Qendra për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional dhe Forumi Rinor Islam shprehin keqardhjen e tyre lidhur me incidentin i cili ndodhi në xhaminë Isa Beg në Shkup, me datë 25.06.2010. Pa dashur për të luajtur rolin e gjykatësit se kush në të vërtetë ishte shkaktari i këtij incidenti dhe mbi kë bie më tepër përgjegjësia dhe faji për atë që ndodhi aty, konsiderojmë se ngjarja si e tillë paraqet një veprim krejtësisht të pahijshëm dhe njollë të zezë për besimtarët muslimanë të vendit tonë.
QMBI dhe FRI, po ashtu, shprehin shqetësimin dhe brengosjen e tyre lidhur me etiketimet gjithnjë e më të shpeshta nëpër mediume mbi kinse ekzistimin e rrymave radikale islame në trevat tona, vlerësime këto të cilat vetëm shkojnë në dëm të promovimit dhe kultivimit të vlerave të mirëfillta islame në shoqërinë tonë.
Me këtë rast, Qendra për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional dhe Forumi Rinor Islam reagojnë ashpër ndaj “listës famoze” të personave të identifikuar si të involvuar në incidentin e ditës së xhuma, të shpallur në web faqen zyrtare të Bashkësisë Fetare Islame, e pastaj të përcjellë edhe në disa mediume elektronike dhe të shkruara. Në këtë listë janë shënuar edhe emrat: Rufat Sherifi, përndryshe kryetar i Qendrës për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional; Zulkifli Sinani, nënkryetar i Forumit Rinor Islam; si dhe Hasan Baftijari, anëtar i Kryesisë Qendrore të FRI-së. Përfshirjen e tyre në këtë listë e kuptojmë si një tentim të fëlliqur dhe tendencioz të kreut të Bashkësisë Fetare Islame dhe pasuesve të tij të verbër në këtë institucion, me një qëllim të vetëm: për të diskredituar personalitetin e këtyre personave që janë treguar si të palodhshëm në fushën veprimtarisë islame me vite të tëra, si dhe rolin e organizatave joqeveritare ku ata veprojnë, po ashtu të njohura para opinionit të gjerë për aktivitetet e shumta në drejtim të afirmimit të vlerave pozitive islame dhe humane.
Për hir të informimit të opinionit të gjerë, deklarojmë me plot përgjegjësi se Rufat Sherifi dhe Hasan Baftijari as që kanë qenë të pranishëm në xhaminë Isa Beg në ditën kur ka ndodhur incidenti, kurse Zulkifli Sinani, edhe pse ka falur aty namazin e xhumasë, në asnjë moment nuk ka qenë i involvuar në zënkën e cila ka ndodhur me këtë rast.
Për këtë shpifje makabre të udhëheqësisë së Bashkësisë Fetare Islame ndaj njerëzve plotësisht të pafajshëm, QMBI dhe FRI do të njoftojnë edhe institucionet shtetërore dhe faktorin ndërkombëtar të pranishëm në vend, krejt me qëllim të demaskimit të politikës së ligë që po udhëheq, për fat të keq, kreu i këtij institucioni fetar në drejtim të etiketimit të njerëzve dhe manipulimit me opinionin.
Po ashtu, për shkak të kësaj shpifje të rëndë dhe djallëzore të manifestuar në faqen zyrtare të BFI-së ndaj personave në fjalë, ndaj kreut të Bashkësisë Fetare Islame dhe bashkëpunëtorëve të tij do të ngritet padi penale deri te organet relevante gjyqësore. Kjo sa i përket sqarimit të realitetit dhe daljes së të vërtetës në shesh në këtë botë, kurse gjykimin më meritor dhe më të drejtë padyshim do ta jep Zoti Fuqiplotë në Ditën e Gjykimit, aty ku gënjeshtra nuk bën asnjë dobi dhe ku zullumi nuk ka fare forcë. Sepse të vërtetën e ka thënë All-llahu i Madhërishëm në Kur’anin Fisnik:
“S’ka dyshim se ata që trilluan shpifjen, janë një grup prej jush. Ju mos e merrni atë si ndonjë dëm për ju, përkundrazi, ajo do të jetë në dobinë tuaj. Secilit prej tyre do t'i takojë dënimi sipas pjesëmarrjes në mëkat, e atij prej tyre që e barti pjesën e madhe (të shpifjes), i takon dënimi i madh.” (Nur: 11)
Shkup, 10.07.2010
Qendra për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional
Forumi Rinor Islam