Rrjeti televiziv al-Jazeera ka realizuar një reportazh për gjakmarrjen në Shqipëri, fenomen që ka prekur dhjetëra familje shqiptare brenda Shqipërisë dhe në trojet e saj.
Duke u përqendruar vetëm tek një familje shkodrane e ngujuar prej më shumë se 22 vitesh, al-Jazeera përpiqet të përcjellë nuancat më të rënda të fenomenit.
Si një prej vendeve më të izoluara gjatë regjimit komunist, Shqipëria po vuan për zgjidhjen e këtij problemi edhe pas dy dekadash demokraci.
Në familjen e Gjon Mhillit, fëmijët e tij qëndrojnë të ngujuar prej nga dita e parë e jetës. Mhilli është futur në gjak për shkak të vëllait të tij, i cili kishte vrarë 22 vjet më parë një person për çështje prone dhe ishte arratisur për në SHBA. Por, familja e viktimës e quan përgjegjës për vrasjen dhe ai është detyruar të qëndrojë i fshehur, duke ndryshuar shtëpi herë pas herë gjatë natës për të shmangur gjakësin.
“Fëmijët i kam për psikolog, jetojnë me frikën”, i shpjegon gazetarit, duke i thënë se as lutjet e tij në shtet nuk kanë sjellë asnjë ndryshim.
Ai u ka dërguar gjakësve disa ndërmjetës, por përgjigja ka qenë me pesë tentativa për ta vrarë.
Mhilli madje pretendon se vetë përfaqësuesit e shtetit shqiptar i kanë thënë që të mos kërkojë ndihmë pasi ai është në gjak dhe se prej tij do të vdesë.
Dy vjet më parë, Mhilli është arratisur për në Suedi, por pasi autoritetet shqiptare kanë thënë se mund ta mbrojnë jetën e tij dhe të familjes së tij, i është refuzuar kërkesa për azil.
Rerporteri ka intervistuar edhe Gjin Markun, kryetar i Komitetit Kombëtar të Pajtimit të Gjakrave. Marku akuzon shtetin se nuk i mbron realisht këta qytetarë, pavarësisht se para BE-së zotohet dhe thotë se ata gëzojnë po ato të drejta që gëzon edhe pjesa tjetër e shoqërisë.