Drejtëpërdrejtë në problem. Qeveria Gruevski të heqë dorë nga inskenimet politike dhe fetare mbi protestat e qytetarëve shqiptarë. Ai duhet të largojë të gjithë grumbullimet paramilitare në hyrje dhe në dalje të qyteteve dhe fshatrave shqiptare, të shmangë provokimin e popullsisë shqiptare dhe ti drejtohet arësyes dhe gjykimit mbi atë se çfarë i bëhet mirë dhe çfarë i bëhet keq të ardhmes së shtetit të Maqedonisë. Me kokefortësi dhe me përplasje luftarake askush deri më sot nuk ja ka dalë me popullin shqiptar. Këtë nuk duhet ta harrojë as Nikola, pasi në vitin 2001 ishte faktori ndërkombëtar, ai që e shpëtoi Maqedoninë nga ndarja dhe shkatërrimi dhe jo helmetat e ndryshkura të shtetit fantazmë. Nikola duhet të kuptojë që, me këtë nacionalizëm dhe provokim që po u bën hapur shqiptarëve, duke treguar dhëmbët, po e kthen Maqedoninë në vitet e paraluftës.
Dora dhe ndërhyrja e Nikolës dhe Mihajlovskit kundër protestave shqiptare, po duket hapur dhe mjaftë provokative. Pasoja u ndje me kritikat që u janë drejtuar protestuesve shqiptar në Shkup dhe qytete të tjera. Në protesta u shfaq një dualizëm midis kërkesave që burojnë nga interesat kombëtare dhe dukurive fetare, të cilat nuk janë fenomene të reja. I kemi vënë re këto në protestat që janë zhvilluar më parë në qytetet shqiptare. Kur bindje të tilla atdhetare dhe fetare nuk përplasen, këtu nuk shikojmë asgjë të keqe, por kur veprimtaritë dhe simbolika fetare del para çështjes kombëtare, atëhere këtu s’ka më komente. Ekstremistët që përkrahin qëndrime dhe veprime të tilla, pozicionohen në vijën politike antikombëtare. Ata i shërbejnë pushtetit politik antidemokratik. Kurrë nuk mund të mohoet identiteti kombëtar për hatër të islamizmit ekstrem, apo rrogat e pista të shërbimit sekret maqedon. Në emër të fesë nuk mund të dilet në protesta në mes të Shkupit dhe në qytete të tjera, kur dihet fortë mirë se, problemet e shqiptarëve nën Maqedoni kanë karakter krejt tjetër.
Duhet divorc i pakontestueshëm me këtë kategori antishqiptare, me këtë ngatërresë të qëllimëshme kundër vlerave të faktorit shqiptar në shtetin maqedon. Të kuptojmë dhe të pranojmë që, kur kleri fetar i shërben interesave kombëtare, ai kthehet në faktor mobilizues. Historia jonë e ka vërtetuar këtë fenomen, jo me fjalë, por me vepra konkrete të figurave të ndritura fetare, që kanë dhënë jetën nën hijen e flamurit kombëtar.
Shqipëria dhe Kosova kanë rolin e tyre ndihmës në këtë situatë, veçanërisht në marrëdhëniet me subjektet politike shqiptare në Maqedoni. Partitë politike dhe organizimi i tyre, është një amalgam e pajtuar me situatën e rëndë në Maqedoni dhe ato bëjnë sehir, duke dëshmuar bashkëpunimin me politikën maqedone për interesa të ngushta personale dhe klanore. Partitë politike shqiptare janë pajtuar me kapitullimin dhe sundimin. Nuk mund të bashkëpunohet me kundrshtarët politik, kur ata dhunojnë popullsinë shqiptare dhe me arrogancë shprehin nacionalizmin ekstrem.
Situata në vitet e pasluftës, dëshmoi përfundimisht që, nga të dy partitë politike shqiptare në Maqedoni, masa e gjerë e popullit nuk mund të pres më asgjë, përveçse shitje të mëtejëshme të interesave të tyre. Në këtë situatë të vështirë, partitë politike po kërkojnë rrugëzgjidhje, jo për popullin, por për veten e tyre, si të shpëtojnë nga skandali dhe paaftësia për t’u përballur me situatën. BDI është e pafuqishme, e nënshtruar përballë qeverisë Gruevski. Ajo nuk ka fuqi të kërkojë të vërtetohet fajësia e shqiptarëve në procesin e montuar “monstra”. Nëse për 6 shqiptarët e dënuar, vërtetohet se e kanë bërë vrasjen e pesfishtë, atëherë në burg të qëndrojnë si kriminelë. Por, nëse ky është një proces i montuar për të inkriminuar shqiptarët (dhe kjo tashmë është dëshmuar), atëherë jo shqiptarët, por manipulatorët të dalin para drejtësisë. Më qesharak në këtë momënt paraqitet PDSH, e cila “mbështet” protestat, por nuk dihet saktë se përse i mbështet.
Duke analizuar qëndrimin e partive politike shqiptare, ka ardhur koha të denoncojmë gjynahet e tyre në shpinë të interesave të shqiptarëve dhe këtyë ta deklarojmë me zë të lartë, duke kërkuar largimin e drejtuesve të tyre nga politika. Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi, duhet t’u hapin rrugën të tjera figurave në politikën shqiptare. Ajo që kuptojmë nga tërë situatat që kanë rrjedhur në këto 13 vite të pasluftës, duke lënë mënjanë mendimin negative të palëkundur për partitë, është nevoja e unifikimit të mendimit të masave qytetare, të cilat vuajnë mbi vete pasojat e pushtetit antidemokratik në Maqedoni. Nëse nuk arrihet ky unitet, atëherë edhe këto protesta, si dhe të tjerat, do të jenë të dështuara në qëllimin dhe misionin e tyre.
Atëherë, çfarë kërkojnë shqiptarët në protesta? A kanë ata kërkesa të drejtëpërdrejta politike për shëndoshjen e sistemit politik në Maqedoni? A kanë ata një organizëm drejtues që të flaës në emër të tyre? A janë në gjendje ata të evidencojnë njerëzit e mirë që i nevojiten një lëvizje qytetare demokratike, në shërbim të vlerave shtetformuese të shqiptarëve? A është në gjendje grupi organizator t’u ofrojë njerëzve dhe veçanërisht rinisë, atë që ata duan realisht në protesta? Ku paraqiten kërkesat me karakter kombëtar, ato politike, sociale, ekonomike dhe si janë të vendosura lidhjet dhe bashkëpunimi me faktorin shqiptar në Shqipëri, Kosovë dhe në Diasporën shqiptare? Cilat janë parrullat, kërkesat, synimet e sakrificës qytetare? A janë ato gjithpërfshirëse për të gjithë shtresat sociale dhe minoritetet e tjera në Maqedoni? Vetëm shqiptarët mbeten të diskriminuar nën pushtetin politik, apo këtë fat e kanë dhe pakicat e tjera kombëtare? Ku është bashkëpunimi me to? A mund të ngrihen njerëzit në protesta, duke menduar thjeshtrë, “të dalë ku të dalë”, mjafton që dalim? A ka një emërtim kjo lëvizje qytetare dhe çfarë simnbolike përfaqësimi përdor dhe deri ku do të shkojë jehona e saj për mbështetje? Çfarë përfitojnë shqiptarët me këtë mënyrë veprimi dhe çfarë përfiton pushteti politik, i cili e ka situatën nën kontroll? A ka probleme programore në këtë lëvizje qytetare, apo vetëm deklarata dhe fjalë në erë, dhe në mbrëmje të gjithë kthehemi në shtëpi “të kënaqur se e bëmë detyrën”?!
Në këto momente qytetarët shqiptarë në Maqedoni nuk kanë nevojë për historinë e problemeve, por për vete problemin e problemit që ata mbartin në shpinën e tyre. T’i biem çështjes në kokë, mjaftë më me demagogji dhe tallje me vullnetin dhe energjitë e rinisë shqiptare. Ku na dhëmb dhe çfarë na duhet për interesat tona dhe ardhmërinë e Maqedonisë? Me parrullat demagogjike të Aliut dhe Kadiut të Tetovës nuk mund të ecet më. Këto parti nuk përfaqësojnë më interesat e shqiptarëve. Ato janë çeta bashibozukësh. Politikanët e tyre të shitur meritojnë diskretitimin dhe ndëshkimin.
Nuk jemi për gjuhën e urrejtjes, por nuk jemi as për rrugën e kapitullimit dhe të inkriminimit politik. Shqiptarëve u duhet që, Maqedonia të kthehet në nje zone zgjedhore dhe ligji elektoral të ketë përmbajtje demokratike, për votë përfaqësimi të barabartë midis kombësive. Situata kërkon Dhomën e Nacionaliteteve në Parlamentin e Maqedonisë, me të drejtë “veto-je”, pa miratimin e së cilës asnjë projekt – ligj nuk duhet të kalojë për shqyrtim në Parlament. Kjo mënyrë respekton të drejtat dhe liritë themelore për të gjithë kombësitë që jetojnë në Maqedoni. Në të drejtën e gjuhës dhe të simboleve kombëtare, Maqedonisë, si shtet dykombësh, i nevojitet flamuri shtetëror. Në Maqedoni ka nevojë të luftohet korrupsioni i lartë, varfëria, të ketë një sistem gjyqësor të paanshëm, të hiqet dorë nga diskriminimi i kombësive të tjera, pra, të kthehet në një shtet që beson në reformat demokratike dhe në aspiratat për anëtarësim në NATO dhe në BE. Me këtë situatë, Maqedonia do ta shikojë përherë veten jashtë institucioneve evropiane. T’i bëhet e qartë faktorit politik dhe demografik në Maqedoni, se pa respektuar dhe bashkëpunuar në rrugë demokratike me faktorin shqiptar, shteti i Maqedonisë nuk ka të ardhme. Ai është i destinuar të shkatërrohet. Të gjitha këto kërkesa në thelb demokratike, duhet të bëhen pjesë programore e protestave qytetare në Maqedoni. Çdo rrugë tjetër duhet të jetë e papranueshme. Ky vlerësim do të rrisë maksimalisht numrin e protestuesve. Qytetarët do të dalin në sheshe dhe në rrugë për të drejtat e tyre njerëzore. Karakteri i qartë i problemeve kombëtare dhe jetësore, fryma demokratike e ndryshimeve për ardhmërinë e Maqedonisë, do të sjellë nesër një Maqedoni të federalizuar, pa kufij ndarës, duke vlerësuar pozitivisht eksplozionin demografik në këtë hapësirë shqiptare, prej të cilit sot opinion dhe politika maqedone po tmerrohet.
Një lëvizje e tillë qytetare në Maqedoni, me kërkesa dhe synime të qarta kombëtare dhe demokratike, do të sjellë vetë nevojën e një subjekti politik përfaqësimi të faktorit shqiptar, i unifikuar, i sprovuar dhe efikas, drejtuesit e të cilës do t’i nxjerrë vetë rrjedha e protestave paqësore. Energjitë dhe potencialet qytetare, rinore dhe intelektuale me frymë atdhetare në Maqedoni, kundër praktikave të ndjekura deri tani, që kanë sjellë përçarjen dhe dështimet, ndjejnë nevojën e riorganizimit të brendshëm. Nëse arrijmë këtë, atëherë “gjeneralët” pa ushtarë do të shkojnë në shtëpi dhe vetë faktori qytetar dhe politik maqedon do t’i kërkojë i imponuar për mbijetesë ndryshimet për ta kthyer këtë shtet në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa dallime etnike.