Pyetje:”Unë dhe nëna nuk e kemi kryer haxhin deri tani. Unë i kam mundësitë si fizike ashtu dhe ekonomike për ta kryer këtë obligim, por kam frikë se nëna zemërohet nëse nuk shkon në haxh ajo e para. Të shkoj në haxh bashkë me të, e kam të pamundur ekonomikisht. Çfarë duhet të bëj? A më pranohet haxhi po të shkoj para nënës? Apo t’ia mundësoj nënës këtë vit dhe më pas të shkoj vetë?”
Përgjigje:”Haxhi është një obligim për të gjithë ata që e kanë të mundur. Në rastin tuaj, nëna nuk i ka mundësitë ekonomike për të kryer Haxhin, për këtë ajo nuk e ka obligim dhe Zoti nuk ia kërkon këtë. Ajo duhet të mos e ngarkojë të birin me detyrime që nuk i përmbush dot.
Nëse ju personalisht jeni të mundur ta përmbushni këtë detyrim tuajin, e keni obligim që ta kryeni sa më shpejt. Është e vërtetë që dijetarët kanë mospajtime lidhur me Haxhin nëse është obligim që duhet kryer menjëherë me t’u krijuar mundësitë, apo që pret. Shumica e dijetarëve mendojnë se është një obligim që duhet kryer menjëherë me t’u krijuar mundësitë. Ndërkohë që disa të tjerë mendojnë që është obligim që mund të shtyhet, edhe pasi janë krijuar mundësitë. Por që nëse i ka mundësitë, e vonon haxhin, më pas ngushtohet ekonomikisht dhe i vjen vdekja, ai konsiderohet si gjynahqar.
Bazuar mbi këtë, nëse njeriut i krijohen kushtet për të kryer haxhin dhe i jepet rasti, duhet të shpejtojë ta kryejë dhe mos e vonojë. Thotë Profeti a.s:”Shpejtojeni Haxhin pasi askush nuk di çfarë e pret.” Sot mund të jesh i sëmurë, por nesër sëmuresh. Sot je i ri nesër plakesh, sot je i gjallë nesër mund të vdesësh, sot je në gjendje të mirë ekonomike, nesër mund të jesh ngushtë. Askush prej nesh, nuk e di çfarë i ka rezervuar koha dhe askush nuk e di çfarë do i ndodhë nesër. Prandaj, nëse njeriu është në gjendje të mirë ekonomike e cila ia mundëson kryerjen e Haxhit, duhet të shpejtojnë ta kryejë këtë obligim. Nëse pyetësi i përballon shpenzimet e tij por jo edhe të nënës, ai të kryejë obligimin e tij fillimisht dhe t’ia bëjë të qartë që me të mbledhur shumë e duhur, do të shkojë dhe ajo në haxh. Veç kësaj, është mirë që t’ia bëjë qejfin me dhurata nga Haxhi, të mos qëndrojë gjatë në haxh etj…
Por, nëse pyetësi kërkon t’i bëjë qejfin nënës duke e dërguar atë në haxh para vetes, kurse haxhin e tij ta vonojë derisa të mundet, nuk mendoj se konsiderohet gjynahqar. Madje, mendoj se ka bërë një akt që vlerësohet.
Zoti e di më mirë.
Dr. Jusuf Kardavi
www.onislam.net