Pyetje:”Vitin e kaluar kreva Haxhin për veten time. Katër vite më parë, më ka vdekur babai i cili nuk falej, por agjëronte dhe jepte zekatin. A më lejohet të bëj një haxh për babanë? Dhe, a më pranohet ky haxh, për shkak se ai nuk falej?”
Përgjigje:”Të mirat e Zotit janë të panumërta, mëshira dhe falja e Tij janë pafund. Padyshim që namazi është më i rëndësishëm se rituali i Haxhit, pasi namazi është një rit ditor që e mban njeriun në lidhje me Zotin. Namazi është shtylla e fesë dhe mos kryerja e këtij riti, është diçka e rëndë. Saqë disa nga dijetarët myslimanë e kanë konsideruar atë që nuk falet si qafir. Sipas mendimit të këtyre dijetarëve, një njeriu të tillë nuk i pranohet Haxhi. Kjo, sepse qafirit nuk i bëjnë dobi veprat e mira dhe adhurimet. Por, shumica e dijetarëve mendojnë që njeriu që nuk falet është gjynahqar dhe shkelës i ligjeve të Zotit. Por nuk konsiderohet qafir veçse nëse e mohon namazin dhe nuk e konsideron detyrë dhe obligim. Ky është mendimi më i drejtë sipas nesh.
Lidhur me namazin, nuk vlen e njëjta gjë si me haxhin, pasi për personin që nuk është falur, nuk mund të falet dikush tjetër, siç ndodh me Haxhin. Bedeli vlen vetëm në rastin e Haxhit, si tolerim dhe lëshim nga ana e Zotit. Në rastin tonë, kemi një prind që nuk ka kryer Haxhin dhe një fëmijë që kërkon ta kryejë haxhin për këtë prind. Problemi qëndron në faktin se nuk e dimë nëse prindi ka dashur ta kryejë Haxhin. A e dëshironte ky prind Haxhin? A ka shprehur ndonjëherë mall dhe nostalgji për tu gjendur në ato vende? Çdo myslimani do i pëlqente t’i vizitojë ato vende të bekuara, sado gjynahe të bëjë.
Gjithsesi, pyetësi mund ta kryejë Haxhin për babanë e tij, të lutet për të që Zoti t’ia falë të metat, ta mëshirojë dhe ta përfshijë në mëshirën e Tij të pafund.
Zoti e di më mirë.
www.onislam.net