Sa e lidhur është Bosnje-Herzegovina me rrënjët ilire? A kanë boshnjakët një të shkuar të tillë apo thjesht kanë zbritur në këto troje? A ka fakte ku mund të mbështetet kjo tezë? Në fakt zbulimet arkeologjike, por edhe studiuesit e ndryshëm përpiqen të hedhin dritë mbi të vërtetën e kësaj toke dikur pjesë e Ilirisë dhe banorëve të sotëm të saj. Por cilat janë këto fakte dhe çfarë në të vërtetë ofrojnë deri sot?
Hartat e shtrirjes së territorit të dikurshëm të Ilirisë e përfshijnë në tërësi mes të tjerash edhe Bosnje-Herzegovinën e sotme.  Pushtimet e vazhdueshme nga kohët më të hershme e deri tek zbritja e sllavëve në shekullin e 6 e të 7 në Ballkan rritën presionin, sidomos e këtyre të fundit për shuarjen e lidhjes së kësaj zone me rrënjët e vërteta të saj. Ky presion kalonte nga terreni në libra ku gjithcka manipulohej, ndryshohej e merrte të vërteta të tjera. E megjithatë jo gjithçka ka humbur në Bosnjen e sotme, përkundrazi fijet janë ende aty.
Historiani dhe anëtari i akademisë hungareze të shkencave Lajos Thalloczsy para viteve 1900 artikulonte qartazi se edhe vetë emri Bosnje vjen nga shqipja. Kështu sipas tij quhej një vazo e veçantë ku qëndronte kripa dhe përdorej në Shqipërinë e Veriut. Në fakt teza e prejardhjes ilire të boshnjakëve është edhe sot heretike dhe atë e artikulojnë vetëm pak njerëz, ndër ta profesor doktor Ibrahim Pashiç që kur pyetet për të është i qartë dhe i prerë.
“Lidhja është arkeologjike, linguistike, onomastike. Edhe në kohën më të re instituti i ADN në Zvicër ka treguar që banorët e Bosnje-Herzegovinës kanë 40 përqind ADN ilire, pjesa tjetër e ADN rezulton gote, kelte, hune, trake , sllave”, thotë profesor Ibrahim Pashiç.
Kjo zonë quhet Butmir dhe është pjesa më pjellore sa i takon tokave në të gjithë kryeqytetin e Bosnje-Herzegovinës , në Sarajevë. Në fakt nëse kërkohet të gjehet një kuptim për këtë fjalë nga gjuha sllave nuk do të marrësh asgjë. Ndërkohë që sipas ekspertëve, sipas studiuesve nëse kërkohet të merret një kuptim nga gjuha ilire atëherë do të dalë fjala “botë e mirë”, “tokë e mirë”, sic edhe në fakt është pjesa më pjellore e qytetit të Sarajevës.
për profesor Pashiç lidhjet i gjen kudo në Bosnje-Herzegovinë edhe pse ndikimet e jashtme etno-kulturore sipas tij kanë patur ndikimin e tyre.
“Ka shumë toponime që kanë mbijetuar, bjeshka “Di kali”… dy kuajt, aty ka kaluar rruga romake dhe aty duheshin dy kuaj që të tërhiqnin qerren. Kemi dy male që quhen Malush…varg-vargu, Lun nga Luan. Kemi me dhjetra shembuj të tjerë, shumë, shumë shembuj të lidhjes”, thotë Pashiç.
50 kilometra në lindje të Sarajavës në pjesën që sot i takon Republika Serbskas, austro-hungarezët rreth viteve 1880 kanë bërë zbulimin më të madh arkeologjik, që njihet si kultura e Glasinacit. Në këtë luginë janë zbuluar mijëra varre ilire e brenda tyre sende të shumta të popullatës së kohës . Punimet kanë vite të gjata që janë ndërprerë për shkak të pamundësisë financiare dhe më së shumti për mungesë vullneti politik.
Edhe gjetjet në këtë zonë e kemi të pamundur t’i shohim. Muzeu Komëetar është mbyllur prej disa kohësh si pasojë e krizës ekonomike. E vetmja mundësi janë gurët e ekspozuar jashtë godinës që ngrihet diku jo larg qendrës së Sarajevës. Shumica janë ilire të gjetura në zona të ndryshme të vendit.
Ndër ata që mbështesin tezën ilire, jo sllave është edhe Myftiu i Bashkësisë Islame në Serbi, Muamer Zukurliç i cili njihet si udhëheqës dhe mbrojtës i fortë i të drejtave të boshnjakëve në disa vende.
“Boshnjakët janë popull i lashtë parasllav. Faktet i lidhin pashmangshmërisht me origjinën ilire. Në Ballkan vështirë mund të thuhet se ekziston një grup i pastër etnik, dhe kjo pa dyshim paraqet një pasuri kulturore, dhe nuk paraqet ndonjë pengesë. Por ama përfundimisht vërtetohet se boshnjakët janë popull parasllav. Së bashku me shqiptarët dhe me popuj të tjerë të cilet nuk kanë mbijetuar dhe se ne nuk jemi ardhacakë, por jemi vendas”, thotë Myftiu Zukurliç.
Rreth 30 km nga qyteti i Sarajevës ngrihet Visoko. Ky qytet që prej vitit 2006 është kthyer në një kryeqendër të gërmimeve arkeologjike.
Të ashtuquajturat piramida ilire janë ndoshta objektet më të përfolura që prej disa vitesh kur boshnjaku Osmanagiç tha se i kishte zbuluar këtu në zonën e Visokos. Ekspertët, studiuesit në fakt janë dyshues, janë të shumtë pra ata që nuk i besojnë këtij zbulimi. Megjithatë ky debat në nivele të larta sjell çdo ditë këtu turistë nga të gjitha vendet e botës.
Për zbuluesin, arkeologun Samir Osmanagiç dhe njerëzit rreth tij këto piramida janë ndërtuar me një lloj të veçantë betoni me një madhësi më të madhe dhe më të lashta se ato të Egjiptit.  Zbulimi i plotë i tyre sipas Osmanagiç do të bëhet pas pastrimit të plotë të trupit të mbuluar nga bimësia e dendur.
Sot për sot Visoko qyteti më rreth 50 mijë banorë është kthyer në një kryeqendër . Turistët dynden këtu për të prekur nga afër piramidat ilire kaq shumë të reklamuara kohët e fundit edhe në mediat ndërkombëtare.
Bosnje-Herzegovina në të gjithë trupin e saj përshkohet nga gjurmët ilire, nga gjurmët e civilizimit ilir. A janë boshnjakët ilirë apo sllavë? Faktet flasin se një pjesë e popullatës pavarësisht ndërhyrjeve dhe ndikimeve etnokulturore të ardhura si pasojë e pushtimeve të njëpasnjëshme të këtyre trojeve, kanë lidhje me Ilirinë dhe ilirët. Por edhe në këtë pikë përgjigjen më të drejtepërdrejtë e jep profesor Ibrahim Pashiç.
“Me ilirët na lidhin rrënjët, me sllavët thjesht gjuha”, thotë ai.
Sigurisht fjala e fundit i takon ekspertëve të fushës , akademikëve, studiuesve , atyre që për nga detyra u takon të merren me këtë punë…sigurisht nëse duan vërtetë të zbulojnë rrënjët tona e jo ato të dikujt tjetër.