PYETJA: Dita e xhuma, pa dyshim, është dita më e mirë e javës. Në këtë ditë është bërë obligim namazi të falet me xhemat (kolektivisht) në kohën e namazit të drekës. Për t’u treguar rëndësia e kësaj dite, për t’u ngritur vlera e saj dhe për t’u amshuar emri i saj, kaptina e gjashtëdhjetë e dytë e Kur’anit është quajtur me këtë emër, Suretu-l-xhumua. Po ashtu, ka shumë hadithe të të Dërguarit të All-llahut, qoftë në dy koleksionet e sakta të haditheve, të Buhariut dhe Muslimit, qoftë në koleksionet tjera të hadithit, të cilat e konfirmojnë vlerën e kësaj dite dhe thërrasin që të përfillet.
Nisur nga vlera e madhe që ka dita e xhuma, djalli i mallkuar e mobilizoi ushtrinë e vet që t’i sfidojnë njerëzit – qoftë masën e gjërë apo intelektualët – dhe t’ua mjegullojnë gjërat, t’ua zbukurojnë vënien e disa adhurimeve në vend të ibadeteve të cilat janë legalizuar për ditën e xhuma. Ata këtë veprim e kanë bërë nga neglizhenca, e me këtë janë përfshirë në përmbajtjen e ajetit 104 të Kaptinës El-Kehf.
A lejohet të thuhet në formë figurative: Nëse dita e xhuma është dita që më së tepërmi u ekspozohet bidateve, atëherë njerëzit të cilët më së tepërmi u ekspozohen sprovave janë të dërguarit e All-llahut, qoftë ata të cilëve u ka zbritur libër apo ata që kanë vepruar me atë libër që është zbritur para tyre.
Bidatet (risitë e urrejtura) që i kanë shpikur njerëzit në ditën e xhuma në esencë janë adhurime me të cilat njeriu i afrohet All-llahut, në këtë nuk ka fare dyshim, e ato nuk kanë marrë tretmanin e bidatit për gjë tjetër pos se janë vënë në vendin jo të duhur, qoftë në kuptim të kohës apo vendit. Ja disa shembuj për këtë:
1. Leximi i Kur’anit me altoparlant në volumin më të madh të zërit, që në këtë formë është bërë prej simboleve të ditës së xhuma, nëse jo edhe prej sunneteve të saj. Kjo, edhe pse ngritja e zërit në xhami duke lexuar nuk është e lejuar, sepse me të dëmtohen të tjerët…
2. Ligjëratat – derset këshilluese që mbahen para hutbes (ligjeratës së xhumasë në minber). Këto ligjërata edhe pse janë adhurim dhe të dobishme, nga ana tjetër nuk janë legjitime në këtë kohë, sepse kjo kohë është kohë e namazeve vullnetare, leximit të Kur’anit dhe dërgimit të salavateve për Pejgamberin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]… Pastaj gjeneratat e para (selefi), për të cilët është dëshmuar se janë në rrugë të drejtë dhe të shpëtuar, nuk e kanë bërë një gjë të tillë, edhe pse ka pasur shkak për të, sepse ata kanë qenë njerëzit më të ditur dhe më të thirrur në shkencë. Ndërkaq neve na mbetet vetëm që t’i pasojmë në atë që e kanë bërë dhe në atë që e kanë braktisur.
3. Ka shumë bidate të cilat i kanë shpikur njerëzit ditën e xhuma, e disa prej tyre i ka përmendur dijetari i shquar Ibn El-Haxh në librin e tij “El-Med’hal”, vëll. II, fq. 203-282. Prej tyre disa janë të pranishme në të gjitha xhamitë e botës, disa tjera janë të pranishme në pjesën më të madhe të xhamive, e disa tjera nëpër xhami në mënyrë selektive, por në përgjithësi, nuk ka xhami ku nuk ka bidate.
4. Ndërkaq bidati i ri i cili u është bashkangjitur bidateve tjera pa mirëseardhje, është bidati që është evident vetëm në Algjeri dhe ka lindur në kryeqytetin e këtij vendi. Fjala është për hutben e tretë në formë të komunikatës në dy faqe të mëdha.
Kjo ndodhi në xhaminë e Abdu-l-Hamid ibn Badisit në kryeqytet, në shtator të vitit 1989. Ligjëruesi pas ligjëratës lajmëroi për këtë komunikatë të cilën unë e quaj hutbe e tretë. Njëri e mori mikrofonin dhe iu drejtua xhematit duke thënë: “O ju besimtarë, mos u shpërndani pas namazit, por qëndroni në vendet tuaja, sepse do t’ju lexohet një komunikatë”. Edhe pse kjo komunikatë ka vlerën e vet, nga ana tjetër nuk është kjo koha dhe vendi i duhur, por koha e saj është në termin tjetër të ditës së xhuma. Poashtu, ajo duhet të publikohet në gazeta, revista dhe simpoziume, apo t’u jepet kompetentëve në ministrinë e arsimit të lartë.
Andaj këtu dua të pohoj se, edhe pse e përkrahi qind për qind përmbajtjen e komunikatës, e proklamoj fuqishëm kundërshtimin tim ndaj mënyrës se si u bë kumtimi i saj, me qëllim që ta mbroj atë që ka qenë praktikë e gjeneratës së parë (selefit) të devotshme.
Ai i cili e lexon kaptinën “El-Xhumu’a” has një ajet i cili i thërret falësit e namazit që menjëherë pas përfundimit të namazit të shpërndahen e të mos qëndrojnë në xhami, madje edhe për namaz vullnetar, e kush dëshiron të falë sunnet, atë do ta bën në shtëpi.
Poashtu, dua të them edhe atë se, ma merr mendja se ajo që bëhet është nga neglizhenca, e në këtë mënyrë luftohen dijetarët. Të lartë janë ata që nuk gabojnë.
A nuk pajtoheni me mua se ky bidat duhet të rezistohet dhe të injorohet?
PËRGJIGJJA: Vëllau im, dije se nuk është bidat çdo gjë që është shpikur pas të Dërguarit të All-llahut [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], sepse muslimanët kanë shpikur shumë gjëra të cilat nuk kanë qenë në kohën e Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], por nuk janë konsideruar bidat, fjala vjen si legalizimi i një ezani tjetër ditën e xhuma kur u shtuan njerëzit dhe u zgjerua qyteti i Medines.
Poashtu, në këtë dioptri duhet shikuar edhe shpikjen e shkencave të ndryshme dhe ligjërimin e tyre në xhami, si shkenca e jurisprudencës islame (fik’hu), bazat e së drejtës (usuli fikhu), sintaksa dhe morfologjia, linguistika dhe stilistika, kurse të gjitha këto disiplina shkencore nuk kanë qenë të pranishme në kohën e të Dërguarit të All-llahut [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], por u paraqitën si nevojë e kohës dhe nuk dolën jashtë synimeve të fesë, por ato janë për t’i shërbyer fesë dhe sillen rreth boshtit të saj.
Për këtë, veprimet të cilat janë në kornizë të synimeve të sheriatit nuk konsiderohen prej risive (bidateve) të urrejtura, edhe pse forma e saj parciale nuk ka qenë prezente në kohën e të Dërguarit të All-llahut, sepse sipas të gjitha gjasave nuk ka pasur nevojë për një gjë të tillë.
Në këtë kontekst është edhe leximi i komunikatave para njerëzve pas faljes së namazit përkitazi me çështje që u tangojnë, sikur që vepruan vëllezërit tanë në xhamitë e Gazës dhe qyteteve tjera të Palestinës në fillim të lëvizjes së Intifadës islame, ashtu që komunikatat, proklamimet dhe thirrjet e tyre kumtoheshin në shtëpitë e All-llahut – xhamitë, në të thirrej prej minareve dhe për këtë shkak fillimisht u quajt: Revolucioni i xhamive.
Xhamia është boshti i aktivitetit në jetën islame. Ajo në kohën e të Dërguarit të All-llahut ka qenë vend misioni dhe qendër e shtetit, sikur që e sqarova këtë në librin tim El-Ibadetu fi-l-Islam. Në xhami mbahen ligjerata dhe këshilla, prej xhamie nisen brigadat e xhihadit, në xhami i Dërguari i All-llahut i pranonte delegacionet e ndryshme dhe ambasadorët, aty lidheshin kurorat, madje aty abisinasit luajtën me shtizat e tyre dhe i luajtën vallet e tyre të njohura në një nga ditët e festës, ndërkaq i Dërguari i All-llahut i stimulonte ata dhe i ndihmonte bashkëshortes së tij Aishes që t’i shikojë.
Andaj, pse nuk mund të jetë xhamia vend për kumtimin e komunikatave islame, përmbajtjen e së cilës aspak nuk e mohon pyetësi, e madje thotë se e përkrah përmbajtjen e saj qind për qind?
Poashtu, çfarë ndalese ka që të mbahet ligjeratë në xhami pas xhumasë, me qëllim që të sqarohen e të detajizohen disa gjëra që janë përmendur në hutbe, e për të cilat nuk ka premtuar koha, apo të jepet përgjigje në disa pyetje që u interesojnë njerëzve?
Unë personalisht e kam pasur traditë këtë që herët, qysh kur ligjëroja në xhaminë Ez-Zemalik në Kajro në vitet e pesëdhjeta të shekullit të kaluar. Pas namazit të xhumasë dhe dy rekateve sunnet ulesha mes njerëzve që t’u përgjigjem pyetjeve që parashtroheshin rreth hutbes – ligjeratës së xhumasë apo rreth çështjeve tjera. Këto tubime ishin mjaft të dobishme, njerëzit patën mjaft dobi dhe i ndiqnin me zell. Unë ende e praktikoj këtë kohë pas kohe në xhaminë ku ligjeroj në Doha, normalisht kur kam kohë dhe më ndihmon shëndeti dhe rrethanat.
Ajeti kur’anor: “E, kur të kryhet namazi, atëherë shpërndahuni në tokë dhe kërkoni begatitë e All-llahut…” (El-Xhumua: 10), flet se shpërndarja dhe kërkimi i furnizimit pas namazit është i lejuar e jo obligativ, sepse mendimi më i drejtë është se imperativi pas ndalesës konsiston në lejim e jo obligim, siç është rasti me ajetin: “… E kur të hiqni ihramin, atëherë gjahtoni…”, (El-Maide: 2) si dhe ajetin kur’anor për gratë: “E kur të pastrohen, atëherë afrohuni atyre ashtu siç u ka lejuar All-llahu…”.(El-Bekare: 222)
Edhe në rastin konkret All-llahu i Madhërishëm e ka ndaluar shitblerjen kur thërret ezani i ditës së xhuma, e kur do të kryhet namazi suprimohet ndalesa dhe çështja ngel ashtu si ka qenë.
Për sa i përket hadithit të cilin e transmentojnë Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe Nesaiu prej Amër ibn Shuajbit, e ky prej babait të vet, se i Dërguari i All-llahut ka ndaluar të recitohen poezi, të bëhet shitblerje dhe të mblidhen njerëzit në rrethe në xhami ditën e xhuma para namazit, e që Tirmidhiu e konsideron të mirë – hasen, kanë theksuar se përmendja e kushtit “para namazit” është argument se kjo lejohet pas namazit për dituri dhe përmendje të All-llahut.
Poashtu edhe ligjërata para xhumasë, për këtë mund të ketë nevojë apo mund ta imponojë interesi që shpresohet nga kjo ligjeratë. Në këtë kontekst duhet përmendur faktin se në shumë vende jo arabe hutbeja mbahet në gjuhën arabe, ndërkaq xhemati i pranishëm nuk e njohin arabishten dhe nuk kanë ndonjë dobi të rëndësishme prej hutbes, që dikton si zakonisht shkurtësinë e saj. Për këtë shkak ata këtë zbrazëti e plotësojnë me ligjeratë në gjuhën përkatëse të popullit para xhumasë ku prezentojnë njerëzit të cilët kanë kohë dhe duan t’i njohin çështjet fetare.
Përafërsisht kështu duhet shikuar edhe ajo që ndodh në Algjeri dhe në disa vende tjera në perëndim të botës arabe dhe Afrikë, sepse shumë ligjërues zyrtarë nuk mund ta arrijnë qëllimin përmes ligjeratave të tyre, ndërkaq njerëzit nuk presin pas namazit, prandaj ligjërata para namazit është kompenzim për dobësinë e hutbes, e në veçanti nëse ai i cili mban ligjeratë – ders është prej atyre që nuk mund ta mbajnë hutben, sepse ndodh që të jetë jo shtetas i atij vendi apo ka ndonjë pengesë tjetër të këtij lloji.
Natyrisht se ky termin nuk është koha ideale dhe do të duhej që hutbeja të mjaftojë, mirëpo nga ana tjetër ky është realiteti ynë, kurse ne shumë herë detyrohemi të zbresim nga idealja në realitetin e ulët, ndërkaq Islami këtë e lejon konform rregullit të domosdoshmërisë dhe dispozitave të saj.
Mbetet ta shqyrtojmë hadithin që e përmendëm prej Amër ibn Shuajbit, përkitazi me të cilin polemikat janë të njohura. Po edhe sikur të pajtohemi se hadithi është i gradës hasen – i mirë, sikur që thotë Tirmidhiu, ai nuk dëshmon për diçka më tepër se veprimi i tillë të jetë i pa pëlqyer, ndërkaq pa pëlqyeshmëria pezullohet me nevojën më të vogël apo interesin më të thjeshtë.
Tirmidhiu thotë: “Disa dijetarë e kanë urrejtur shitblerjen në xhami”, kurse të këtij mendimi janë edhe Ahmedi e Is’haku.
Nga disa dijetarë të tabi’inëve përmendet se tolerohet shitblerja në xhami, kurse prej të Dërguarit të All-llahut, Muhammedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], në disa hadithe përmendet tolerimi për recitimin e poezive në xhami1.
Mirëpo duhet pasur parasysh faktin se dijetarët e kanë përmendur shkakun e tubimit në rrethe në xhami para namazit. Autori i veprës Tuhfetu-l-ehvedhij përmend se këto rrethe mund t’i shkëpusin rrathët e namazit (safat), sepse muslimanët urdhërohen të vijnë sa më herët në xhami ditën e xhuma dhe t’i ngjeshin safët – rrathët e namazit njëri pas tjetrit; e poashtu këto rrathë ndryshojnë prej formës së tubimit të namazfalësve2.
Po ashtu edhe Ibn A’rebiju në veprën Aridatu-l-ahvedhij fi sherhi Et-Tirmidhijj përmend se është ndalur nga tubimi në rrethe ditën e xhuma, sepse ata duhet të jenë në rrathë të kthyer kah imami në hutbe dhe të rreshtohen pas tij në namaz3. Tubimi në rrethe bie ndesh me këtë, sepse ata qëndrojnë në formë kruzhoqesh jo në drejtim të Kibles, e as të ngjeshur sikur rrathët e namazit. Pra, në këtë formë nuk rreshtohen ata që falen, sepse ata janë të rradhitur në saffe, të drejtuar kah Kibla të gatshëm për namaz kur do të vijë koha.
Dijetarët, nga ndalimi i tubimit në rrethe para xhumasë kanë përfunduar se tubimi në rrethe pas xhumaje është legjitim dhe nuk paraqet problem, sikur që thekson imam Hattabi në veprën Mea’limus-sunen.
All-llahu na ndihmoftë dhe na udhëzoftë në të drejtën.
Fusnotat:
1 Sunen Et-Tirmidhij, kitabus-salat (libri i namazit), hadithi nr. 322.
2 Tuhfetu-l-ehvedhij, vëll. II, fq. 272.Botues: El-Medenij, Kajro.
3 Shih: Aridatu-l-ahvedhij, vëll. II, fq. 119. Botues: Daru-l-i‘lm li-l-xhemi‘ë, Bejrut.
DR. JUSUF EL KARADAVI