Televizioni i njohur Aljazeera, ka pasqyruar gjendjen në të cilën ndodhet xhamia e Prilepit, duke e cilësuar atë, si një nga xhamitë më karakteristike dhe më të vjetra në Evropë.
Paraprakisht, Portalb ka bërë përpjekje që të zbardhu zhvillimet rreth renovimit të kësaj xhamie, por, përgjegjësit e BFI-së janë shprehur se bërja publike e këtyre zhvillimeve mund të dëmtonte realizimin e kësaj nisme.
Në storien e televizionit, evidentohet gjendja në të cilën ndodhet xhamia e Prilepit e ndërtuar në vitin 1475 dhe e djegur në vitin 2001, si reagim për vrasjen e 10 ushtarëve dhe rezervistëve nga UÇK-ja në Tetovë.
Mos meremetimi i xhamisë në Prilep ka qenë një nga shkaqet për mos pjesëmarrjen e BFI-së në takimin  e Shkupit, për dialog midis religjioneve, veprim ky që ka shkaktuar reagimin edhe të politikanëve edhe të përfaqësuesve të Komunitetit ortodoks.
“Mënyra më e mirë dhe më e civilizuar për tejkalimin e mosmarrëveshjeve dhe problemeve eventuale është dialogu dhe asgjë nuk mund të kushtëzojë zhvillimin e tij”, i ka deklaruar Gruevski këtij televizioni.
Reis Ulema, Sulejman Rexhepi është shprehur se dialogu me kryeministrin për këtë çështje është ndërprerë që nga viti 2010. Ai atëherë ka premtuar se do të fillojnë punimet për restaurimin e xhamisë së Prilepit, por kjo do të bëhet pa zhurmë dhe pa ndonjë ceremoni zyrtare, ka deklaruar Rexhepi.
“Do ta konsideroja sukses të madh, fillimin e punimeve të fazës së parë për restaurimin e xhamisë. Të sanohen muret dhe pullazi dhe më pas të rrjedhin punët tjera”, ka deklaruar drejtori Qendrës Kombëtare për Konservim, Mehmed Selmani, institucion ky që sipas televizionit është përgjegjës për restaurimin e kësaj xhamie.
Aktualisht, banorët myslimanë të Prilepit, të cilët përbëjnë 8 përqind të numrit të banorëve të këtij qyteti, nuk kanë se ku të falen. Xhamia është shndërruar në gërmadhë, ndërsa ka kaluar më se një dekadë nga djegia, kurse asgjë nuk është bërë për restaurimin e saj.
Myftiu i Prilepit, Mustafa Topallovski nëpërmjet televizionit Aljazeera, i ka apeluar kryeministrit që t’ua kthejë  xhaminë në të cilën ajo gjendej para vitit 2001. “Nuk kërkojmë asgjë më tepër dhe nuk duam të bëjmë politikë”, ka deklaruar Topallovski, i cili lutjet fetare bashkë me besimatrët i kryen në një xhami të improvizuar.
Televizioni raporton, se qytetarët ë besimit ortodoks dhe myslimanë janë shprehur në favor të restaurimit të xhamisë, duke e konsideruar atë si objektin që i jepte bukuri qytetit.
Në këtë kontekst është për t’u përmendur rasti  se kur u dogj manastiri ne Treskavec të Prilepit banorët e konfesionit islam të fshatit Lazhani kan dhuruar para për restaurimin e tij, gjë që e kishte bërë të ditur njëri nga priftërinjtë e këtij manastiri. /Portalb