditur. Ne kur duam të bëjmë diçka që lidhet me punët e kësaj bote, terminet i bëjmë me muaj apo me javë, ndërkaq kur janë në pyetje çështjet e fesë, përgatitjet janë shumë të vonshme. Për atë, pa marrë parasyshë ku gjindemi, në Evropë, Amerikë apo gjetiu, duhet të interesohemi që në çështjet fetare të na udhëheqin njerëz të ditur dhe kompetentë.
Së dyti, nuk duhet neglizhuar bashkëpunimi me muslimanët tjerë, edhe nëse janë të etnive tjera, gjegjësisht edhe nëse nuk janë shqiptarë. Pa marrë parasyshë se cilës etni, racë dhe vend i takon nji musliman, derisa ai deklarohet se është musliman, është vëllau ynë, dhe ne duhet kështu ta trajtojmë. Kjo do të thotë se nëse nji komunitet nuk ka imam nga mesi i vet, do të kërkojë ndonji imam nga komunitetet tjera që janë prezente, fjala vjen do ta kërkojë imamin e ndonji xhamie të cilat në perëndim njihen si xhami të arabve, pakistanezëve etj.
Së treti, namazi i xhenazes, nëse i ka plotësuar kushtet tjera tzë vlefshmërisë, është tamam dhe nuk ka nevojë të përsëritet. Me rëndësi është që xhenazja të jetë para jush dhe ju të jeni të drejtuar kah kibleja, me çka edhe xhenazja do të jetë në atë pozitë, pasi gjindet para jush. Ndërkaq pozita që e përmend ti, është krejt e qartë se ashtu nuk vehet xhenazja dhe është dashtë të jetë e vënë nga ana tjetër, gjegjësisht në krahun e djathtë të imamit të vjen koka, kurse në krahun e majtë këmbët. Kjo është forma e drejtë e vënies së xhenazes. Mirëpo, edhe nëse e keni vënë ndryshe, ashtu siç thua ti, e që është evidente se e keni bërë nga padija, namazi është tamam dhe nuk ka nevojë të përsëritet, ngase prej kushteve të vlefshmërisë së namazit të xhenazes nuk është vënia e xhenazes në pozitë që koka të vjen në krahun e djathtë dhe këmbët në krahun e majtë. Është krejt e qartë se nuk duhet të vehet gabimisht, por, nëse e keni vënë dhe ka mbaruar puna, namazi është tamam, nëse i ka të plotësuara kushtet tjera të vlefshmërisë. Për atë, kur ta falni xhenazen, veçanarisht në vendet ku muslimanët janë pakicë, siç është rasti në SH.B.A., duhet të jeni të kujdesshëm për drejtimin e Kibles dhe pozitën e vënies së xhenazes, qoftë gjatë faljes apo në varreza. Unë vetë kam patur rastin të dëgjoj kur kam qenë atje, se në një qytet, edhe pozita e varrezave të muslimanëve shqiptarë për nji kohë ka qenë gabim, e pastaj është  përmirësuar. Në një qytet tjetër më tregoi vetë imami se drejtimi i xhamisë ka qenë jo bash në drejtim të kibles, dhe pastaj është përmirësuar. Për atë, kujdes dhe rregulloni punët me kohë.
Allahu e di më së miri.