Te kush drejtohet lypësi i pikëlluar, e te kush mbështetet i lodhuri dhe i rraskapituri? Përpara cilës fuqi shtangen krijesat, zërat kur brohorasin cilin përkujtojnë, zemrat cilin dëshmojnë…? S’ka dyshim se të gjithë ne, në çfarëdo gjendje të jemi, i drejtohemi Allahut xh.sh, i cili është i vetmi i denjë për asistencë.
Është borxh i imi dhe i yti vëlla që Allahun ta thërrasim në vështirësi e në lehtësi, haptazi e fshehurazi, në terr e në dritë, në vetmi e në shoqëri, të trokasim në derën e mëshirës së Tij, sepse Ai nuk e kthen lypësin duarbosh. Le të derdhim lotin e pastër nga frika dhe devotshmëria ndaj Tij e të qëndrojmë të përulur përballë fuqisë së Tij.
Kuptoje, o njeri, se ndihmën dhe mëshiren e Zotit s’ka kush ta pengojë:
“A nuk është Ai që i përgjigjet nevojtarit kur ai e thërret” (Kur’an 27:62).
Nëse gjendesh në thellësirat e detit gati për t’u mbytur, përkujto emrin e Tij me përsosmëri e sinqeritet, se Allahun aty e ke e s’je vetëm.
“Kur hipin në anije (u këputet lidhja me tokën dhe frikësohen)i luten sinqerisht All-llahut” (Kur’an 29:64)
Mos u vetmo në mendime, se të gjitha lidhjet mund të këputen dhe copëtohen përveç lidhjes së Allahut xh.sh, të gjitha dyert mbyllen dhe shkretohen përveç derës së Tij. Allahu është afër teje, të dëgjon kur e thirr dhe të përgjigjet kur e lut. Të urdhëroi ty, mua e të gjithë neve, që jemi të varfër, të dobët dhe nevojtarë për afrinë e mëshirës së Tij.
Allahu është i Pasur, i Fuqishëm, i Vetmi; Ai s’ka nevojë t’i ofrojë dikush ndihmë. Na mësoi si t’i lutemi:
“Më thirrni Mua, Unë ju përgjigjem lutjeve tuaja” (Kur’an 40:60)
Kur të godasin telashet dhe shqetësimet, mos ngurro që ta thirrësh Allahun Fuqiplotë, thirre me emrat e Tij të bukur, kërkoje ndihmën e Tij, rehatinë dhe mbështetjen nga Ai. Mundësoja ballit të puthë dheun dhe fytyrës të bjerë në tokë, tregoji vetes se je rob i Tij që të lirohesh nga robëria nga të tjerët, shtrriji duart, ngriti shuplakat, zgjidhe gjuhën, shpeshtoje lutjen, kërko shumë, insisto e ngul këmbë, prite mirësinë e Tij, fitoren e Tij, përmbaju Emrit të Tij, përmirësoje mendimin për Të, përkushtoju Atij, kthehu nga Ai fuqishëm që të bëhesh i lumtur e të shpëtosh./Forumi Rinor Islam
“Mos u trishto” – Aid el Karni