Departamenti i Femrës pranë Forumit Rinor Islam – Dega Shkup në bashkëpunim me Departamentin e edukimit për të dytën herë me rradhë realizoi shkollë verore.

Shkolla verore 2017 nën moton “Me rini të edukuar drejt qëllimit të synuar”, u realizua në hapësirat e Info Qendrës – FRI dhe zgjati dy ditë. Pjesëmarrëse në këtë shkollë ishin afër dyzet nxënëse dhe studente.

Dita e parë filloi me leximin e disa ajeteve kuranore dhe fjalim përshëndetës nga përgjegjësja e Departamentit të Femrës – Dega Shkup, Isra Sherifi Idrizi e cila mes tjerash tha: “Ky aktivitet ka për qëllim lidhjen motërore dhe përfitimin e diturisë, dy elementet kyçe për të ngritur fjalën e Allahut, për të ndihmuar veprimtarinë në shoqëri me shpresë që të ngrisim vetëdijen.”

Teologët Fevzi Musliu, Esma Sherifi Kurti, Qenan Ismaili dhe Sumeje Peza përgjatë këtyre dy ditëve ligjëruan në sferën e besimit, moralit dhe jurisprudencës islame, ndërkaq disa tituj të temave ishin: “Ndikimi i rrjeteve sociale në zbehjen e besimit”, “Reflektimi i besimit në etikën e besimtarit”, “Me emrin Tënd jetojmë”, “Gjashtë shkaqet për mosarritjen e suksesit të njeriut”.

Poashtu u bë falja e namazeve bashkarisht dhe u realizua vizitë në xhaminë “Mustafa pasha”. Në fund pjesëmarrëset u dekoruan me mirënjohje nga ana e përgjegjëses.