Zubejda Murtezi, ekonomiste e diplomuar

Çdo thellësi është e errët përveç thellësisë së shpirtit, të cilën plotësisht ia dorëzoj Zotit të Gjithëditur dhe prej fjalës së Tij marr dritën e mjaftueshme. Ishte ditë gushti kur unë vendosa mbulesën dhe ajo ditë shënoi nismën e revolucionit tim shpirtëror. Ndonëse është një vendim tejet i rëndësishëm, i padiskutueshëm, gjithçka nuk përfundon me kaq. Përkundrazi, ballafaqimi me botën e brishtë fillon pikërisht më pas. Them e brishtë, pasi femrën me mbulesë e konsideroj si qenien më të fortë, më të qëndrueshme, më të sigurt e më të mbrojtur dhe kjo botë do të mbetet gjithmonë e brishtë, karshi vendosmërisë së një trimneshe.

Megjithse jetësojmë shekullin e “demokracisë” dhe “lirisë”, femrat me mbulesë ende kanë shumë sfida të cilat i hasin në këtë rrugëtim. Porse, janë pikërisht sfidat të cilat neve na bëjnë më të qëndrueshme dhe më të bindura se mbulesa është zgjidhja e duhur. Shumë profesorë e akademik mendonin se mos vallë gabimisht gjendem në amfiteatrin e universitetit. Sigurisht se për shkak të paragjykimeve të shumta që ekzistojnë, në sytë e shumë njerëzve, një femër nuk mund të jetë edhe intelektuale edhe me mbulesë. Por falë Zotit, suksesi i femrave me mbulesë që kanë vullnet për punë sot veçse është i dukshëm nëpër universitete e institucione të ndryshme dhe asgjë nuk mund të jetë më e fortë dhe më bindëse se argumenti.

Në rrugëtimin tim të deritanishëm me mbulesën time, rrugëtim ky deri në Pafundësi, më ka bërë të kuptoj se mbulesa në të shumtën e rasteve ka qenë këshilluesi im më i mirë, dalluesi i të mirës dhe të keqes, flamuri i islamit që unë e mbaj me krenari. Ajo është lumturi, kënaqësi, motivim, vullnet dhe mbi të gjitha, është dashuri.

Mbulesa ime është lidhshmëria me Zotin Fuqiplotë dhe mesazhi im i pafund.