Agjërimi i ditëve që duhet kompensuar?

PYETJA: selam alejkum. Pyetja: un duhet ti kompensoj 2 dit të ramazanit, kur mundem ta bëj ket, se e kam njet të agjeroj edhe 6 ditet në muajin sheval. Dhe si bëhet nijeti i agjerimit që duhet ta kompensoj?

Dr. Bashkim ALIU

 

PËRGJIGJA: Esselamu alejkum. Këto dy ditë të cilat u kanë ngelur prej Ramazanit, besoj se keni patur arsye fetare për mosagjërimin e tyre, duhet të kompenzohen menjëherë sa të kalon bajrami, gjegjësisht keni të drejtë të nisni ti kompenzoni edhe prej ditës së dytë të bajramit. Por, nëse doni mundet edhe prej të tretës a të katrës.

Ju, së pari duhet t’i kompenzoni këto dy ditë, e pastaj t’i agjëroni gjashtë ditët e muajit Sheval. Kjo, ngase dy ditët e Ramazanit janë obligim-farz, ndërkaq gjashtë ditët janë sunet.

Poashtu, vlera e gjashtë ditëve arrihet pas agjërimit të Ramazanit, ngase i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:”Kush e agjëron Ramazanin, dhe pastaj e pason edhe me gjashtë ditë të muajit Sheval, është sikur e ka agjëruar gjithë vitin”. Pra, hadithi thotë:”Kush e agjëron Ramazanin”, e ju nuk e keni agjëruar krejt, por ju kanë ngelur dy ditë. Për të qenë komplet i agjëruar, duhet t’i plotësoni edhe këto dy ditë, e pastaj i agjëroni gjashtë ditët e muajit Sheval.

Nijeti për këtë agjërim është nijet agjërimi kaza (kada), gjegjësisht thuash:E bën nijet ta agjëroj kaza këtë ditën e mbetur të Ramazanit. Këtë e bën me çdo ditë që e agjëron, varësisht sa ditë të kanë mbetur.

 

Allahu e di më së miri.