Forumi Rinor Islam uron të gjithë shqiptarët me rastin e 28 nëntorit, festës më madhështore të kombit tonë. Kjo festë është simbol që dëshmon autencitetin, kulturën, unitetin, vlerat morale dhe humane të popullit tonë historik.

Nën atmosferën e bukur të përjetimeve të festave të nëntorit, së bashku me urimet, organizata jonë gjen rastin për të përcjellë disa këshilla dhe mësime të dobishme që ngërthejnë në vetvete ngjarjet të cilat fati i përcaktoi të përjetësohen me frymën e gëzimit.

Mes shumë gjërash, këto festa na mësojnë se përplasjet e forta identitare dhe ideologjike në të cilat përfshihemi si komb, shpesh duhet të na orientojnë të shohim këto ngjarje vendimtare të historisë sonë për të na forcuar kuptimin dhe bindjen se Zoti na ka krijuar me qëllim që të sendërtojmë personalitetin dhe identitetit tonë individual edhe shoqëror/etnik për t’i dhënë formë dimensionit tonë të përveçëm, unikalitetit, si një prej vlerave më të çmuara të njerëzimit në histori.

Edukimi i brezave dhe zgjerimi e thellimi i dijes në një shoqëri përbën boshtin e ruajtjes së ekzistencës fizike, vlerore, politike dhe kulturore të një kombi. Këtë na mësuan ngjarjet e mëdha historike të kombit tonë, se dija dhe edukimi formon dhe nxjerr në pah njerëz të mëdhenj me aftësi të jashtëzakonshme luftarake, shtetformuese politike e diplomatike; artikulues të gjuhës, shkencës, memories, marrëdhënieve ndërnjerëzore; njerëz të cilët zotërojnë vizion dhe perspektivë afatgjatë. Dija dhe edukimi garanton vlerat dhe identitetin e një shoqërie, sikurse patën vepruar elitat e shqiptarizmës.

Komponenti fetar dhe moral i një shoqërie në çdo kohë është fryma e cila mban në jetë njeriun dhe komunitetin. Nga feja burojnë pastërtisht vlerat e besnikërisë, sinqeritetit, nderit, sakrificës, drejtësisë dhe unitetit. Prandaj, sot kemi nevojë më shumë se kurrë të mësojmë nga kremtimi i këtyre festave se si dashuria dhe respekti i fesë e moralit edhe i mënyrës së si ato na këshillojnë të jetojmë me veten edhe njerëzit, reflekton në përçimin e kontributit të shumanshëm në shoqëri. Të tillë ishin përgjithësisht rilndasit e kombit tonë, të dashur tek Zoti dhe të dobishëm për njerëzit.