Një burrë u ul në një stacion metroje të Uashington DC dhe nisi t’i bjerë violinës. Ishte një mëngjes i ftohtë janari.
Për rreth 45 minuta ai luajti gjashtë pjesë të Bahut. Gjatë kësaj kohe, duke qenë se ishte piku i lëvizjes, u numëruan 1 100 njerëz që kaluan në stacion, shumica për të shkuar në punë.
Pasi kaluan tri minuta, një burrë i moshës së mesme e vuri re muzikantin, ngadalësoi hapin, u ndal për pak sekonda e mandej vazhdoi rrugën.
Një minutë më pas, violinisti mori dollarin e parë nga një grua, e cila hodhi paratë pa e ndalur hapin.
Pas pak minutash, një burrë u mbështet pas murit për ta dëgjuar, por shpejt pa orën dhe vazhdoi rrugën. Ishte vonë për në punë.
I vetmi që i kushtoi më tepër vëmendje ishte një djalë 3-vjeçar. E ëma e tërhiqte në nxitim e sipër, por fëmija u ndal për të parë violinistin. Më në fund, nëna e tërhoqi me forcë dhe djali vazhdoi të ecë, duke e kthyer vazhdimisht kokën pas. Të njëjtën gjë bënë edhe disa fëmijë të tjerë që kaluan aty. Të gjithë prindërit, pa përjashtim, i detyruan vogëlushët të vazhdojnë rrugën.
Gjatë gjithë 45 minutave që artisti luajti në violinë, vetëm gjashtë njerëz u ndalën pak. Rreth 20 i dhanë para, por pa e prishur ritmin e tyre të të ecurit. Violinisti grumbulloi gjithsej 32 dollarë.
Pasi muzikanti mbaroi dhe në stacion ra heshtja, askush nuk e vuri re. Anjë duartrokitje, askush nuk i shprehu një grimë mirënjohjeje.
Askush nuk e dinte, por violinisti ishte Xhoshua Bell, një ndër muzikantët më të talentuar në botë. Ai sapo kishte luajtur një nga pjesët më të vështira të shkruara ndonjëherë në pentagram, me një violinë që kushtonte 3.5 milionë dollarë.
Dy ditë para se të luante në metro, në një teatër të Bostonit u shitën të gjitha biletat për koncertin e Xhoshua Bellit. Një biletë kushtonte mesatarisht 100 dollarë.
Kjo është histori e vërtetë. “Koncerti” i Xhoshua Bellit në metro u organizua nga “Washington Post” si pjesë e një eksperimenti social rreth perceptimit, shijes dhe përparësive të njerëzve. Ideja ishte: në një ambient të çfarëdoshëm dhe në orar të papërshtatshëm, a e perceptojmë ne të bukurën? A ndalemi për ta vlerësuar? A e dallojmë talentin në një kontekst të paparashikuar?
Një nga përfundimet e mundshme nga kjo përvojë mund të jetë: Nëse nuk kemi një moment për të ndaluar e dëgjuar një ndër muzikantët më të mirë në botë, i cili luan muzikën më të bukur të kompozuar ndonjëherë, sa gjëra të tjera po humbim?
/Start/