PYETJA: Ne jemi në perendim, dhe pasi që u kthyem prej haxhi, një fqinj i jonë jomusliman kërkoi ti japim ujë zemzemi. Ne i dhamë, sepse nuk patëm guxim ta refuzojmë që mos keqkuptohemi, por pastaj lindi polemika në familje nëse kjo është e lejuar, ngase në pyetje është uji i zemzemit. A kemi bërë ndonji gabim?
Dr. Bashkim ALIU
PËRGJIGJA:
Fillimisht Allahu e pranoftë haxhin tuaj dhe të gjithë besimtarëve. Ju nuk keni bërë gabim se i keni dhënë një jomuslimani të pijë ujë zemzemi, sepse Pejgamberi s.a.v.s. para se të ndalohet hyrja e idhujtarëve në Mekë, nuk i ka ndaluar të pijnë ujë zemzemi dhe as që ka lënë porosi të tillë.
Uji i zemzemit na përkujton në momentet e fillimit të banimit të qytetit të Mekes dhe ditëve të para të pejgamberit të Allahut, Ismailit a.s., prej pasardhësve të të cilit është edhe Muhamedi s.a.v.s. Po ashtu, Muhamedi s.a.v.s. ka folur për vlerën e ujit të zemzemit duke potencuar se është i pastër dhe shërim për njeriun, por e gjithë kjo nuk do të thotë se ky ujë mund të pihet vetëm nga muslimanët.
Ka qenë mire që kur t’i jepet një jo muslimani uji i zemzemit ti tregohet për vlerën e këtij uji, nëse ai nuk ka njohuri, si dhe të bëhet nijet nga muslimani që uji i zemzemit të jetë shërim për zemrën e jomuslimanit nga sëmundja e mosbesimit në të vërtetat Islame.
Allahu e di më së miri.