Buzëqeshin Bajerni i Mynihut dhe Juventusi, mision i vështirë për rivalët e El Clasicos, Realin e Madridit dhe Barcelonën.
Short drithërimash për çerekfinalet e kompeticionit më prestigjioz për klubet, Uefa Champions League. Një replikë e finales së sezonit të kaluar dhe  vënia përballë sërish e dy superfuqive që duan vetëm triumfin final.  Buzëqeshin Bajerni i Mynihut dhe Juventusi, mision i vështirë për rivalët e El Clasicos, Realin e Madridit dhe Barcelonën.
Katalanasit e Luis Enriques do të luajnë shanset për të kaluar në gjysmëfinale me Paris Saint-Germain. Ky është sezoni i tretë radhazi që dy skuadrat përballen në vitrinën luksoze të futbollit.  Dy vjet më parë parizienët u eliminuan pikërisht në çerekfinale nga katalanasit me rezultatin e përgjithshëm 3-3 por Barça që kaloi falë rregullit të golit në fushë kundërshtare. Rezultati i përballjeve në këto 3 vjet thotë nga 1 fitore për secilën skuadër dhe 3 barazime. Ibrahimoviç dhe Cavani kundër Messit , Neymar dhe Suarez, gjithçka e hapur e tëra për t’u shijuar.
Kaprico e golave solli në skenën e çerekfinaleve derbin e Madridit,  Atletico-Real përsërisin në skenën e 8 më të mirave finalen e vitit të kaluar kur Sergio Ramos me atë gol në skadimin e kohës së rregullt ndryshoi rrugën e trofeut vetëm në minutat e fundit.  Gjithsesi që nga ajo kohë Reali nuk e di se çfarë është fitorja ndaj Atleticos para pak më shumë se një muaji, Los Colchoneros i poshtëruan djemtë e Ancelotit me një fitore të thellë 4-0 ndërsa e nisën sezonin duke i rrëmbyer skuadrës merenges edhe Superkupën e Spanjës. Në 6 ndeshje të luajtura këtë sezon bilanci thotë 4 fitore për Atleticon dhe dy barazime, Realit i duhet të përmirësojë këtë statistikë për të vijuar mbrojtjen e titullit në Champions.
Me fat Bajerni i Mynihut që peshkon një nga ato skuadra që të gjithë e dëshironin, Porton.  Sikur të mos mjaftonte kjo, skuadra e Pep Guardiolës që i ka mbyllur hesapet në Bundesliga dhe mund të fokusojë gjithë energjitë në Champions ku ka shansin e luajtjes së sfidës së dytë në Allianz Arena. Për ironi të fatit nga duart e ambasadorit të finales së Berlinit, Carl Heinz Riddle, ish futbollist i Borusias së Dortmundit dhe makth i Juventusit në finalen e 1997 doli kundërshtari më i mirë i mundshëm për Juventusin, MonaCo. Kampionët e Italisë janë pa dyshim favoritë të mëdhenj në letër por ndoshta dhe Arsenali u kënaq kur pa përballë skuadrën e Principatës në 1/8 dhe nuk i doli aq mirë. Gjithçka duhet fituar në fushë, me çerekfinalet e para që luhen në 14 dhe 15 pril dhe ato të kthimit një javë më pas. Rruga drejt finales së madhe të Berlinit do të ndalet më pas në një tjetër udhëkryq, shortin e gjysmëfinaleve. Deri atëherë spektakli është i garantuar.