Në kuadër të shumë aktiviteteve që realizon Forumi Rinor Islam – Dega Shkup përgjatë muajit të shenjt Ramazan, ishte edhe iftari tradicional i cili shtrohet në sheshin “Skënderbeu” tanimë shumë vite. Në këtë iftar i cili për herë të parë u realizua në bashkëpunim me organizatën joqeveritare nga Republika e Turqisë Iyilikder”, të pranishëm ishin afër 500 mysafirë të shtresave e përkatësive të ndryshme, mes tyre përfaqësues të institucioneve, përfaqësues të organizatave joqeveritare, donatorë, studentë etj.

Pas përfundimit të iftarit të pranishmit patën rastin të dëgjojnë disa fjalime përshëndetëse. Së pari fjalë rasti kishte nënkryetari i Forumit Rinor Islam, Berat Limani, i cili tregoi për aktivitetet që realizon FRI përgjatë këtij muaji nëpër të gjitha degët e në veçanti të degës Shkup. Më pas të pranishmit i përshëndeti edhe kryetari i FRI – Dega Shkup, Abdulhamid Mustafa i cili i falenderoi të pranishmit që i janë përgjigjur pozitivisht ftesës dhe mes tjerash tha: “Si shumë adhurime tjera edhe pritja e iftarit sëbashku bëhet shkak për një vëllazëri shumë të shëndoshë dhe kështu bëhemi si gjymtyrët e një trupi të vetëm.” Prezent ishte edhe kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti i cili potencoi: “Falenderoj Forumin Rinor Islam, i cili në vazhdimësi realizon aktivetete dhe bën një punë të shkëlqyer duke mbuluar kështu atë që nuk mund ta arrijmë qoftë institucionet lokale apo qendrore, dhe shpresoj që edhe në të ardhmen do të vazhdojnë me organizime të tilla sepse e kanë përkrahjen e popullit dhe institucioneve.” Dhe në fund fjalë përshëndetëse kishte edhe përfaqësuesi i organizatës joqeveritare “Iyilikder”, Muhamed Geçen i cili tha:
“Dua ta filloj fjalimin tim duke falenderuar Allahun që na fali si vëllezër. Ne si organizatë sofrën vëllazërore jemi duke e shtruar në 18 shtete dhe jemi vënë në lëvizje nga katër anët e Turqisë. Dëshiruam që në të gjithë botën të shtrihet mëshira, begatitë dhe vëllazëria.”