PYETJA: Babai im ka punuar në perëndim dhe ka pension të lartë prej atje. Ka patur mundësi ta bën haxhin, por e ka lënë pas dore. Tash kur don ta bën, nuk ka mundësi të shkon vet personalisht ngase ka hyrë në moshë dhe shëndeti nuk i ndihmon t’i përballojë kallaballëkut të madh që është në haxh. A duhet të çoje dikë në vend tij ta bëje haxhin, apo nuk obligohet pasi nuk mund të shkojë vet. Materialisht ka mundësi ta çoje dikë në vend të tij?
Dr. Bashkim ALIU
PËRGJIGJA: Së pari duhet theksuar se Haxhi është një nga pesë shtyllat e Islamit. Allahu i Madhërishëm në Kur’an ka thënë:<< Për hirë të Allahut, vizita e shtëpisë (Qabes) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi te ajo…>>[Ali Imran, 97]. I dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:”Islami ndërtohet mbi pesë shtylla:Dëshmia se nuk ka zot tjetër pos Allahut, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i Ramazanit dhe shkuarja në haxh për ata që kanë mundësi”.
Muslimanët këtë shtyllë të Islamit e neglizhojnë në të shumtën e rasteve në llogari të qejfeve personale, si psh. haxhin e len pasi ta marton djalin, ose ta bën shtëpinë, etj. Më pas, hynë në moshë dhe e sheh veten të pamundëshme ta bën haxhin. Muslimani duhet ta bëjë haxhin posa i plotëson kushtet dhe i jepet rasti, ngase nuk e di se më vonë çka mund t’i ndodh.
Së këndejmi, prindi juaj duhet ta dërgojë dikë që ta bën haxhin për të, ngase ai e ka patur obligim, ka patur mundësi materiale dhe shëndetësore për ta bërë haxhin, por ja që e ka lënë pas dore. Pasi tash ka mundësi materiale, por nuk i ndihmon shëndeti, duhet të dërgojë dikë që ta kryej haxhin për të, apo si që njihet edhe tek ne “bedel”. Bedel do të thotë “zavendës”, pra ai që të zavendëson ty në kryerjen e haxhit, ngase haxhi kërkon fuqi trupore, dhe nëse nuk mund ta bësh vetë, të zavendëson dikush tjetër. Këtë veprim e ka lejuar vetë i dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe muslimanët të cilët nuk kanë mundësi që personalisht ta bëjnë haxhin për shkak të shëndetit të lig, por kanë mundësi materiale, duhet ta dërgojnë dikë që ta kryej haxhin në vend tyre.
Allahu e di më së miri.