Modeli matematikor të cili e ka zhvilluar shkencëtari i ri nga Gostivari, do t’u ndihmojë informaticientëve të krijojnë pajisje elektronike, e cila do të bartë “vendime” të ngjashme me atë të njeriut
Blerim Emruli nga Gostivari ka hapur erë të re në zhvillimin e inteligjencës artificiale. Modeli matematikor të cilin e ka zhvilluar, në të ardhmen do tu ndihmojë informaticientëve të krijojnë struktura elektronike, të cilat do të funksiononin ngjashëm me vendimmarrjen dhe memorien njerëzore. Modeli të cilin ai e përpunoi në disertacionin e tij të doktoraturës, dëshmon se inteligjenca artificiale mund ti afrohet asaj njerëzores dhe të aplikohet në praktikë. Në praktikë do të thotë se pajisjet elektronike, posaçërisht sistemet e vogla të ndërtuara (embedded systems) në mjedisin tonë dhe mjetet personale do të komunikojnë mes vete dhe do të funksionojnë si një tru njeriu. Gjatë bisedës për “Telegraf.mk” ky shkencëtar i ri thotë se në disertacionin e doktoraturës me temë “Sistemet e gjithëpranishme kognitive: Qasja simbolike vektoriale” (Ubiquitous Cognitive Computing: A Vector Symbolic Approach) e shkruar në 140 faqe, ka futur të gjitha njohuritë dhe rezultatet e punës pesë vjeçare. “Në vazhdim janë edhe testimet, të cilat tani për tani japin rezultate pozitive”, shpjegon Blerimi. Ai, drejtpërdrejt pas mbrojtjes së disertacionit erdhi në vendlindje që të ndajë suksesin e tij me farefisin dhe miqtë. Thotë se pas shtatë viteve të kaluara në Suedi, duke punuar në Universitetin teknik në Luleu (Lulea University of Technology), përfundimisht mund ti gëzohet asaj që ka arritur. “Në realitet, teza ime është punë hulumtuese, e cila jep zgjidhje shkencore të pranueshme dhe praktikisht të realizueshme. Njohuritë e mia tregojnë se përbërjet elektronike nga firma të ndryshme, të futura në pajisjet elektronike, në mënyrë automatike mund të bashkëpunojnë (të jenë interoperabile)”, shpjegon Blerimi. Edhe pse për qarqet shkencore kjo sferë është në ngritje, për njeriun e thjeshtë, mund të duket si fantastikë shkencore. Por, thënë me një gjuhë të thjeshtë, modeli i tij duhet të mundësojë përparimin e pajisjeve digjitale, posaçërisht të sistemeve të vendosura që janë miniaturë me kualitete kognitive. Këtë Blerimi e shpjegon kështu:
“Dilni nga shtëpia dhe pastaj druani nëse keni lënë dritat të ndezura, televizorin, kondicionerin ose pllakën e shporetit. Në vend të juaj, pajisjet me censorë të posaçëm të pajisur – do të fiken vet. Aparatet për amvisëri do të memorizojnë shprehitë tona të përditshme dhe ashtu do të na shërbejnë. Kjo teknologji tani aplikohet në disa përbërje që i përdorin personat me nevoja të posaçme (të verbrit, personat që përdorin karrocat)”. Në laboratorin ku punon, Blerimi është pjesë e ekipit i cili teston një sensor (Mulle), i cili tani kohët e fundit vendoset në disa sisteme. Ekipin e udhëheqë mentori i tij, Jerker Delsing, i cili është koordinator i ARTEMIS Arrowhead Project. Ai është një prej projekteve më të mëdha për automatizimin e Evropës, buxheti i të cilit është 68 milionë euro për katër vjet. Thelbi i teorisë së tij bazohet në shfrytëzimin e parimeve të reja kompjuterike kognitive, të cilat ofrojnë mënyrë të re të prezantimit të informatave. Jo sikur deri tani, vetëm me numra me ndihmë të llogaritjeve të 32 dhe 64 bitëve. “Teza ka të ardhme”, thotë Blerimi, posaçërisht për shkak të faktit që pajisjet e vogla dhe të lira elektronike çdo ditë e më shumë janë të integruara me internet”. Në atë mënyrë, siç shpjegon ai, krijohet “interneti i gjërave” (Internet of Things).
“Parashihet që deri në vitin 2020 do të ketë 50 miliardë pajisje të lidhura. Nga ajo perspektivë, mundësia e zhvillimit të sistemeve të adoptuara elektronike me kualitete kognitive është e rëndësishme. Sot, shumë nga sistemet elektronike ekzistuese nuk janë të aftësuara dhe varen nga një masë e madhe e integrimit të sistemimit me dorë (programim me dorë nga ana e programorëve), konfigurim dhe mirëmbajtje. Këto pajisje në ‘internet të gjërave’ duhet në mënyrë të lehtë të radhiten dhe të integrohen. Në të kundërtën, si rezultat sistemet e bëra nga ato do të jenë shumë të shtrenjta për tu konfiguruar dhe të mirëmbahen”, shpjegon Blerimi.
Blerimi është larguar nga Maqedonia menjëherë pas diplomimit në Universitetin e Evropës Juglindore. Në vitin 2008 fitoi bursë për tu avancuar në Suedi. Pasi magjistroi, Blerimi i inspiruar nga biologjia dhe funksionet kognitive, vazhdoi të punojë në zhvillimin e pajisjeve digjitale, ndërsa posaçërisht në sistemet që janë miniaturë të futura me kualitete kognitive. Suksesi i tij është i madh, ndërsa atë e dëshmojnë disa konferenca në të cilat merr pjesë dhe prezanton modelin e tij. Megjithatë, ky shkencëtar i ri vërteton se pas gjithë asaj ka shumë punë. Blerimi të gjithë shkencëtarët e rinj i porositë të jenë këmbëngulës dhe të mos dorëzohen nga idetë fillestare, por ti zhvillojnë ato. Në pyetjen, se ku e sheh veten pas disa viteve, nëse e sheh në ndonjë prej korporatave, Blerimi i përgjigj: “Ka oferta dhe disa prej tyre po i shqyrtoj, por për momentin mbetem në shkencë, sepse nuk kam përfunduar me hulumtimet dhe me idetë që i kam. Gjithsesi se puna në ndonjërën prej kompanive cilësore të kësaj sfere ofrojnë kushte të shkëlqyeshme dhe përfitime. (telegraf.mk)