Lidhja përmes ‘simbolit’

Ndryshe prej modelit sllav të Maqedonisë, shqiptarizmi është ndërtuar nga rilindësit mbi ekuilibrin trefetar, që detyrimisht nënkupton përjashtimin e një feje specifike nga parësia e identitetit shqiptar. Të nisur nga kjo paradigmë e pakontestueshme duhet të supozojmë që për eksportimin e identitetit kombëtar në Maqedoni elitat intelektuale do të ndjekin shembullin rilindës. Madhërimi i Skënderbeut, përballë Aleksandrit të Madh, rrugëton pikërisht në këtë drejtim, pasi ështëpranuar në cilësinë e simbolit të qëndresës: pranimi dhe simboli dëshmojnë ndërtimin e kontaktit të tërthortë me personazhin historik. E nuk kishte si të ishte ndryshe për shqiptarët përtej Shqipërisë.
Përfytyroni për një çast përshkrimet e Barletit në Historia e Skënderbeut – që është njëkohësisht “sajues” dhe “burim i besueshëm” për historiografinë tonë – mbi veprimtarinë fragmentare të Skënderbeut në Kosovë–Maqedoni. «Kështu, të gëzuar, secili po e ndiqte për të marrë shpërblimet e merituara të shërbimit të gjatë në ushtri […]. Prandaj princërit fqinjë i quanin shpesh me shaka viset armike [në këtë rast Maqedonia perëndimore] “thesare të Skënderbeut” […]. U mor me plaçkitje dy ditë resht […]. U vranë një numër i madh kolonësh [që përkthyesi Stefan Prifti i konsideron thjesht si banorë], me përjashtim të atyre që ishin të krishterë, por edhe këtyre, përveç jetës e lirisë s’u la asgjë tjetër». Një situatë analoge Barleti – dhe jo ndonjë “serb dashakeq”, “kronist turk” apo ndonjë “albanolog sharlatan” – rrëfen dhe në “Shqipërinë” e atëhershme, në zonën e Nënshkodrës (1448): «pasi lëshoi në katër anët kalorësinë, ai [Skënderbeu] prishi çdo të mbjellë në fushë dhe shkatërroi e zhduku krejt gjithë vreshtat; çdo pemë frutore pothuajse u sheshua. Fshatarët, që u derdhën kundër, më të shumtët u vranë». Po kështu ndodh edhe gjatë inkursionit në Kosovën “armike” të banuar (edhe) me shqiptar.
Nëse do të vlente kontakti direkt dhe historik, (minimumi) për shqiptarët e Maqedonisë dhe Kosovës Skënderbeu nuk do të ishte hero, prandaj lidhja e krijuar është simbologjike, në emër të qëndresës për liri, fakt i cili e vendos në piedestalin e kultit të heroit, aq i domosdoshëm në konsolidimin e «identitetit kolektiv». Krijimi i heroit kombëtar i përket Rilindjes, ndërsa sot panteoni është zgjeruar me kulte të tjera që në disa raste nuk ndjekin dogmën e nacionalizmit, ndonëse nga ai justifikohen. Emri i Pjetër Bogdanit, ndër të tjerë, qëndron i sforcuar në këto pozita.

Mjeti gjuhë

Përpara shtjellimit të rastit konkret, dua të nënvizoj që me emrin e Bogdanit abuzohet nga dy ekstremet dhe që, fjala bie, akuzat për antishqiptarizëm drejtuar mendimit ndryshe nuk janë tjetër veçse etiketa të cilat zëvendësojnë argumentet: historiografia nuk ndërtohet me stigma, ndërsa ne vazhdojmë të mos e pranojmë konfrontimin duke u fshehur në llogore, që, ndonëse janë të krijuara, paradoksalisht pretendohen të përjetshme dhe të pandryshueshme.
Si fillim duhet thënë se, ndryshe nga interesat politike të prijësve arbër të shek. XV, Bogdani krenohet me raportin me serbët, madje, ka gjasa, i transformon origjinat duke sajuar lidhje hipotetike me themeluesin e dinastisë Nemanjiç, siç e kam cituar në një artikull tjetër. Nënkuptohet që marrëdhënia me serbët i jep investiturën aristokratike familjes së tij. Aleanca politike me patriarkun Arsenije vjen më natyrshëm ashtu si përdorimi i «predica in illirico» (predikimi në “serbisht”) për banorët sllavë.
Përdorimi i gjuhës ndërlidhet me misionin dhe prozelitizmin fetar. Ky rrol është thelbësor për të kuptuar drejtë veprimtarinë e Bogdanit, pasi, në të kundërt, i shkëputur nga misionarizmi fetar ai dekontekstualizohet. «Jemi përpjekur me këmbëngulje t’i gjejmë ato libra [katekizmi], përmes të cilëve misionarët e famullitarët do të mund të triumfonin ndaj errësirës së injorancës dhe t’i shërbejnë fesë së shenjtë, ngase shumë prej tyre [klerikëve] nuk e kuptojnë as atë që thonë gjatë pagëzimit» – shprehet Bogdani në një relacion. Librat L’evangelij in Albanese (mbase Meshari i Buzukut), Il spechio spirituale in Albanese (përkthyer nga Specchio di confessione i Emerio de Bonis), Il rituale romano in AlbaneseLa doktrina piccola in Albanese (përkthyer nga origjinali Dottrina Christiana e Bernardo da Verona), të gjithë rigorozisht konform censurës së Indeksit, së bashku me Dottrina cristiana e Pjetër Budit, konsiderohen nga Bogdani, sipas At Jak Marlekaj, «të domosdoshëm për formimin e klerit».
Shqetësimi parësor ishte varfëria në literaturën fetare: «Shqipëria ka mungesë të madhe dhe është thuajse pa libra [fetarë] në gjuhën e vet, aq sa populli i verbuar nga injoranca jeton në gabime dhe abuzime, [madje] rrezikon edhe bazat e fesë së shenjtë». Bogdani shpresonte të merrte lejen e botimit të librit të vet duke u përpjekur të bindte Kongregacionin me idenë se ajo «do t’i forconte lidhjet e të krishterëve me fenë e shenjtë dhe do të mundësonte konvertimin e panumërt të turqve [myslimanëve] malësorë». Kërkesa e Bogdanit e vitit 1675 për «shtypjen e disa librave shqiptarë» nuk u pranua nga Kongregacioni.
Disa dekada me përpara, në kulmin e veprimit të Kundërreformës, Pjetër Budi shkruante se «tue paam se gjuha jonë asndonjë letër të msuom se ka me të cije të mundeej ndërta me i ndihmuam feeja e Krishtit, zuna fill […] nktheve këtë shinte Doktrinë», sepse «doktrina mbë këtë arësye vuum e ndërequnë për ndihmët e të mpsuomitë t’kërshtenëve». Bogdani nuk doli dot nga kjo skemë. Lëvrimi i gjuhës në emër të dijes apo të kombit ndryshon shumë nga konceptimi i saj si mjet i pashmangshëm në funksion të prozelitizmit. Duke qenë ky i fundit qëllimi në vetvete i misionit të Bogdanit, heroizmi përqendrohet tek shërbimi fetar.

Hero kombëtar pa komb

Në angazhimin e tij politik Bogdani priret të dëbojë sundimin osman aty ku nuk mundet ta shfrytëzojë për misionin e Propagada Fide. Mirëpo nuk është dëbim me synim çlirimin e territoreve shqiptare, siç nuk mund të quhet çlirim hyrja e trupave gjermane në Shqipëri pas armëpushimit të gjeneralit Badoglio (1943).
Angazhimi më jetëgjatë në raportet politike regjistrohet me Venedikun. Që në vitin 1666 vikari i dioqezës së Shkodrës, Pjetër Trumshi, informonte Romën se gjatë vizitës për në Papat Bogdani ishte ndalur dy herë në Venedik për të tërhequr – sipas Trumshit – shpërblimin e informacioneve të dhëna në prag të luftës së Kandias. Aty kishte qëndruar më shumë se dy muaj. At Marlekaj sjell në vëmendje këtë «detyrë kaq të randë [vështirë]» nga dëshmia e Zan Francesco Oria: «me letërkëmbimin që mbante me pashain e Shkodrës [“mik” i Bogdanit] nxirrte informacione të rëndësishme». Catarin Cornaro, gjenerali për Dalmacinë, konfirmon relacione të tjera të ngjashme të Bogdanit, akoma më të detajuara rreth vendndodhjes së garnizoneve osmane, numrit të ushtarëve, fortifikimeve, etj. Në  fund, At Marlekaj, duke komentuar Testamentin e tij, arrin në konkluzionin se shuma e konsiderueshme prej tre mijë dukatesh, e depozituar në Venedik, që i mbetej jezuitëve të Bohemisë, «përfaqësonte, ndoshta, shpërblimin e shërbimeve që për kaq vjet Bogdani […] i kishte bâ Shumë të Kthjelltës». Megjithatë, libri i at Marlekajt duhet trajtuar me kujdes, pasi autori nuk shkëputet dot emocionalisht nga përshkrimet e personazhit Bogdani: kështu, nga njëra anë ai e “transformon” në informator të Venedikut, nga ana tjetër i gjykonreagimet osmane ndaj arqipeshkvit si «përndjekje mizore», pastaj i shtrin ato në rrafshin fetar kolektiv dhe anashkalon lojën politike të Bogdanit nga ku buronte reagimi i autoriteteve osmane.
Pozicionimi i Bogdanit gjatë konfliktit mes Perandorisë habsburge dhe asaj osmane natyrisht anon nga Vjena, e cila dërgoi trupat në trevat e Kosovë-Maqedonisë me synim pushtimin e atyre territoreve. Me pak fjalë, një sundim do të zëvendësohej nga një pushtim, dhe ky kalim pushtetesh vlerësohej nga Bogdani për shkak të fasadës fetare. Ishte një pushtim i mirëfilltë, me shkatërrime, djegie, plaçkitje, vrasje e nënshtrim.
Forcat e Piccolominit pasi hynë në Shkup «plaçkitën ato gjera që nga nguti i madh kishin lënë aty të ikurit dhe me to u shpërblye dhe u ushqye lodhja e mundimshme e reparteve ushtarake», pastaj «Piccolomini, si e gjykoi se ai qytet ishte e pamundur për t’u mbrojtur, urdhëroi të rrënohej prej flakëve». Po flasim për qytetin më të madh “shqiptar”. Së bashku me «pesë mijë forca», Bogdani, i cili mbante «uno stendardo effigiato colla Santissima Croce», e priti në Prizren me ceremoni festive. Aty Piccolomini njohu vasalitetin e krerëve.
Zëvendësimi i nënshtrimit fetaro-politik shoqërohet jo vetëm nga mungesa e ndonjë shfaqjeje të identitetit kombëtar, për të cilin është akoma herët, por edhe nga mospërputhja e “identitetit etnik” – si pararendës i ndjenjës kombëtare – sipas botëkuptimit të Bogdanit me etnicitetin shqiptar në vetvete. Anthony Smith e përkufizon etninë me gjashtë tipare thelbësore, nga emri përbashkët i grupit, miti i origjinës, historia e përbashkët, një sistem kulturor specifik, territori dhe përkatësia ndaj komunitetit (identiteti). Që të flasim për etni, pra, nevojiten këto tipare grupuese, të cilët, natyrisht, janë elemente të ndryshueshme në kohë, por ajo çka mundëson kohezionin është përfshirja e transformimeve.
Siç u pa më lart, kuptohet që etnia shqiptare e Bogdanit është ekskluzivisht fetare. Në këtë grup nuk ka vend për skizmatikët ortodoks dhe shqiptarët mysliman, bagazhi i tyre kulturor nuk përfshihet në sistemin kulturor të grupit të Bogdanit, territori i tyre është i huaj. Jam plotësisht dakord me vërejtjen që ai ishte konteksti dhe Bogdani ishte në unison me formimin e tij kulturor. Mirëpo sot konteksti është tjetër, aq më tepër ai i Maqedonisë, dhe është e pamundur të përputhen dy realitete vetëm e vetëm se dikujt i nevojitet që Bogdani të rrënjoset në panteonin kombëtar.
Si mund t’i kërkohet shqiptarit të sotëm të Shkupit “beso në kultin e Bogdanit”, kur ky mirëpriti me flamurin fetar forcat që dogjën Shkupin, iu nënshtrua një sundimi zëvendësues (dhe të huaj) e pasi këto, pra shqiptarët e sotëm, do t’i konsideronte si turq? Mund të realizohet nëse shqiptarët e sotëm të Maqedonisë i përshtaten kontekstit të Bogdanit duke ndryshuar besimin. Atëherë e kotë që flasim për ideale rilindëse, kombi shqiptar na qenka tradicionalisht monofetar.
Sidoqoftë, ka një pengesë të pakapërcyeshme. Në asnjë vend të botës identiteti kombëtar nuk u krijua në periudhën dhe me botëkuptimin e Bogdanit. Identiteti shqiptar është produkt i Rilindjes, atëherë kur personazhe të besimeve të ndryshme i dhanë përparësi kombit, duke realizuar atë që Bogdani nuk mund ta konceptonte dot në shek. XVIII dhe në objektivin e tij misionarist. Pikërisht rilindësit veshën Skënderbeun me simbolikën e qëndresës, pasi ai kërkoi ndërtimin e një shteti arbëror dhe jo ripushtimin, vendosi në themel interesat politike dhe jo ato fetare, vinte nga një eksperiencë plurifetare dhe vetë banorët që sundonte nuk ishin uniform në besim, shfrytëzoi – dhe u shfrytëzua – raportet me Venedikun në funksion të projektit politik dhe jo në funksion të monopolit kishtar. Është heroi i kombit, përballë heroit të fesë. Ec e kuptoje se si ky i dyti eksportohet tek shqiptarët e Maqedonisë pasi eksportuesit, për ironi, i kanë fajësuar si tepër të lidhur me identitetin fetarë. Ngërçi tejkalohet duke ia njohur meritat në fushën fetaro-letrare.