Rreshtat në vijim janë një përpjekje modeste për të pasqyruar nevojën tonë për njëri tjetrin. Në fakt, këtu flitet edhe për Bashkësinë Islame të Kosovës, por gjithnjë duke mos identifikuar atë me sjelljet e një pjese të lidershipit të saj.
Ekzistimi biologjik i njeriut  është i kushtëzuar nga tri nevoja kryesore pa minimumin e të cilave zor se mund të jetohet: ushqimi, veshmbathja dhe strehimi. Por a është i mjaftueshëm vetëm ekzistimi biologjik që një njeri të quhet njeri? Kësaj pyetje i janë përgjigjur studimet e shumë antropologëve, dijetarëve, psikologëve posaçërisht teologët dhe filozofët.
Sipas këtyre studimeve, njeriu është krijesa e vetme në natyrë që interesohet për më shumë se veç të është. Karshi instinktit për të jetuar, në karakterin e njeriut është i fiksuar edhe komponenti për të qenë fatbardhë. Fatbardhësia jonë realizohet nëpërmes punës që bëjmë në të mirë të shoqërisë. Sa më shumë që njeriu të jetë i mirë dhe i dobishëm për shoqërinë aq më shumë fatbardhësia trimëron karakterin e tij. Vendimi i Zotit që njeriun ta emërojë për zëvendës të vetin në tokë nuk erdhi nga nevoja e Zotit për zëvendës, por nga vullneti hyjnorë që njeriu të dallohet nga qeniet tjera biologjike dhe të ngritët lartë nivelit vetëm ekzistencial. Zëvendësi i Zotit në tokë duhej të ishte diçka më shumë se veç qenie që jeton. Të nisur nga këtu, duke pranuar faktin se jeta është e mbushur me probleme e konflikte, në kuptimin e saj fenomenal, ajo, para nesh prezanton harmonitë dhe disharmonitë e saj. Zëvendësi i Zotit ka për detyrë ti qaset jetës seriozisht, sepse, ajo është e përbërë nga e mira dhe nga e keqja si fakt esencial dhe i pashmangshëm i ekzistencës njerëzore. Përderisa lufta kundër njeri tjetrit tek ne zhvillohet në masë më të madhe se sa tek qeniet tjera, qëllimi i të qenit “zëvendës” është të veprohet mbi postulatin që objektiva e luftës morale të përqendrohet në përafrimin mes njerëzve dhe në mënjanimin e konflikteve. Kjo ishte detyrë parësore e profetëve, duhet të jetë edhe jona.
Feja kërkon të sillemi mirë me të gjithë, pa bërë dallime. Duke mos nënvlerësuar faktorët gjeografik dhe shoqërorë që ndikojnë fuqishëm në formimin e personalitetit të njeriut, Islami zhvilloi një koncept specifik për kohën kur u paraqit. Fillimisht shpalli se pranon që shoqëria njerëzore është e përbërë nga kategori të racave, popujve, shteteve, fiseve mbase edhe familjeve dhe pastaj me një përkushtim të madh iu qas krijimit të një shoqërie të qëndrueshme mbi bazën e barabarësisë. Jo aksidentalisht, Islami doli me sentencën se këto kategori nuk duhet të klasifikohen si mure ndarëse apo alibi për privilegje. Veprimi në bazë të principeve që funksionojnë konform ligjeve të natyrës dhe historisë është kusht për të kuptuar filozofinë e historisë. Si pjesë përbërëse të një tërësie shoqërore, këto kategori përbëjnë fuqinë e kohezionit të cilit e porositë Zoti. Kur Kurani komunikon me njeriun, në shumë raste atij i drejtohet me “O ju njerëz” e jo vetëm “O ju besimtarë”.  Ajeti i 13 i kaptinës “Huxhuratë” që flet për atë se jemi të një nëne dhe të një babai dhe se ndarja e gjinisë njerëzore në kategori të racave, popujve apo fiseve është për tu njohur e jo për privilegje, më vonë, nga Muhamedi a.s. do të interpretohet në mënyrë bravozore. Është e njohur hytbeja në haxhin lamtumirës. Të pranishmit u befasuan me paraqitjen e profetit i cili në vend se ti drejtohej vetëm besimtarëve mysliman, siç edhe prisnin, ai, si për çudi, fjalimin e vet ia dedikoi tërë njerëzimit, pa bërë dallime mes feve, kombeve apo ideologjive të kohës. Duke folur mbi bazën e njerëzores, nëpërmes fjalimit të vet, profeti i Zotit dhe mesazhin se dallimet mes njerëzve, sipas konceptit islam, janë dallime mbi bazën e devotshmërisë dhe veprave që i kryen njeriu, e jo mbi bazën e ngjyrës, fesë, kombit apo racës.
Njerëzit e fesë si dhe institucionet që thirren në te, sikur edhe profetët më parë, janë të parët që duhet të kuptojnë peshën e mesazhit hyjnorë që thërret për një jetë me vlera dhe pa dallime. Aq më shumë, kombi jonë sot ka nevojë për njerëz që duke vënë fenë në shërbim të njeriut, të tjerët i këshillojnë që të punojnë për të mirën e vendit dhe shoqërisë, por para kësaj të jenë vet avangardistët e mirësisë. Ndër segmentet më të rëndësishme të qenit i moralshëm, përveç tjerash, është dhënia e hakut çdo gjëje dhe secilit që e meriton. Shkelja e të drejtave si një akt i shëmtuar që më së paku duhej të ishte pjesë e veprimtarisë së njerëzve të fesë, nëpër kohë të ndryshme ka shkaktuar pezm tek masat dhe ka pas raste kur këta të fundit, duke shikuar fenë nën llupën e veprimeve të njerëzve të fesë, për shkak të sjelljeve të papranueshme të tyre, fesë i janë larguar. Përgjegjësia për këtë, sipas parimeve fetare do të bie mbi ta dhe do të përgjigjen para Zotit në Ditën e Gjykimit, ndërsa në këtë botë do të jetojnë të poshtëruar.
Mund të ketë ndodh që aty këtu, udhëheqësit tanë fetarë u gjetën në anën e padrejtësive ndaj punonjësve të vet. Shih për këtë arsye, është mase e domosdoshme të bëjmë dallimin mes Bashkësisë Islame si institucion dhe njerëzve që udhëheqin me te. Identifikimi i Bashkësisë Islame me kreun apo me njerëzit që i ka përreth do të ishte vlerësim i gabuar. Edhe pse ndoshta hytbeja lamtumirëse e profetit qëndron e varur nëpër muret e zyreve ku punohet, disa nga ata harrojnë se mesazhi i dhënë në atë ligjërim historik të Muhamedit a.s. ishte pikërisht lufta kundër diskriminimit, diferencimit, turpit dhe padrejtësisë ndaj njerëzve. Sipas Islamit të gjithë ne jemi vëllezër, kemi një krijues, kemi një baba dhe vijmë nga e njëjta materie. Këto tri komponente janë tërësia e substratit të asaj që profeti i Zotit kishte proklamuar përbashkësinë vëllazërore mes njerëzve.
Pyesim: Nëse Islami vepron mbi filozofinë e unitetit pa bërë dallime mes njerëzve, atëherë si është e mundur kaq shumë ndasi në mes vet myslimanëve? Si qe e mundur të jemi ardhur në këtë gjendje me kaq shumë dallime në kaq shumë grupe? Përse lidershipi i Bashkësisë Islame të Kosovës nuk punon më shumë në mënjanimin e këtyre diferencave me tendencë rritje të vazhdueshme? Mos vallë është në pyetje mungesa e një vizioni demokratik, i dobishëm për të gjithë apo në pyetje është mangësia e aktiviteteve të nevojshme? Nuk mund të bindem se këta udhëheqës nuk dinë që fuqia dhe fama e tyre varet nga marrëdhëniet që i krijojnë mes njerëzve jo vetëm të konfesionit islam, por edhe me gjithë bashkëkombësit tjerë? Tkurrja në veprimtari që nuk përkojnë me dinamikat e jetës, përqendrimi në muhabete të thata më shumë se sa iniciativat e nevojshme për tu faktorizuar si institucion, Bashkësinë Islame të Kosovës e kanë sjellë në pozitë të rëndë. Botimet që dalin nga aty, shumica e tyre pa kurrfarë vlere shkencore islame, janë me dhjetëra herë më pak se botimet e veprave që i botojnë shoqatat, shtëpitë botuese dhe tjerat institucione. Mungesa e frymës tolerante brenda saj si dhe toni i ashpër që del nga atje, Bashkësinë Islame po e mbyllin në vetvete edhe më shumë, ndërsa njerëzit, në përgjithësi janë duke ndjerë se diçka jo e mirë është duke ndodhur. Mbrojtja e qëndrimeve të veta të kreut të këtij institucioni, që sipas shumicës nuk përkojnë fare me frymën demokratike që duhej të ishte aty, Bashkësinë Islame do ta sjellë në pozitë edhe më të palakmueshme. Aty, nuk duhet të ketë dhunë, aq më pak frymë diktatoriale. Qasja e lidershipit ndaj besimtarëve mysliman si dhe ndaj gjithë besimtarëve tjerë, pa dallim feje duhet ndryshuar në themel. Nuk është e tepërt të rikujtojmë momentin kur Aliu, halifeja i tretë po dërgonte Malik bin Harisin në Egjipt, në shkresën kredenciale i kishte shkruar: “Zemra jote letë jenë e mbushur me mëshirë dhe dashuri. Sillu mirë me të gjithë qytetarët, pa dallim feje. Karshi tyre bëhu i butë, mos u sill ashpër, kujdesu për dhimmitë sepse i ke vëllezër sipas fesë, nëse janë musliman, ose vëllezër sipas krijimit, nëse nuk janë të tillë”.
Rinia shqiptare po manipulohet
Politikë e tanishme në tërësi po ndikon negativisht në vetëdijen edhe të rinisë shqiptare. Ajo, shumë herë në mënyrë të pavetëdijshme po bie viktimë e politikave disa fytyrëshe, jo vetëm të disa punonjësve të Bashkësisë Islame të Kosovës. Deklarimet e pamatura të kreut të tanishëm të saj se pas vete kinse ka ushtri me mijëra vetë, tek qytetarët a në veçanti tek besimtarët e feve tjera që janë thesar i kombit tonë mund të shkaktojë frikë dhe huti. Mashtrohet kreu i këtij institucioni kur thirret në numrin e imamëve, mujezinëve, xhematlinjëve dhe punonjësve të tjerë të Bashkësisë Islame se ata mbështetin politikat e tij të gabuara. Fjalët e aty-këtushme që dilnin nga goja e tij se është kundër ndërtimit të katedrales, në fakt, ato thuheshin sa për të nxitur të rinjtë, por jo për të shprehur qëndrim të një institucioni fetar siç është Bashkësia Islame e Kosovës. Në vend të këtyre muhabeteve, do të duhej të shkruhej se ka qytete, mbase edhe në botën islame ku numri i kishave, katedraleve dhe sinagogave është më i madh se në shumë qytete tjera të botës perëndimore. Nëse duam ti kontribuojnë kombit dhe shtetit, duhet të shpjegohet fakti se feja islame nuk është dhe nuk guxon të jetë përjashtuese ndaj besimtarëve të feve tjera, aq më pak ndaj besimtarëve të vet vetëm pse kanë qëndrime apo mendime tjera nga pushtetarët. Është në interesin tonë të krijohen kushte më të mira për jetë të përbashkët mes të gjithëve ne. Duhet ta dinë liderët e bashkësive fetare tek shqiptarët se së bashku do të jemi më të fortë. Ata e dinë se edhe feja islame edhe ajo krishtere thërrasin për vëllazërim mes njerëzve, aq më shumë mes neve i takojmë një kombi.
Thellësisht jemi të bindur dhe paluhatshëm qëndrojmë prapa nevojës për marrëdhënie të qëndrueshme. Duhet shfrytëzuar çdo rast dhe çdo rrethanë për të promovuar dashurinë, respektin tolerancën mes nesh. Kah kohë që jemi duke thirrur të bëjmë përpjekje serioze për një frymë të re, e mbështetur në thesarin e traditës sonë dhe e ndihmuar nga idetë moderne përparimtare të kohës. Nëpër solemnitete tona fetare, si rasti i hapjeve solemne të xhamive apo kishave të reja, duhet të ftohen përfaqësues, priftërinjtë hoxhallarë dhe punëtorë fetarë e pse jo edhe qytetarët, pa dallim feje. Nëpërmes këtyre solemniteteve do të forcohet raporti gjithë kombëtar por edhe dashuria mes nesh do të shtohej.
Lidershipi i tanishëm duhet të kthjellohet. Ai duhet të kishte kuptuar se Bashkësisë Islame të Kosovës i nevojitet një udhëheqje e re me vizion të qartë e cila ka parasysh pikësëpari dashurinë ndaj emrit të Allahut, dashurinë mes njerëzve si  dhe interesin e të gjithëve që jetojnë në këtë nënqiell.  Në vend të kësaj atmosfere me kaq shumë frikë e kaq shumë përçarje, ata duhet të  promovojnë respektin e ndërsjellë dhe bashkëpunimin mes të gjithëve. Tek e fundit, por domosdoshmërisht le të kujtojnë fjalët e Mevlana Xhelaluddin Rumit se: “Fjollat e borës na mësojnë se mund të rrugëtojmë pa e dëmtuar njëri tjetrin”.