Dokumenti origjinal i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë mbetet ende çështje e hapur, për aq kohë sa ky dokument nuk është gjetur dhe procesi i kërkimit nuk është quajtur i mbyllur.

Historiani Paskal Milo thotë për KosovaPress se dokumenti po kërkohet, por gjetja e tij është një proces i vështirë. Nga hulumtimet e deritanishme mendohet se ky dokument mund të ketë përfunduar në duart e familjarëve të Ismail Qemalit, konkretisht të një djali të tij që ka jetuar dhe ndërruar jetë në Strugë.
Historianët po bëjnë kërkime edhe nëpër arkivat e huaja, por deri tani nuk ka ndonjë gjurmë konkrete se ku mund të gjendet ky dokument themelor i shpalljes së Pavarësisë.
“Mundet dhe rastësia dhe fatkeqësia që mund të jetë zhdukur dhe që për fat të keq nuk do ta kemi. Ne nuk jemi dorëzuar, do vazhdojmë ta kërkojmë por gjithsesi është një proces i vështirë”, tha Milo.