Qumështi është me çmim më të lirë sesa çmimi i një shishe me lëng të gaztë, edhe pse qumështi është shumë më i dobishëm sesa lëngu në fjalë. Njerëzit sërish largohen prej qumështit dhe pinë këso lëngjesh jo aq të dobishme për shëndetin, madje shpesh të dëmshme shumë.
Leximi është më i mirë sesa llafosja pa vlerë, edhe pse njerëzit më me kënaqësi llafosen e përgojojnë sesa lexojnë.
Kursimi në rast dasme është shumë më i duhur sesa harxhimi i tepërt përgjatë dasmës, edhe pse njerëzit gjithnjë e më shumë janë të prirë të harxhojnë “për inat të fqinjit”, edhe pse shpenzimet duhet t’i mbulojë prodhuesi i inatit dhe jo fqinji!
Shkuarja për t’i kontrolluar dhëmbët në një klinkë dentare është e pëlqyer krahas shkeljes së shpeshtë nëpër sallone të floktarisë. Fjala vjen, një mik imi në Tiranë më tregon se heqja e një dhëmballe kushton 1.000 lek ose 7 euro, edhe pse me t’ia kumtuar këtë çmim pacientave, dentisti vëren një vrenjtje të pacientave në fytyrë, duke i dëgjuar të thonë ata  se shumë shtrenjtë qenka heqja e një dhëmballe. Me këtë sjellje, këta lëre që nuk e vlerësojnë punën e një stomatologu, por këta e zhvleftësojnë rëndësinë e shëndetit të dhëmbëve të tyre. Ndërsa në anën tjetër me kënaqësi një femër shpenzon 15 euro vetëm për zgjatim të thonjve, 15 euro vetëm për ty (për)lyer flokët dhe meshkujt nga 3 euro çdo ditë i harxhojnë vetëm për duhan.
Kjo paraqitje është vetëm një argument se si vlerat në shoqërinë tonë qëmoti i ka marr lumi, andaj të drejtit dhe punëtorët të mos brengosen gjithaq për këtë katandisje, sa të kalojnë në shtretërit e amullisë, por t’i shpallin luftë intelektuale këtyre dukurive të këqija, me shpresë se një ditë do të mposhtet kjo mbretëri e së keqes!