Dr.Jusuf el-Kardavi
Dijetarët kanë thënë:Haxhi i fshinë mëkatet të cilat janë bërë ndaj Allahut të Madhërishëm, ndërkaq mëkatet që i bëjnë njerëzit ndaj njëri-tjetrit, Haxhi nuk i fshinë, por këto mëkate fshihen nëse u kthehen haket njerëzve. Nëse një person nuk ka mundësi t’ua kthejë haket njerëzve, këtij i falet nëse pendohet te Allahu. Nëse një njeri u ka bërë zullum njerëzve gjatë jetës së tij, ua ka marrur pasurinë, qoftë përmes tregtisë së ndaluar, apo mashtrimit në tregti, apo përmes monopolit, apo përmes ndonjë mënyre tjetër, dhe pastaj don të pendohet, por nuk ka pasuri t’ua kthen njerëzve, atëherë kjo çështje ka kaluar ndërmjet tij dhe Allahut, dhe Haxhi i fshinë këto mëkate. Mirëpo, nëse një person ka pasuri sa të duash, dhe don ta pastroje veten përmes Haxhit, ngase ka shumë hake ndaj njerëzve, këtij i themi:Nëse shkon qindra herë në Haxh, dhe e bën mijëra herë Umren, Allahu nuk t’i fal ty këto hake, derisa t’ua kthesh njerëzve haket që ua ke.
Shiqoni një veprim tjetër që është më i madh se Haxhi, gjegjësisht, shiqoni rënien shehid-dëshmor në rrugë të Allahut. Nëse një person vritet në betejë në rrugë të Allahut, por ka borxhe ndaj njerëzve, rënia dëshmorë në rrugë të Allahut nuk e liron nga borxhet. Muslimi ka transmetuar në Sahihun e tij se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:”Shehidit i falet çdo gabim me përjashtim të borxhit”. Ka ardhur një person dhe e ka pyetur të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.:”O i Dërguar i Allahut, çka thua nëse vritem në rrugë të Allahut, a më falen mëkatet?” I Dërguari i ka thënë:”Po”. Pastaj, ky person u nis dhe u largua disa hapa, e i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kërkoi që t’ia thirrin të kthehet prapë. E kthyen këtë person te i Dërguari i Allahut s.a.v.s., dhe i tha:”Çka pyete pak më parë?” Personi tha:”Të pyeta çka thua nëse vritem në rrugë të Allahut, a më falen mëkatet? E ti o i Dërguar i Allahut u përgjigje:Po”. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i tha:”Me përjashtim të borxhit”. Të falen mëkatet nëse vritesh në rrugë të Allahut, me përjashtim të borxhit. “Tash, më lajmëroi Xhibrili për këtë gjë”.
Kjo do të thotë se Xhibrili a.s. i ka ardhur të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. t’ia përmirësojë përgjigjen dhe i ka thënë:Nëse vritet në rrugë të Allahut, i falen mëkatet që ka bërë, me përjashtim të borxheve, borxheve që ka ndaj njerëzve. Për këtë, nëse rënia dëshmor në rrugë të Allahut nuk e liron njeriun nga haket ndaj njerëzve, as Haxhi nuk ia fshinë njeriut haket që ka ndaj njerëzve, edhe nëse nuk bën gabime dhe lëshime e mëkate gjatë Haxhit.
Prej arabishtes: Bashkim Aliu