2. Kryqëzata e dytë (1147-1149)
Shtetet të cilat u themeluan më rastin e kryqëzatës së parë, ekzistuan deri në vitin 1144, gjegjësisht deri atëherë kur Edesa u pushtua nga turqit. Kjo ndodhi e tronditi Evropën e atëhershme, ndërsa si pasojë e kësaj papa Eugeni III - i cili në postin e papës qëndroi prej vitit 1145 e deri në vitin 1153 - në vitin 1147 ndërmori organizimin për një kryqëzatë të dytë ndaj Orientit islam.
Kryqëzata e Dytë u zhvillua 48 vite pasi që Jerusalemi ra nën okupimin e krishterë. Këtë kryqëzatë e udhëhoqën Konradi III - perandori i Gjermanisë dhe Luij VII - mbreti i Francës, ku përveç ushtarëve të rëndomtë, morën pjesë një numër i madh i monarkëve të sekteve të ndryshme, si dhe templarët.
Gjatë kësaj ekspedite ushtarake të krishterët arritën deri në afërsi të Damaskut, ku pas konflikteve të ashpra, kryqtarët nën presionin dhe rezistencën e muslimanëve u detyruan që të kthehen andej nga kishin ardhur.
Kryqëzata e dytë konsiderohet si e dështuar, sepse si pasojë konsiderohet mosmarrëveshja ndërmjet Konradit të Tretë dhe mbretit të Francës, Luijit VII. Këta nuk kishin mund të merren vesh rreth ndarjes së rajoneve të pushtuara.
Pasi që kaluan rreth nëntë dekada, gjegjësisht 88 vite që nga rënia e Jerusalemit, në vitin 1187, komandanti musliman me origjinë kurde Salahuddin Ejjubi, organizoi ushtritë me qëllim që ta kthejë Jerusalemin nën juridiksionin musliman, gjë të cilën e arriti me sukses. Salahuddini me ushtrinë e tij jo vetëm që e çliroi Jerusalemin, por ai arriti ta çlirojë edhe tërë Palestinën dhe Sirinë e sotme.
Me rastin e pushtimit të Jerusalemit nga ushtria muslimane, Salahuddini tregoi humanitetin dhe korrektësinë e sinqertë ndaj të gjithë atyre që u zunë rob, ndër të cilët ishte edhe Riçardi Zemërluani... Të gjithëve ua fali lirinë.
3. Kryqëzata e tretë (1189-1192)
Kryqëzata e tretë zgjati prej vitit 1189 e deri në vitin 1192. Kryqëzata e tretë ishte shkak i drejtpërdrejtë i çlirimit të Jerusalemit dhe Sirisë nga udhëheqësi musliman Salahuddin Ejubi. Çlirimi i Jerusalemit nga ana e muslimanëve në Evropën krishtere u pranua me një dëshpërim të madh, gjë që shkaktoi thirrjen e përgjithshme krishtere në luftë kundër muslimanëve dhe Islamit nën emrin e kryqit.
Këtë kryqëzatë e organizoi Papa Grguri VIII (i cili në postin e papës qëndroi vetëm gjatë vitit 1187), ndërsa e udhëhoqën Riçard Zemërluani i Anglisë, Frederik Barbarosa i Gjermanisë dhe Filip Augusti i Francës.
Pas ngujimit dhe bllokimit dyvjetor të Jerusalemit dhe sulmit ndaj muslimanëve nga toka dhe deti, muslimanët pësuan humbje të mëdha nga kryqtarët. Në këtë luftë u mbytën shumë muslimanë, ndër ta edhe 3.000 (muslimanë) të zënë rob.
Pasi që Riçardi me ushtrinë e tij në vitin 1191 e pushton Akrën, urdhëron që robërit e zënë të ekzekutohen. Kështu që pa kurrfarë mëshire u mbytën 3.000 njerëz muslimanë, numri më i madh i të cilëve ishin gra dhe fëmijë. Gjatë nxitjes në këtë masakër makabre, peshkopët kishtar pohonin se “jeta e jobesimtarëve nuk ka kurrfarë vlere”.
Mirëpo, Jerusalemi si qytet i lirë dhe i hapur përsëri mbeti nën kontrollin dhe pushtetin musliman, ndërsa Riçard Leonhart në vitin 1192 i turpëruar u kthye në Angli së bashku me ata që i kishin mbijetuar betejës.
4. Kryqëzata e katërt (1201-1204)
Kryqëzatën e katërt e udhëhoqën feudalët francez nën flamurin e Republikës Mletase. Në këtë kryqëzatë, e cila zgjati prej vitit 1201 e deri në vitin 1204, haptazi u ngrit edhe kisha romano-katolike, edhe atë jo vetëm kundër islamit dhe muslimanëve, por edhe kundër Bizantit dhe ortodoksisë. Kryqëzata e katërt zgjodhi një objekt më të lehtë për të pushtuar dhe përveç faktit që Kostandinopoja ishte në duart e të krishterëve ortodoksë, mundi të arrinte deri aty ku dy kryqëzatat e para kishin dështuar. Rrugës për në Orient kryqtarët e pushtojnë Zarën, ndërsa në vitin 1204 arrijnë në Konstantinopojë dhe e pushtojnë atë.
Pasojat e pushtimit të Kostandinopojës nga kryqëzatat ishin zëvendësimi i mbretërisë Bizantinase ortodokse me atë katolike latine, ndërsa në hapësirat e Bizantit lindën shtete të reja. Kryqtarët arritën të plaçkitin dhe masakrojnë njerëz të cilët nuk mendonin dhe nuk besonin si ata, madje ata i shkatërruan pothuajse të gjitha kishat ortodokse që u gjetën në Azinë e Vogël, e veçanërisht ato në Konstandinopojë.
Të gjitha ato pasuri që u plaçkitën nga kishat e Orientit, u dërguan nëpër kishat katolike të Evropës. Ky akt i kryqtarëve katolikë mjaft e dobësoi Bizantin. Pasojat e pushtimit të Kostandinopojës nga kryqëzatat ishin zëvendësimi i mbretërisë Bizantinase ortodokse me atë katolike latine, ndërsa në hapësirat e Bizantit lindën shtete të reja.
5. Kryqëzata e fëmijëve (viti 1212)
Kryqëzata e fëmijëve ndodhi në vitin 1212. Në këtë kryqëzatë morën pjesë 50.000 fëmijë francez dhe gjerman me shpresë se pastërtia e tyre do të ndikojë në realizimin e qëllimit të cilin nuk kishin mundur dekada me radhë ta arrijnë kryqtarët e moshuar.
Sipas një bindjeje kishtare “Varri i Krishtit” do mund të çlirohej vetëm nga fëmijët pa mëkate, andaj edhe udhëheqësit kishtar i tubuan këta fëmijë me qëllim të realizimit të ëndjes së tyre.
Të gjithë ata fëmijë me anije i kishin dërguar për në brigjet e Egjiptit dhe të Palestinës, madje - sipas disa historianëve - qëllimi kryesor ishte shitja e tyre si robër me qëllim të pasurimit të udhëheqësve kishtar, ashtu siç një pjesë e madhe të atyre fëmijëve i shitën si robër në Tunizi dhe në Egjipt, ndërsa shumë prej tyre vdiqën nga të ftohti dhe uria. Ky është rasti i parë në historinë njerëzore kur janë krijuar formacione ushtarake me fëmijë, meqë Papa kishte siguruar se varrin e Krishtit mund ta çlironin vetëm fëmijët e moshës së mitur, të cilët nuk kishin bërë mëkate.
Ekzistojnë disa versione kontradiktore në lidhje me kryqëzatën e fëmijëve, andaj edhe historianët nuk janë të gjithë të një qëndrimi në lidhje me këtë ndodhi. Polemikat përqendrohen në çështjen se:
- vizioni ishte i një fëmije të cilit ishte parafytyruar se vetëm fëmijët do të mundin ta çlironin “varrin e shenjtë”, sepse ato janë pa mëkate;
- ekspedita është realizuar në drejtim të Italisë Jugore, e jo drejt Orientit;
- ekspedita kishte për qëllim çlirimin e Tokës së Shenjtë;
- kjo ekspeditë kishte për qëllim shitjen e fëmijëve si robër.
Sipas disa studiuesve bashkëkohorë, në vitin 1212 kanë ndodhur dy kryqëzata. Në ndodhinë e parë përmendet një bari me emër Nikolas, i cili në pranverën e vitit 1212 përmes Alpeve drejt Italisë i kishte udhëhequr një grup prej 7.000 fëmijëve, të cilët në muajin gusht kishin mbërritur në Gjenovë. Mirëpo, plani i udhëheqësve kishte dështuar, pasi që disa prej tyre ishin kthyer prapë, disa të tjerë kishin shkuar në Romë, ndërsa një numër mjaft i madh ishin shitur si robër, e kështu asnjëri prej tyre nuk arriti në Tokën e Shenjtë.
Ekspeditën tjetër e kishte udhëhequr një “bari fëmi” i quajtur Stiven de Klojs, i cili kishte pohuar se ka pranuar një letër nga Jezusi për mbretin francez. Ky pohonte se mund të bëjë çudira dhe kështu arriti t’i tubojë rreth 30.000 ithtarë, e që më pas u drejtua në drejtim të Saint-Denis. Sipas urdhrit të Filipit II dhe sipas këshillit të një Akademie në Paris, njerëzit u dërguan nëpër vendbanimet e tyre, ndërsa një numër i madh u shpërndanë. Kështu pra, asnjëri nga këto burime nuk thekson se ekzistoi ndonjë plan drejt Jerusalemit.
Sipas Metju Paris, njëri nga udhëheqësit e “ekspeditës kryqtare të fëmijëve” u bë “Le Maitre de Hongrie”, udhëheqësi i ekspeditës kryqëtare të barinjve në vitin 1251. Krahas të gjitha këtyre aktiviteteve, synimet e Evropës asnjëherë nuk pushuan së planifikuari për pushtimin e Tokës së Shenjtë.
Këtu mund të vërejmë verbërinë dhe fanatizmin fetar kur me këtë rast kishte arritur kulmin e çmendurisë kolektive.
6. Kryqëzata e pestë (1217-1221)
Kryqëzata e pestë zgjati prej vitit 1217 e deri në vitin 1221. Këtë kryqëzatë e nxiti papa Honorije III të cilën e udhëhoqën mbreti hungarez Andria II dhe Ludvigi I. Në këtë kryqëzatë morën pjesë edhe kalorësit më të njohur austriak dhe gjerman.
Kjo kryqëzatë u ndërmor me qëllim që të pushtohet Egjipti nga dinastia muslimane e ejjubidëve. Kryqtarët me rastin e kësaj ekspedite ushtarake e pushtojnë Jerusalemin, mirëpo pas disa ditëve ata u detyruan që të largohen nga këto vise, pasi që kishin pësuar humbje të mëdha edhe në frontet përreth Kajros.
Thuhet se për shkak të skizmave religjioze brenda udhëheqësve kryqtarë ata kishin pësuar humbje të rënda, e kështu u detyruan që të tërhiqen nga Egjipti, ndërsa faktet historike flasin për një mjeshtri mjaft efikase të sulltanit të ejjubitëve në Egjipt i cili kishte planifikuar përmbytjen e disa zonave përreth lumit Nil, e kështu i kishte detyruar armiqtë të tërhiqen andej nga kishin ardhur.
7. Kryqëzata kundër katarëve ose albigenezëve (1209-1229)
Katarë = greq. katharoi = i pastër ishte një lëvizje heretike që u përhap në Evropë ndërmjet shekullit XII e XIV. Ithtarët e këtij sekti quheshin katarë, por edhe albigenezë, nga emri i qytetit francez Albi. Katarët haptazi iu kundërvunë doktrinës katolike zyrtare në përgjithësi, me këtë edhe klerit katolik në krye me papën. Ata e kundërshtonin Kishën dhe pushtetin e Papës, refuzonin krishterimin të cilin e predikonte papa, e mohonin trininë, ferrin, purgatorin etj. Katarët ose albigenezët më të shumtë ishin në Jug të Francës, por më vonë u përhapën edhe në viset e tjera të Evropës.
Kryqëzatat kundër skizmatikëve katarë (albigenezë) mund të ndahen në tri etapa, edhe atë:
- Etapa e parë: 1209-1215, sukseset e kryqtarëve në Langdok atëherë kur në pushtet qëndronte papa Inoçenti i III (1198-1216);
- Etapa e dytë: 1215-1225, humbja e territoreve të pushtuara nga ushtritë kryqëtare të papës – në këtë kohë papë ishte papa Honoriusi III (1216-1227);
- Etapa e tretë 1225-1229, pasojnë intervenimet e mbretërve francez dhe territoret sërish kthehen nën juridiksionin e papës /Honoriusi III (1216 -1227) dhe Gregori IX 1227-1241/.
Jugu i Francës në atë kohë ishte pjesë më e populluar, e veçanërisht në rajonin Langdok që në aë kohë ishte pjesë e konfederatës Katalone-Aragone të mbretërisë së Aragonës.
Atëherë kur në vitin 1198 në pushtet erdhi papa Inoçenti i III, u orvat që ta pengojë zgjimin e katarëve. Së pari ai përdori disa metoda paqësore me qëllim që t’i detyrojë të heqin dorë nga mësimet heretike. Ai dërgoi disa priftërinj për t’i kthyer katarët në besimin katolik, mirëpo këto orvatje nuk patën kurrfarë suksesi.
Rajmondi i Tuluzit refuzon që t’i kundërshtojë katarët, andaj papa e ftoi mbretin e Francës Filipi i II Augustin që të luftojë kundër fisnikëve të cilët i mbrojnë katarët. Mirëpo, mbreti nuk kishte reaguar, pasi që kishte qenë i zënë në ndonjë betejë tjetër.
Sidoqoftë, pas këtyre zhvillimeve, papa urdhëron që skizmatikët katarë të sulmohen në Langdok. Në fillimin e sulmeve kundër katarëve, katolikët kryqtarë pothuajse e shkatërruan tërësisht qytetin Bezijer me 10.000 banorë. Në këtë qytet ata i dogjën edhe katarët e gjallë, por edhe ata të cilët i kishin mbytur. Qyteti Karkason ishte i fortifikuar, mirëpo në gusht të vitit 1209 u pushtua nga ushtritë e papës. Pas qytetit Karkason u pushtuan edhe qytetet Albi, Kastelnodar, Kaster, Fanzho, Limo, Lomber dhe Montreal. Në këto konflikte antiskizmatike të kishës katolike kundër katarëve, pothuajse tërësisht u shkatërruan qytetet Perignan, Narbon, Karkason dhe Tuluz.
Gjatë betejave që vijuan në vitet 1211 dhe 1212, katarët arritën që t’i çlirojnë disa provinca të Tuluzit. Në ndihmë të katarëve erdhi Pjetri i II i Aragonës. Ai erdhi nga Katalonia me qëllim që t’i ndihmojë qytetit Tuluz kundër ushtrive katolike kryqtare. Në një betejë ai mbytet, ndërsa kjo ndodhi mjaft i tronditi katarët. Në vitet 1214 dhe 1215 kryqtarët përparuan në shumë fronte, andaj edhe serish e pushtojnë qytetin Tuluz.
Kryqëzata kundër katarëve (albigenezëve) pati një domethënie të madhe në themelimin e inkuizicionit mesjetar. Pas përfundimit të kryqëzatave kundër skizmatikëve katarë (albigenezë) në Francë, inkuizicioni do të aktivizohet në masë më të madhe, madje edhe pse ende ekzistonin rebelime deri në vitin 1225.
8. Kryqëzata e gjashtë (1228-1229)
Kryqëzata e gjashtë ndodhi prej vitit 1228 e deri në vitin 1229. Këtë kryqëzatë e udhëhoqi mbreti gjerman Fridrih II Hoenshtaufi pa lejen paraprake të papës me qëllim që të sundojë në Tokën e Shenjtë. Në këtë kryqëzatë teplarët refuzuan që të marrin pjesë, pasi që ata në një aspekt përfaqësonin frymën e kishës.
Në të vërtetë kjo kryqëzatë më tepër kishte domethënie diplomatike, se sa ushtarake, pasi që mbreti gjerman Fridrih II Hoenshtaufi arriti sukses në negociata me guvernatorin e Egjiptit al-Kamil (1218-1238) që t’a kthejë Jerusalemin dhe disa zona tjera nën juridiksionin e krishterë.
Më vonë, gjegjësisht në vitin 1244, arabët sërish e çliruan Jerusalemin nga të krishterët evropianë.
9. Kryqëzata e shtatë (1248-1254)
Kryqëzata e Shtatë zgjati prej vitit 1248 e deri në vitin 1254. Organizimi i kësaj kryqëzate filloi nga territori i Francës, ndërsa e udhëhoqi mbreti i Francës, Luij i Nëntë. Kjo kryqëzatë kishte synimin drejt Egjiptit, kur ata edhe e pushtuan vendbanimin Damijet, mirëpo në betejën e Mansurës në afërsi të Kajros mbreti Luigj i IX u zu rob, ndërkohë francezët e paguan me para lirimin e tij.
U bënë mjaft orvatje për kthimin e Jerusalemit, mirëpo të gjitha përpjekjet e kryqtarëve dështuan.
10. Kryqëzata e tetë (viti 1270)
Kryqëzata e tetë ndodhi në vitin 1270, të cilën - ashtu sikur se edhe kryqëzatën e shtatë - e udhëhoqi mbreti i Francës Luji IX. Kjo kryqëzatë filloi me sulmin kundër Tunizisë.
Në këtë sulm u rrezikua qyteti Kajro. Mirëpo, disa paralagje të Kajros ishin të ndërprera me kanale për ujitje, kurse lumi Nil atëherë kishte nivelin më të lartë të ujit, prandaj edhe komunikimi ishte plotësisht i ndërprerë. Kjo ofensivë e kryqtarëve ishte plotësisht e pasuksesshme, sepse ata nuk mundën as të përparojnë e as të kthehen prapa, meqë ishin të bllokuar nga ushtritë muslimane. Në këtë bllokadë ushtrinë krishtere e shfarosi murtaja, kur edhe mbreti Luji i IX u sëmur dhe vdiq. Vdekja e mbretit Luji i IX karakterizohet me atë se ai gjatë vdekjes vazhdimisht përsëriste fjalët “Jerusalemi, Jerusalemi”. Nga kjo ekspeditë ushtarake kryqëtare vetëm një numër i vogël ushtarësh u kthyen në Francë.
Më pas, vëllai i Lujit IX, Karlo I - i cili ishte mbret i Sicilisë - arriti ta pushtojë Tunizinë dhe ta vendos nën protektorat të tij.
11. Kryqëzata e nëntë (1271-1272)
Kryqëzata e nëntë ndodhi gjatë viteve 1271 dhe 1272. Thuhet se kjo kryqëzatë ishte vazhdimësi e kryqëzatës së tetë, me qëllim të pushtimit të Egjiptit, ku atëherë sundonte sulltan Bajbari.
Këtë kryqëzatë e udhëhoqi princi anglez Eduardi, i cili me sukses i mbrojti disa rajone ku administronin të krishterët, gjë që arriti t’ia zgjasë jetën edhe për dy dekada një pjese të mbretërisë së Jerusalemit, gjegjësisht deri në vitin 1291, kur edhe ra Akra - bastioni i fundit i mbretërisë krishtere të Jerusalemit.
12. Kryqëzata e Aragonës (1284-1285)
Kryqëzatën e Aragonës e shpalli papa Martini IV (1281-1285) kundër mbretit të Aragonës, Pjetrit III të Aragonës.
Papa Martini IV i përkrahte anzhuvinët si zotërinj të Sicilisë. Ndodhi një luftë ndërmjet sicilianëve dhe Pjetrit III të Aragonës kundër anzhuvinëve. Atëherë kur Pjetri u bë mbret i Sicilisë, papa e përmbysi si mbret dhe e shpall luftën e kryqëzatës kundër tij, me pretekst se Sicilia është pronë e papës. Papa ia dorëzon Aragonën mbretit Karli III, të birit të mbretit francez Filipit III...
Konflikti në Sicili u zgjerua. Vëllai i Pjetrit III i cili iu bashkëngjitet francezëve sundoi me Majorkën dhe Rusilonën. Me këtë sundim ai vendosi një zonë tampon ndërmjet francezëve dhe Aragonës.
Ushtria e madhe franceze në vitin 1284, nën udhëheqjen e Karlit III, Filipit III dhe Filipit IV hyn në Rusilon. Ushtria numëronte 16.000 kalorës, 17.000 shigjetarë dhe 100.000 këmbësorë. Mirëpo popullata vendase ishte kundër francezëve dhe ata rezistuan. Gjatë këtyre betejave, gjegjësisht në shtator të vitit 1285, flota franceze u shkatërrua afër Barcelonës... Kështu pra, në të gjitha këto beteja ushtria franceze pësoi humbje të mëdha, si dhe e kaploi murtaja.
13. Kryqëzata e dhjetë (viti 1290)
Kryqëzata e fundit dhe e dhjetë me radhë - që për kryqtarët ishte luftë plotësisht e humbur, ndodhi në vitin 1290, atëherë kur muslimanët e çlirojnë edhe kështjellën e fundit të kryqtarëve në Akka.
Këtë kështjellë kryqtarët e kishin mbajtur të okupuar rreth një shekulli, mirëpo duke i shfrytëzuar përvojat e tij luftarake, sundimtari egjiptas i memelukëve Halil el-Eshref Kalavuni në pushtimin e kësaj kështjelle mjaft strategjike përdori 92 katapultë.
Të gjitha luftërat kryqëtare dyshekullore, si në aspektin ideor ashtu edhe në atë materijal - me ndihmën e të gjitha shteteve evropiane, veçanërisht të Francës - i udhëhoqi kisha romano-katolike. Nuk duhet harruar asnjëherë se nga dhjetë kryqëzatat, nëntë nga ato ishin të organizuara pikërisht në territorin e Francës, prej ku edhe drejtoheshin kah tokat e Orientit.
Është më rëndësi të theksohet se luftërat e kryqëzatave vendosën platformën dhe kornizat për inkuizicionin 120 vjeçar (1492-1609) ndaj muslimanëve dhe hebrenjëve të Spanjës, e jo vetëm kaq, por inkuizicioni u drejtua edhe kundër sekteve dhe skizmatikëve të ndryshme të krishterë të cilët vepronin në Evropë.
14. Epilog
Të gjitha ato kryqëzata realizoheshin me pretekst, gjoja për ta “çliruar varrin e shenjtë” të Jezusit (Isaut). Historia tregoi se muslimanët janë ata të cilët shekuj me radhë e kanë mbrojtur më mirë se kushdo tjetër “varrin” apo vendet e shenjta ku veproi dhe predikoi Jezusi (Isau).
Besimtarët muslimanë me plot bindje besojnë se Isau është i Dërguari i Zotit dhe i biri i Merjemes, i cili është i lindur pa baba. Madje, në Kur’anin Fisnik ekziston një kaptinë e cila është e emëruar me emrin e nënës së Isaut, Merjem.
Që këtu, çdo besimtar musliman e ka të ndaluar të fyejë ose t’i minimizojë profetët e Zotit ose Librat e shenjta të ithtarëve të Librit (të krishterëve dhe hebrenjve), madje edhe të religjioneve të tjera, me këtë edhe të “varrit të shenjtë”.
Duke i marrë parasysh të gjitha këto fakte historike dhe ato nga Kur’ani, vërejmë se kryqëzatat assesi nuk kishin arsyetim për ta mbrojtur “varrin e shenjtë”, sepse një gjë të atillë besimtarët musliman e bënin shekuj me radhë.
Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e redaksisë së
portalit www.forumirinorislam.com