Jetmire Ismaili, filologe

Mbulesa, një pëlhurë mbi kokën time që më bëri të ndjehem e kompletuar. E dini vallë atë emocionin, kur bëni hapat e parë në rrugë me stilin e ri të flokëve, prerja, ngjyrosja etj.?! Bën hapin e parë, dhe ngadalë vështron për rreth se si do të reagojnë njerëzit, si do të reagojnë më të dashurit e tu… Mbaron dita, dhe ti këthehesh në shtëpi, disa e vërejten ndryshimin dhe të komplimentuan, disa të tjerë të thanë me gjysëm goje se ‘bukur të rrijnë’ e gjysma tjetër as që e vërejtën. Aty fillojnë dyshimet për flokun e prerë e të ngjyrosur… Tani, të kthehemi tek mbulesa, bën hapin e parë në rrugë, por, për çudi, as nuk të intereson se kush dhe çfarë mendimi do të japë.

Disa të komplimentojnë, të urojnë, e disa të tjerë heshtin, të shikojnë vrazhdë duke trilluar tregime të shumta në kokat e tyre, duke bërë matematikën se sa po të paguajn në muaj (çfarë injorance!) Ah po, mbulesën çdokush do ta vërej. Kthehesh në shtëpi, më e lumtur se asnjëherë më parë, me ditën më të lumtur të jetës tënde, në ditën ku u ndjeve më e kompletuar se asnjëherë më parë.

Dita ku ti prezantove një ajet të Kuranit “… le ti vënë shamitë e veta mbi trupin e tyre…” [Kur’an, 33:59], dita kur ti, pa marrë parasyshë vështirësitë e shumta, vendose të kënaqësh Allahun. I bie Allahut në sexhde dhe nga thellësia e shpirtit e falënderon që po e përjeton këtë kënaqësi, i lutesh të ta ndriçojë këtë rrugë të sapo nisur, të ta zbukuroj shpirtin ashtu siç zbukuroi pamjen tënde e padyshim të të falë shumë durim, para atyre që të ofendojnë dhe të llogarisin të “prapambetur”. E, ku ta dinë ata, se ti je një e “prapambetur” që ndjek studimet, dhe je studente me sukses të lartë.

Ti si një e “prapambetur” i flet disa gjuhë të huaja.Ti je një e “prapambetur” me biblotekën tënde shtëpiake, “prapambeturia” yte të izoloj në shtëpi, ku vendose të mbash hundën në libër, e jo në punët e të tjerëve! Eh ku ta dinë? Padyshim, nuk mund të dish përderisa nuk pyet, andaj pyet pastaj gjyko. E nëse dikush vendos të më gjykoj për pëlhurën që kam në kokë, atëherë lirisht, më etiketoni si e “prapambetur”, skam asgjë kundër, se atë kënaqësinë që e ndjej unë në shpirtin tim, nuk mund t’i përshkruani fjalë…