Nuk e befason askënd më fakti që Maqedonia nuk merr as datë e as përmendet në konkluzat e Samitit të Bashkimit Evropian që mbahet këto dy ditë  në Bruksel. Edhe pse para disa muajve pas vizitës së euro-komisarit Stefan Fule, me shumë entuziazëm dhe vetëbesim nga Qeveria u paralajmërua se “në më kemi marrë datën” por ka mbetur vetëm çështja me Greqinë, sot duket që edhe ky ishte një iluzion i radhës. Kush i ka fajet?
Përgjegjësinë për bllokimin, disa e shohin vetëm tek Greqia dhe konteksti i pazgjedhur i emrit. Për të tjerët, arsyeja janë detyrat që nuk kemi arritur t’i përmbushim.
Këtë e pranon dhe vetë zv/kryeministri për çështje evropiane.
“Kur shtrohet pyetja se kush është përgjegjës, unë do të thosha, institucionet tona”, tha Fatmir Besimi para deputetëve në Parlament.
“Nuk është asnjë befasi dhe nuk do kishim pritur epilog tjetër duke e ditur se çështja e emrit nuk është zgjidhur si dhe u krijuan probleme serioze demokratike në vend të cilat përkeqësuan përmbushjen e kritereve politike të nevojshme për aderim në BE. Nuk kishte reagim adekuat për pastrimin e incidentit të 24 dhjetorit. Dëshpërues është fakti që secilin vit shohim se vendet e tjera përparojnë ndërsa ne stagnojmë. Ende nuk kemi të fundit, por si kemi nisur, do të bëhemi” tha Malinka Jordanova nga Instituti për politikë evropiane.
“Në terrenin e euro-integrimeve nuk duhet lejuar që të udhëhiqen nga agjendat partiake, duhet të jenë të unifikuar VMRO dhe BDI si dhe presidenti. Ata e mbajnë përgjegjësinë për këtë dështim” theksoi ajo.
Ndërkohë, profesori Bekim Kadriu është i mendimit se arsyeja kryesore është mos-zgjidhja e kontestit me Greqinë.
“Jo që Maqedonia nuk ka probleme tjera por problemi me fqiun është ai kryesori. Greqia në bazë të rregullave të brendshme që i kanë në BE dhe NATO mund ta bllokojë Maqedoninë dhe për këtë mos mbajë asnjë përgjegjësi. Prandaj, BE insiston më marrëdhënie të mira fqinjësore dhe kjo tani më është bërë kriter anëtarësimi e jo vetëm çështje bilaterale” thotë Kadriu.
“VMRO nuk ka ndërruar qasjen, është e painteresuar për euro-integrimet dhe kjo dëshmohet nga vet fakti që insistojnë në vijat e kuqe për mos ta zgjidhur çështjen e emrit, kjo domethënë bllok të aderimit në BE, edhe pse në mënyrë deklarative shprehen se janë pro integrimeve.
“Nga ana tjetër është pozitive që BDI fillon të reagojë, që bën presion për emrin, është pozitive deklarata e Fatmir Besimit dhe atë e shoh në këtë drejtim, ajo është objektive dhe reale, dhe nuk jemi mësuar me deklaratat të tilla nga VMRO. Kjo është një presion që domethënë, zgjohuni të punojmë për euro-integrimet” thotë profesori Bekim Kadriu.
VMRO nuk pranon fajin por kërkon atë te Besimi, kështu që Antonio Milloshoski, ish Ministër i Punëve të jashtme, ka kërkuar nga Fatmir Besimi, zëvendëskryeministër për eurointegrime, që të mendojë për dorëheqjen.
Nga ana tjetër Serbia do ti fillojë bisedimet për anëtarësim në BE më vonë deri në janar 2014.
Për ish zv/kryeministren për euro-integrime Radmilla Shekerinska, lajmi që Serbia do t’i fillojë bisedimet para Maqedonisë është dekurajues. /Portalb