Jetmire Ferati, fituese e projektit “Talentium”, 2016/2017

Që nga fillimi arrijmë të kuptojmë se tema përmban dy anët e medaljes: buzëqeshjes dhe lotit. Dhe tani po ju pyes: A ka kush nga ju që ndonjëherë nuk ka buzëqeshur apo ka qarë? Natyrisht që të gjithë do të më përgjigjeni jo, sepse të jetosh do të thotë të shijosh çdo ëmbëlsi dhe ithtësi të jetës, dhe pasi ke shijuar të dyja, të trokasësh në derën e duhur.

Padyshim që një krijesë si njeriu, si më e përsosura nga çdo krijesë tjetër ka aftësi tu bëjë ballë gjitha problemeve në jetë, por e gjithë ajo që na duhet është të mendojmë para se të veprojmë. Duke marrë parasysh aftësitë e tij si ëndrra, frika, guximi, përsëri nuk mund të themi se njeriu është i saktë në zgjedhjet e tij, pasiqë, të mos menduarit sjell edhe gabimet. Të gjithë nga ne e dimë se si shkak të gabimeve vijnë edhe pasojat, që janë një ulje e shkallës së jetës sonë. Dhe më e keqja e kësaj e dini se ç’është? Më e keqja e kësaj është kur ne nuk arrijmë të nxjerim mësim nga gabimet tona, ne përsëri vazhdojmë të bëjmë të njëjtin gabim, përsëri e përjetojmë të njëtjtin dëshpërim, deri sa arrijmë në helmimin e shpirtit tonë dhe uljen e vlerës sonë si njerëz.

Sjellja, morali dhe turpi janë pikërisht këto tri gjëra që na dhurojnë nofkën e të quajturit  më i përsosur. Por, sa nga ne arrijmë t’i kontrollojmë këto tri gjëra? Sa nga ne i respektojmë këto tri gjëra? Vallë, e keni menduar ndonjëherë, sa e bukur do të ishte bota sikur të mos kishte grindje, qarje e xhelozi? Nëso jo, atëherë…  Ëndërroje! Bëje! Beso se mund të arrihet, duke filluar t’i ndryshosh gjërat nga vetja dhe rrethi familjar. Beso në fuqinë dhe vlerën tënde si njeri. Arrije qëllimin tek vetja , që të shohësh sukses edhe tek të tjerët.

Dhe, e dini përse zgjodha pikërisht këtë temë? Zgjodha ngaqë këto janë gabimet më të shumta të moshës rinore, dhe e gjithë ajo që dua të them është: Se ne jemi drita e një populli, ne jemi ardhmëria e familjeve tona, prindërve tanë. Përse të ecim në rrugë te gabuar, e të mos vazhdojmë të ndjekim rrugën e prindërve tanë? Përse të jemi mosmirënjohës ndaj atyre që na sollën këtu që jemi. Sot të gjithë sëbashku këtu, përse të mos themi: Faleminderit o Zot, që kam gjitha të mirat, falë teje që më ke krijuar të aftë, për të shijuar çdo gjë të bukur nga bota.

Përse t’iu kërkojmë prindërve tanë ndoshta gjërat që ata nuk mund të na plotësojnë? Vallë, e keni menduar ndonjëherë se si ndihen ata kur ne vazhdimisht kërkojmë gjërat që shohim jashtë?! Unë po, ngaqë kam kuptuar se syri jonë asnjëherë nuk ushqehet dhe kërkon vazhdimisht gjërat që sheh jashtë. Por, çfarë vlere mund të ketë një veshje e shtrenjtë? Më thoni? Çfarë vlere mund të ketë një celular i mirë, kur nuk ke, shëndetin dhe lumturinë?

Andaj, të vetëdijesohemi, të ndalojmë dhe t’i themi vetes: “Kam gjërat më me vlerë në jetë, kam mendjen, kam familjen, kam këmbë e duar, kam shtëpi të ngrohtë e ushqim, kam gjithcka që më nevoitet për të jetuar.”

Të mendojmë se përderisa ne dëshirojmë të bredhim anembanë botës, ka fëmijë që qajnë për një strehë të ngrohtë, e për ushqim. Dhe në çastin kur ne ta zgjojmë ndërgjegjen tonë, aftësitë e të menduarit, atëherë kuptojmë se gjithçka nga ajo që kërkojmë nuk ka vlerë në këtë botë.

E rëndësishme, e dini se ç’është?! E rëndësishmë është që ne të jemi falënderues ndaj asaj që e kemi dhe që e posedojmë, dhe të mos lejojmë të na mashtrojë syri dhe bota. Sepse nësë bota vazhdimisht ec dhe përparon, ne në brendësinë tonë duhet të qëndrojmë ata qe jemi. Të besojmë në ëndërr, në atë që nuk na e sheh syri. Të arrijmë në  Parajsë.