LDK fitoi qytetet kryesore por jo edhe qytetin më kryesor. PDK duhet të kënaqet me disa qyteza, derisa AAK, që u shtrëngua kaq shumë në kraharorin e PDK-së, duhet të kënaqet me një qytetet e pastra si Deçani e Juniku dhe një qytet të ndotur si Obiliqi. Behgjet Pacollit, pas kaq shumë pritjesh, iu plotësua dëshira që ta fitojë një komunë, por qytetarët ia dhanë dy të mëdha. E fundit në listë, por jo për nga pesha Lëvizja Vetëvendosje, humbi në mbarë Kosovën por e mori më të bukurën, atë që e lakmojnë të gjithë – kryeqytetin.
Balotazhi i së dielës i cili ka befasuar shumëkënd me rezultatin, ka ridizajnuar hartën politike të vendit duke ua marrë partive politike kryesore disa komuna ku kanë pasur primat, derisa AKR-ja e Behgjet Pacollit dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë dalë si dy fituesit më të mëdhenj.
Pacolli ka shënuar fitore në Gjakovë dhe Mitrovicën e Jugut, derisa Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit ka fituar kryeqytetin – me gjasë përkundër të gjitha parashikimeve.
Kështu aktualisht Partia Demokratike e Kosovës udhëheq me 10 komuna (Prizren, Skenderaj, Kamenicë, Kaçanik, Vushtrri, Gllogovc, Klinë, Rahovec, Dragash, Shtime).
Ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës udhëheq me 9 komuna (Pejë, Istog, Suharekë, Gjilan, Podujevë, Lipjan, Ferizaj, Fushë Kosovë, Viti).
Të dy partitë edhe të dielën kanë bërë deklarata me të cilat kanë konfirmuar se janë partia më e madhe në vend.
Kështu Memli Krasniqi i PDK-së ka thënë se partia e tij ka 10 mijë vota më shumë se LDK. Ndërsa Isa Mustafa i cili ka marrë goditje të madhe në Prishtinë po ashtu ka thënë se LDK është partia më e madhe. AAK ndërkaq sa për të dalë pak nga Rajoni i Dukagjinit ku ka fituar Deçanin dhe Junikun, ka triumfuar edhe në Obiliq. Aleanca Kosova e Re e Behgjet Pacollit ka arritur t-i fitojë dy komuna, Gjakovën dhe Mitrovicën e Jugut.
Vlen të theksohet se Malishevën do ta udhëheq IQM-ja, një subjekt që mbështetet nga Fatmir Limaj. /Express/