Eren Ali, fitues i vendit të dytë në projektin Talentium
Shoqëritë njerëzore arritën deri këtu ku jemi sot, falë vetëdijes që patën për të krjiuar normë.  Norma është produkt i vetëdijes njerëzore, e cila ndikon në rregullimin e sjelljeve të njerëzve në shoqëri. Zgjidhja për të krijuar normë, e cila ti zgjidh problemet sociale, burim e ka diturinë.
Besoj që të gjithë jemi të vetëdijshëm se nxënia e diturisë është njëra ndër problemet kryesore tek të rinjtë sot. E  kanë të vështirë të percaktojnë mësues për rrugën e jetës.
Sakaq, problemi nuk qëndron tek institucionet shtetërore, por tek ne. Ne që nuk ndërmarrim veprim për zgjidhjen e problemit, por vetëm se i ndihmojmë duke dhënë komente të cilat as nuk shërbejnë për ndërgjegjësimin e individit as si zgjidhje për shoqërinë. Përgjegjësia për diturinë na shpie automatikisht në krijimin e normave, të cilat dhe do të prodhojnë zgjidhje. Pjetër Bogdani në një thënie të tij thotë: “Populli nuk do të pësojë duke qenë i ditur.”
Institucioni i ndërgjegjësimit është një institucion abstrakt brenda qenies tonë, i cili kërkon një status të mirëformuar si  janë: parimet, kompetencat dhe integriteti. Brenda këtyre normave ne do të shohim se sa kemi mundësi t’i kontribuojmë vetes sonë, e pastaj ne të jemi produkt shoqëror i një sistemi të suksesshëm.
Duke e shikuar ndërgjegjen si një institucion, nga i cili varet shoqëria jonë, si dhe shteti jonë, ne do të arrijmë ta avancojmë atë, sepse individi përbën shoqërinë, ndërsa shoqëria ka ndikim të pakontestueshëm në personalitetin dhe mendësinë e individit. Duke poseduar një shtet konform normave dhe rregullave, të cilat i kërkon shoqëria e mirëfilltë, do të jemi në paqe dhe me ligjet hyjnore, të cilat jo pak kanë rëndësi në jetën tonë.
Çdo revolucion shoqëror është bërë vetëm atëherë kur populli qe i vetëdijësuar për të keqen që e kanë ushtruar njerëzit, të cilët e kanë shfrytëzuar popullin për përmbushjen e interesave të tyre personale, që ne sot i njohim si politikanë.
Vetëm ndergjegjja është ajo, e cila rrëzoi perandori, përmbysi pushtete diktatoriale me dekada, e çkemi ne që nuk mund të drejtojmë gishtin kah e keqja që na ushtrohet.
Vetëm atëherë kur populli do ta sheh veten si bari i deleve dhe jo si dele të një bariu, do të ketë familje të shëndosha, siguria e të cilave do te jetë norma.
Një histori thotë kështu: Tek populli i një monarku, që ishte sundimtar i drejt e vigjilent, një plakë dashakeqe bëri magji tek burimi i ujit. Magjia ishte për t’i bërë të çmendur dhe pas pirjes se ujit të gjithë u çmendën, përpos monarkut. Populli nga ndikimi i magjisë u ngrit në revolucion kundër monarkut të drejtë. Ndërsa ai për ndëshkim zgjodhi të pijë ujë po nga i njejti burim dhe u çmend. Kështu revolucioni u shua, dhe jeta vazhdoi si më parë.
Neve, që po na mbyt përçarja për shkaqe ideologjike, e filozofike, mos vallë Zoti na kufizoi të “pimë ujë vetem nga një burim” !?  Kur nuk kemi as fakte as njohuri për cilësinë e ujit që po e pimë, si mund të jemi fanatikë e të pretendojmë se kemi “burimin më të mirë”!?
Mungesa e institucioneve shpirtërore çon në degradimin e institucioneve shtetërore. Paqja me veten dhe shoqërinë do të vijë vetëm atëherë kur do të ndjejmë pergjegjësi për institucionin.
Ta ngrisim veten tonë, familjen e shoqërinë tonë. Institucioni jemi ne dhe vetëm ne.