Nuk kuptohet se kush është rektori e kush sportelisti, kush udhëheqësi e kush asistenti, kush ndërkombëtari e kush vendori. Për tre ditë trajnimi, gjithë të punësuarit e UEJL-së ndjehen të barabartë
Igori dhe Dejani nuk u mund ta kishin imagjinuar më parë se si “profesorë me nam” do pushtojnë një ditë sallën e restorantit ku ato punojnë për “të bërë lojëra fëmijësh”. Më pak i ndrojturi prej tyre, Dejani por edhe pak më i ri në moshë se i pari merr guximin dhe i drejtohet Zamir Dikës, rektorit të Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovës (UEJL). “Mirë, gjithë këta profesorë te mëdhenj s’keni me se të merreni, por bëni lojëra si të ishit fëmijë çerdhes”, pyet me gjysmë shaka kamerieri. Loja që në fakt ishte caktuar të bëjnë këtë vit, ishte ndërtimi i “Anijes përrallore”. Për të realizuara këtë aktivitet të përbashkët, akademikët dhe administratorët ishin shpërndarë nëpër tavolina, në mënyrë të rastësishme, sipas numrave që kishin tërhequr paraprakisht dhe pa ditur se çfarë “surprize” do t’ju sjellin ato. Të gjithë në aksion, për të konstruktuar anijen më të mirë, e për këtë nuk mjafton vetëm pamja, por edhe gjetja e një emri i cili duhet të përkojë me specifikacionin dhe esenë që shkruhet për të, si dhe qëndrueshmërinë në ujë.
Gara fillon shpejtë, sepse kanë vetëm një orë në dispozicion për të dëshmuar se sa janë të shkathët në mjeshtërinë e ndërtimit të anijeve. Krahas atmosferës së bashkëpunimit, solidaritetit me njëri-tjetrin nuk mungojnë as shakatë dhe shpotitë politike. Të gjithë dëshirojnë të ndalen pak më gjatë në tavolinën ku punohej anija që në grup kishte profesorin Izet Zeqirin, ish-deputetin e RDK-së.  “Kjo është anija e cila do të shënojë fundosjen e një partie politike”, thotë me humor Demush Bajrami, gjithashtu ish-deputet e aktualisht koleg me Zeqirin në UEJL. E si për ters, në garën e ujit “Titaniku” nuk rezistoi, u fundos.  “Partitë edhe mund të fundosen, por individët mbesin”, përgjigjet Zeqiri, duke bërë analogjinë me anijen ky ishe shënuar ky mesazh: Shteti si anije, koha si deti, populli si era, qeveria si vela! Gjatë përvojës disavjeçare në hotelin “Biser” buzë liqenit të Strugës, kamerierëve nuk u kishte rastisur kurrë më parë që të shihnin akademikë e administratorë që sillen aq lirshëm me njëri – tjetrin. Nuk kuptohet se kush është rektori e kush sportelisti, kush udhëheqësi e kush asistenti, kush ndërkombëtari e kush vendori. Për tre ditë trajnimi në vit gjithë të punësuarit e UEJL-së janë të barabartë në kuptimin e plotë të fjalës. Të gjithë i nënshtrohen trajnimit profesional pa përjashtim, ashtu sikurse të gjithë bëhen protagonistë të lojës dhe argëtimit. Deri në momentin e fillimit të lojës askush nuk din asgjë, kurse Heather Henshaw, këshilltarja ekzekutiv për performancë dhe cilësi në UEJL ishte kujdesuar që këtë vit loja dhe argëtimi të silleshin rreth anijes. Pas përfundimit të programit trajnues, festa niste në mes të liqenit, kuptohet në anije të vërtetë. Muzika dhe kërcimi mbaron në orët e vona, në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, në net të bukura verore, me mikpritjen dhe qetësinë që di të dhurojnë pa kursyer liqeni i Strugës.
Trajnimet e stafit administrativ dhe akademik të UEJL-së janë të obligueshme, pasi kjo e fundit është në plan të parë. Për këtë gjatë ditëve të qëndrimit organizohen punëtori në grupe të veçanta, ku ligjërues të jashtëm thirren për të trajnuar ekipet sipas specifikave të punës që ushtrojnë. Prezantohen analiza e hulumtime të punës për vitin e kaluar akademik, propozohen strategji për vitin e ardhshëm. Diskutimet dinë të bëhen edhe shumë serioze, të shpalosen argumente dhe kundër-argumente, që ndonjëherë dalin edhe jashtë sallave të punëtorive. Por, në freskinë e valëve të liqenit dhe në një ambient relaksues era merr me vete edhe ndonjë hatër -mbetje të momentit. Në fund të gjithë mbeten miq, fundja kanë udhëtuar me kilometra dhe janë në Strugë për t’u argëtuar, ndërsa shumë shpejtë do të rikthehen në vendet e tyre të punës, në Shkup apo Tetovë, ku UEJL ka programet e veta studimore. Viti akademik 2014/2015 është në prag dhe që të gjithë i pret shumë punë, por për dallim prej trajnimit në Strugë, tani të veshur me petkun e zyrtarit dhe hierarkisë. JON-i sikurse u quajt punimi që fitoi çmimin e “Anijes përrallore”, shpresojnë të jetë ugur i bardhë për vitin që vjen. Ajo, tanimë nuk na shënon kohën kur detet ktheheshin në “male me njerëz” në kërkim të ëndrrës së madhe evropiane… Pasi UEJL dhe JON-i, sikurse qëndron në mesazhin e kësaj të fundit, lundrojnë të sigurt në vlerat dhe standardet evropiane, duke sjellë pranë nesh një pjesë të Evropës./koha/