Edhe këtë vit akademik 2017/2018 Departamenti i Femrës pranë Forumit Rinor Islam organizon cikël të ligjëratave dyjavore nën moton “Komentim i kaptinave të Kuranit”. Në Info Qendrën e FRI – së, në Shkup u realizua ligjërata e parë e këtij cikli. 

Filloi me leximin e kaptinës “El Fatiha”, dhe me fjalë përshëndetëse nga përgjegjësja e Departamentit të Femrës pranë Forumit Rinor Islam – Dega Shkup, Isra Sherifi Idrizi e cila theksoi: “Departamenti i Femrës vite me rradhë realizon cikle ligjëratash nga sfera të ndryshme dhe me tema të ndryshme, por kësaj rradhe është më e veçantë. Dhashtë Zoti të jemi prej atyre që çdo ditë takohemi me librin e Allahut, dhe shpresoj që në këtë cikël me komentimin e kaptinave të arrijmë të thithim më shumë nga nektari i Kuranit Fisnik.”

Më pas vijoi ligjërata e përgatitur nga teologeja Sumeje Peza e cila këtë cikël e filloi me komentimin e kaptinës “El Fatiha”. Fillimisht tregoi në përgjithësi për mrekullitë e Kuranit Fisnik, duke theksuar lidhshmëritë e kaptinave mes vete ndërkaq duke filluar nga ajeti i parë u komentuan të gjitha ajetet e kaptinës në bazë të mendimeve të shumë dijetarëve.

Dhe pjesa e fundit u takoi të pranishmeve për të diskutuar në lidhje me kaptinën e lartëpërmendur.