Secili prej nesh, që do të bëjë përpjekje ta anashkalojë paralelizmin logjik mes protestave paqësore që u organizuan në Shkup e gjetiu (po edhe me ato që do organizohen edhe në të ardhmen.., si “kundërpërgjigje gjykimit të montuar” ku gjashtë shqiptarë u dënuan me burgim të përjetshëm për rastin “Monstra”), me atë vakinë  a meselenë politike (shqiptare) të viteve gjashtëdhjeta gjegjësisht me demonstratat e Tetovës të motit 1968, besojmë se që në fillim do të zhgënjehet dhe do të gabohet. Jo pse do t’i mungojnë provat, jo pse do i mungojë kujtesa pamore a edhe ajo dëgjimore, jo pse që në fillim do ngatërroj folkpatriotizmin me nocionin e atdhetarisë, jo pse do ngatërroj kohën e tashme me atë të kaluarën, por pse do “ngaterrohet” me patetizmin dhe subjektivizmin e tij.., pavarësisht se protestat paqësore në Shkup dhe gjetiu (sikur) që në fillim nisën paksa së prapthi.., me një “skenografi” që pak fare kishte të përbashkët me shqiptarë.., me pankarta të shkruara në alfabetin arab, me flamuj të shteteve të huaja, me ato brohoritjet.., me pjesëmarrjen e ca njerëzve të dyshimtë e tjerë. Parashtrohet pyetja, pse fillimisht, protestat nuk kishin Këshill Organizativ Koordinues dhe as kryesues.., pse që në fillim nuk i kishin të definuar qartë kërkesat e tyre, pse që në fillim nuk u akuzuan  drejtëpërdrejtë individë  a parti politike shqiptare po edhe maqedonase. Pse dikush, me aq “vonesë, deshi t’u  dal zot” këtyre protestave sa humane, ligjore po aq edhe emancipuese.., pse filozofisë dhe moralit të këtyre protestave (mbase nuk ishin protesta mëhallash) që në fillim i’u vu kleçka, a mos vallë kjo u bë qëllimisht.., dhe atë për një “palë opinga allafrënga e të fëlliqura!?”. Me vazhdimin e protestave, do punë do fillojnë të “sqarohen dhe definohen paksa më ndryshe”, me çka edhe do të formohet Këshilli organizativ me kryesues. Ky këshill organizativ koordinues (me të drejtë) do të paraqes këto kërkesa:
1. “Shpallja e të dënuarve të “Monstrës” për të pafajshëm dhe lirimi i menjëhershëm i tyre..,
2. Shkarkimi i menjëhershëm i prokurores dhe gjykatës përgjegjëse për rastin “Mo-stra” dhe ndjekja e tyre për keqpërdorim të detyrës..,
3. Dorëheqja e ministres së punëve të brendshme për shkak të..,dhe,
4. Lirimin e menjëhershëm të gjithë të arrestuarve në protestat në Shkup dhe Tetovë.., derisa nuk plotësohen këto kërkesa protestat nuk do ndërpriten deklaruan organizatorët”. Në këto “kërkesa” çuditërisht nuk do të përmenden dhe nuk do të akuzohen lidershipët e as partitë politike shqiptare, qofshin ato në pushtet a në opozitë. Për ç’arsye nuk u “përgojuan” ne këtë nuk e dijmë!?
Meqenëse kanë kaluar shumë vite nga meseleja, e cila për kryefjalë kishte demonstra-tat e Tetovës të vitit 1968, nuk mund të përjashtohet mundësia karshi ndërtimit të një paralelizmi  logjik me protestat e Shkupit. Ne besojmë, se në këtë paralelizëm ka arsye, pavarësisht se ato në aspekt të organizimit ndodhën në periudha të ndryshme kohore. E para do të ndodhë në hapësirat e ish Jugosllavisë dhe e dyta në ato të Republikës a shtetit të Maqedonisë. Demonstratat e Tetovës, me 22 dhe 23 dhjetor të vitit 1968 (me plotë të drejtë), do të karakterizohen me tre palë histori.
a)  me atë të lavdatës
Kjo Histori e lavdatës do të shkruhet nga vet organizatorët dhe pjesëmarrësit e saj.., nga kryeorganizatori i këtyre demonstratave gjegjësisht nga studenti nga Beogradi, Faik Mustafa (i cili, do të dënohet me 5 vjet heqje lirie). Mandej do të dënohen edhe këta atdhetarë: Memetriza Gega, Beqir Berisha, Ramadan Sinani, pedagog i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, Ismail Memeti, pedagog i Gjuhës dhe Letërsisë Agleze, Hysnixhevat Kalishta, Abdylselam Selami, Abdylmenaf Rustemi (i dënuar bashkë me babain e tij edhe në Shqipëri) Abdulla Kalishta, Abdulla Jusufi, Dr. Mahmut Bajraktari, Dr. Harun Jakupi, Salajdin Hyseini dhe shumë tetovarë të tjerë. Në Shkup do të dënohet Sejdi Kryeziu 5 vjet, në Strugë Irfan Vllashi, Tosun Roçi, Syria Qura. Në Kërçovë Sali Ramadani, në Gostivar Imer Imeri dhe të tjerë nxënës nga Tetova, të cilët do të burgosen dhe më vonë edhe do të përjashtohen nga gjimnazi  “Kiril Pejcinoviq”: Islam Beqiri, Rafi Halili (i cili më vonë do të dënohet bashkë me nënën dhe motrën me gjithsej 17 vjet heqje lirie), Hamit Saliu, viti i tretë, Ahmet Zeqiri, maturant, Rexhep Hasani, maturant, Sefedin Halimi dhe Fadil Lushi.
b) me atë të akuzës
Demonstratat e vitit 1968 nga ana e pushtetmbajtësve do të perceptohen si…” armiqësore dhe me kërkesa irredentiste për bashkim politik të shqiptarëve në Jugosllavi, për bashkim me Kosovën…” me shtetin amë si dhe me trojet tjera me frymëmarrje shqiptare, me të vetmin qëllim për të krijuar Shqipërinë natyrale. Përkundrazi, demonst-ratat e Tetovës të vitit 1968, ishin thjesht shprehje apo rezultat i një akumulimi të dufit shqiptar ndaj padrejtësive që i bëheshin.
c) me atë të harresës..,
Kjo do të duhet të jetë historia më e dhimbshme e demonstratave të vitit 1968, pasi që nga historianët tanë paksa më të moshuar, fare pak është diskutuar dhe trajtuar si pjesë a një kaptinë e veçantë e trashëgimisë sonë kombëtare. Është një ngjarje, që dita-ditës humb shkëlqimin, duke kaluar në pronësi të harresës sonë kolektive. Është një ngjarje që thjeshtë do të dehumanizohet dhe deemancipohet. Një ngjarrje që do karakterizohet me një retrospektivë të lavdishme, por po aq edhe të dhimbshme të popullatës shqiptare këtej Shqipërisë politike.
Që të jemi korrekt deri në fund ndaj të vërtetës të të dënuarve shqiptarë (dënime këto që dolën nga proceset në fjalë, ku u dënuan më shumë se 100 demonstrantë), do na duhet të themi se asnjëri prej këtyre të dënuarve të lartëpërmendur, asnjëherë nuk ëndërroi karrierën politike, po as që përfitoi dot gjë në aspekt social.., në aspekt material as që bëhej fjalë. Në vend të këtij “përfitimi ata hëngrën kokat e tyre?”. Kemi përshtypjen, se edhe protestat paqësore të Shkupit po edhe demonstratat e Tetovës të vitit 1968, gjithësesi se kanë një të përbashkët, atë kërkimin e lirisë së vonuar, nga njëra anë dhe nga ana tjetër, kanë pjesën e errët të tyre, ku njerëz të sëmurë për karrierë politike do t’u vardisen dhe ashtu pamëshirshëm do ua denigrojnë moralin dhe filozofinë e së vërtetës kolektive. Nëse do të na lejohet, ne në fund të këtij vështrimi gazete, do të parashtrojmë një “pyetje hipotetike”: A mos vallë në këtë verë përvëluese a edhe në një të ardhme të afërt, protestat e Shkupit (nuk) do t’i harrojmë (si ato demonstratat e Tetovës), a mos vallë (nuk) do t’i keqpërdorim(n), a mos vallë, nga ato (nuk) do të “prodhojm(n)ë” ndonjë parti të re politike shqiptare, këtu në Shkup, në Tetovë dhe rreth e rrotull saj!? Ku ta dijë njeri, po mbase ka njerëz që janë në dijeni të kësaj. Mendimtari grek, Pitagora, dikur kishte thënë: “Lojrat olimpike, zakonisht frekuentohen nga tre lloj njerëz: nga  garues, nga spektatorë dhe nga tregtarë” flamurësh.., hajt, mos të themi edhe nga profiterë politikë!?