Dekada e dytë e shekullit XXI-të do të mbetet e shënuar në histori, si periudhë kohore në të cilin Lindja e Afërt është përfshirë në flakën e luftës si kurrë më parë. Afganistani, Iraku, Siria, Libia, Jemeni janë në luftë klasike, e kohëpaskohe konflikte apo aksione tjera luftarake po ndodhin edhe në Egjipt, Tunizi, Liban, Palestinë, Bahrejn, Pakistan etj. Shkaqet mund të jenë të shumta për këtë periudhë në të cilin po kalon Lindja e Afërt, por janë katër shkaqe themelore sipas meje të cilët e kanë shkaktuar një gjendje kaotike të tillë . E para, rivaliteti gjeopolitik në mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian në njërën anë dhe të Rusisë e Kinës në anën tjetër, e dyta, mbrojtja dhe siguria e Izraelit, e treta, lufta për kontroll dhe eksploatim të resurseve energjetike të Lindjes së Afërt, naftës dhe gazit, dhe e katërta lufta sektare në kulminacion në mes doktrinës sektare sunite dhe shiite në botën islame.
E para, rivaliteti gjeopolitik pikësëpari në mes SHBA-ve dhe Rusisë për Lindjen e Afërt daton që nga periudha e pas Luftës së dytë botërore, apo e ashtuquajtur Lufta e Ftohtë, e cila që tani në fillim të shekullit XXI pas këndelljes së Rusisë, e cila fuqishëm po rikthehet në botë me angazhimin e saj në përgjithësi, e në Lindjen e Afërt në veçanti, kemi një rivalitet të dukshëm në mes këtyre dy fuqive për ruajtjen e statusit të gjertanishëm apo edhe të zgjerimit gjeopolitik në Lindjen e Afërt. Rivaliteti i tyre shkon në atë drejtim, që SHBA-ja e përkrahur nga Bashkimi Evropian , dëshiron të ruaj botën unipolare, ndërsa të kundërtën e saj Rusia e përkrahur edhe nga Kina dëshiron që bota të jetë multipolare, në të cilin nuk do të dominojnë vetëm SHBA-ja e përkrahur nga Bashkimi Evropiane, por si fuqi dhe me forcën në rritje që kanë, duan edhe ata, Rusia dhe Kina, të kenë fjalën e tyre në këtë botë të re multipolare. Kjo më së miri shihet që nga fillimi i ashtuquajtur pranverës arabe, edhe pse në fillim ishte një lëvizje me qëllim të demokratizimit të vendeve arabe, kjo shumë shpejtë devijoi nga rruga e saj primare, për shkak të ndërhyrjes së fuqive kryesore, SHBA-së dhe Rusisë, për të ruajtur apo edhe zgjeruar pozitat e tyre gjeopolitike në dëm të njërës apo tjetrës palë. Kjo u theksua çartë në Egjipt, Libi, e posaçërisht në Siri dhe Irak. Edhe pse Rusia i ofroi përkrahje kolonel Gadafit, kryetarit libian, për të i ndihmuar në luftë kundër kryengritësve e pastaj edhe sulmeve ajrore të NATO-së, Gadafi e refuzoi atë duke menduar se me forcat e veta do të arrijë të ruaj pozitën e vet, e me këtë shkurtëpamësinë, ai e pagoi me jetën e vet. Përkundër Libisë, Siria hyri në vitin e pestë të luftës së saj civile, por kryetari sirian Asadi akoma është duke rezistuar, edhe pse tani me vështirësi të madhe, pikërisht për shkak të përkrahjes që ka nga Rusia. Tani edhe Iraku po shkon në atë drejtim duke kërkuar përkrahje edhe nga Rusia në luftën kundër” ISIS-it”(i ashtuquajtur shtet islamik i Irakut dhe Sirisë). Në shtator të vitit 2013, pas sulmeve me helme kimike, me ç’rast kryetari amerikan Barack Obama ishte i gatshëm të sulmojë Sirinë, ndërhyri Putini duke kërcënur haptas se do të mbrojë Sirinë, pas së cilës kryetari amerikan Barack Obama u zmbraps. Pikërisht këtu kemi të bëjmë me lojën e madhe gjeopolike klasike në mes dy fuqive të mëdha, asaj të SHBA-ve dhe Rusisë.
E dyta, është mbrojtja dhe siguria e Izraelit nga vendet fqinje të rajonit të Lindjes së Afërt. Që nga shpallja e pavarësisë së Izraelit në vitin 1948, Izraeli ka zhvilluar disa luftëra, në vitin 1948,1967, 1973, 1982, me shtetet arabe përreth, me Egjiptin, Sirinë, Jordaninë, Libanin, e të mos flasim për luftërat e t’ia të shpeshta me palestinezët në Gazë dhe Bregun Perëndimor, që akoma po zhvillohen, sikurse ajo e fundit e verës së vitit 2014, lufta 50 ditëshe në Gazë. Duke ditur se për një periudhë afatgjate nuk do të mund të dalë përball të gjitha shteteve arabe përreth, pas periudhës tridhjetëvjeçare, arriti marrëveshje paqësore në Kemp Dejvid me Egjiptin në vitin 1977, të njëjtën gjë pas një kohe në vitin 1984 arriti marrëveshje paqësore edhe me Jordaninë. Pas përpjekjeve të t’ia të shumta për të arritur marrëveshje me Sirinë, këtë nuk e arriti, pasi që Bashar al Asadi nuk qe i gatshëm për këtë gjë, pasi që nuk dëshironte të braktisi palestinezët. E Izraeli pas luftës së vitit 2006 me Hezbollahun në Liban, për herë të parë që nga viti 1948 pas luftës 33 ditëshe u detyrua të tërhiqet nga Libani, e kjo luftë nga analistët ushtarak të huaj u cilësua si disfata e parë e Izraelit në luftë me Hezbollahun e Libanit. Pas kësaj, përpjekjet e Izraelit u drejtuan kah Siria, pasi që me rënien e Sirisë, atëherë automatikisht bien përkrahja edhe për Hezbollahun në Liban. Për këtë arsye tani edhe lufta e Sirisë akoma po zgjat, dhe se nuk dihet kur do të përfundojë. Prapavija e vërtet e luftës civile në Siri është këputja e boshtit të rezistencës Teheran, Damask, Hezbollah, Hamas. Kjo shihet çartë edhe nga deklarata e dhënë para ca ditësh e kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahut “ se për neve Irani është më i rrezikshëm 1000 herë se sa ISIS-i”. Është indikative gjersa përkrahës kryesor deri në vitin 1977 për çështjen e kauzës palestineze ishte Egjipti, pas ngadhënjimit të revolucionit islamik të Iranit, tani përkrahës kryesor i çështjes palestineze u bë Irani, i cili e zëvendësoi Egjiptin i cili nga roli i tij i mëparshëm të përkrahësit dhe mbështetësit kryesor të rezistencës palestineze, tani u bë pengues kryesor i palestinezëve të ngujuar në Gazë, pasi që tani plot 7 muaj e ka mbyllur të vetmin vendkalim kufitar të Rafahut në Gazë dhe se gjatë pesë muajve të fundit i ka shkatërruar afër 500 tunele nëntokësore ilegale nëpërmjet të cilës furnizohej Gaza me produkte ushqimore dhe të tjera. Boshti i rezistencës i përbërë nga Irani, Siria, Hezbollahu dhe Hamasi, tani i përforcuar edhe me qeverinë e Irakut dhe Ensarullahin në Jemen është vija kryesore mbështetëse e kauzës dhe rezistencës palestineze, dhe kjo është që e shqetëson Izraelin dhe e bën të pasigurt mbrojtjen dhe sigurinë afatgjate të Izraelit.
E treta, është   kontrollit i rrjedhave të naftës dhe gazit në Lindjen e Afërt, si dhe shfrytëzimi i resurseve të pasura energjetike në Lindjen e Afërt. Dihet se Arabia Saudite, Irani dhe Iraku llogariten si tri shtete me rezerva më të mëdha të naftës në Lindjen e Afërt, krahas shteteve tjera të vogla të Gjirit Persik sikurse që janë Kuvajti, Katari, Emiratet, Bahrejni dhe Omani me sasi të konsiderueshme të naftës. Tani, edhe prapavija e luftës së Jemenit, del se është për çështjen e naftës, pasi që gjer tani Jemeni ka qenë shteti më i varfër arab, me një sasi të papërfillshme të naftës, me hulumtimet e reja janë gjetur sasi të mëdha të naftës edhe në Jemen, e cila në një të ardhme të afërt do ta bëjë atë eksportuese me zë të naftës, pikërisht për këtë arsye Arabia Saudite përpiqet me agresionin e saj me sulme ajrore në Jemen, që të ruaj pozitën dhe ndikimin e saj në Jemen që e ka pas gjer tani, pas gjendjes së re të krijuar, me paraqitjen në skenë të Lëvizjes së Ensarullahut në Jemen. Përveç naftës, kohët e fundit janë gjetur kapacitete të mëdha edhe të gazit, sidomos në Iran dhe Katar, dhe se tani të dyja po përpiqen që të ndërtojnë rrjedhat e tyre të gazit për transportin e gazit të tyre drejt brigjeve të detit Mesdhe. Ndoshta edhe prapavija e vërtet e luftës në Siri dhe Irak qëndron pikërisht edhe për këtë arsye, në rast se jo, primare, atëherë me siguri, sekondare. Irani dëshiron që nëpërmjet Irakut dhe Sirisë të ndërtojë rrjedhën e tij të gazit drejt brigjeve të detit Mesdhe, e më tutje në Evropë. Katari do nëpërmjet Arabisë Saudite, Irakut apo ndoshta edhe Jordanisë, nëpërmjet Sirisë të ndërtojë rrjedhën e tij të gazit drejt brigjeve të detit Mesdhe e më tutje në Evropë.
E katërta, është lufta sektare në mes sunitëve dhe shiitëve e cila është në kulminacion në Lindjen e Afërt. Atë që Evropa e ka tejkaluar para 400 vitesh, luftën sektare në mes protestantëve dhe katolikëve, luftë 30 vjeçare e cila nisi në viti 1618 dhe përfundoi në vitin 1648 me Paqen e Vestfalisë, tani bota islame në përgjithësi, e bota arabe në veçanti, po përballet me të madhe në luftën e tyre sektare në mes vete, dhe se vetëm një Zot e di se kur do të përfundojë. Duke ditur se për të realizuar qëllimet e tyre gjeopolitike, gjeostrategjike, kontrollit të rrjedhave të resurseve energjetike të pasura me naftë dhe gaz në Lindjen e Afërt, mjeti më i qëlluar është pikërisht lufta sektare në mes myslimanëve sunit dhe shiit. Duke ditur se bota islame në përgjithësi e bota arabe në veçanti si rrjedhojë e injorancës, arsimimit të ultë, mos përfilljes të logjikës së mendimit, nivelit të ultë të dijes në përgjithësi, mos pasjes vend kritikës së mirëfilltë për të gjitha dukurit çfarëdo çofshin ato, politike, ekonomike, shkencore, fetare, kulturore, shoqërore në përgjithësi kemi edhe situatën e tillë të luftës sektare në mes myslimanëve. Kulminacion i luftës sektare, që logjika e shëndoshë e qenies njerëzore në përgjithësi, nuk mund atë të perceptoj, të kuptojë, ta logjikojë, është hedhja vetëvrasëse e myslimaneve nëpër xhamitë gjatë faljes së namazit të xhumasë apo të ndonjë namazi tjetër. Ky veprim i tillë, si shembull e mora këtë, por ka edhe plot raste tjera tmerruese që ndodhin për momentin në botën islame në përgjithësi e botën arabe në veçanti, nuk është e çartë assesi në bazë të cilit parim atë mund të argumentojnë, të miratojnë, të veprojnë, pasi që një gjë e tillë lere që nuk qëndron as në shpalljen hyjnore në Kur’an, por as në traditën e profetit Muhamed. Kush do që thirret apo e arsyeton një gjë të tillë, çoftë ai udhëheqës politik apo fetar, me siguri se për këtë nëse nuk do të arrijë të jep përgjegjësi në këtë botë, është e sigurt se në botën tjetër përgjegjësisë së tillë nuk do të mund të ik nga Krijuesi Fuqiplotë.
Do të përfundojë këtë vështrim, me thënien profetike të profetit tonë të dashur Muhamed, të deklaruar para plot 14 shekujve, e që e përshkruan realitetin nëpër të cilin po kalon tani bota islame në përgjithësi e bota arabe në veçanti: “Para kiametit do të paraqiten shumë vrasje, por jo vrasje të pa besimtarëve, por vrasje në mes pasuesve të mijë, kështu që personi do të takojë vëllaun e vet dhe do ta vras. Nga shumica e njerëzve në atë kohë do të ngrihet mendja(logjika), do të pasohen ata që janë mendjelehtë, dhe shumica do të mendojnë se janë me të drejtën, ndërsa ata nuk do të jenë me të drejtën”.