Ajla Xhemaili, studente e mjekësisë

Mbulesa është një adhurim e adhurimi lidhet me shpirtin dhe është gati e pamundur të shprehen ndjenjat dhe emocionet që përjetohen gjatë adhurimeve. Mua nuk më kujtohet koha para se të isha e mbuluar, edhe më mirë, sepse as që dua të kujtoj ndonjë periudhë të jetës që kam ekzistuar pa mbulesen time, mbulesë e cila më jep motiv të vazhdoj rrugëtimin tim drejt mirësisë dhe të vërtetës.

Gjithmonë kam qenë e pranuar në shoqërinë time dhe në asnjë rast nuk jam ndjerë e diferencuar. Kjo më bën të kuptoj bindshëm që mbulesa është pjesë e ekzistencës së një femre, prandaj të arsyeshmit nuk e vlerësojnë atë që e barti unë mbi kokë, por atë që e kam brenda kokës sime dhe atë që del nga goja ime. Tani jam studente e mjekësisë, po, e mbuluar dhe aspak e diskriminuar nga profesorët e kolegët. Kam aventura, shëtitem dhe kënaqësinë e plotë e shijoj kur atë e bëj hallall, duke mos provokuar askënd dhe duke mos më ngacmuar askush.

Jam e lirë të shëtis botën, dhe të bëj gjithçka që dua në mënyrë të lejuar. Një herë një vajzë kroate më pati thënë: Përse e mban këtë gjë në kokën tënde, ta imponon dikush vallë? – Është mburoja ime nga e keqja që Zoti im e ka zgjedhur per mua. Nuk është nga imponimi por nga dashuria e adhurimi, i thashë. Më tha: Sa e bekuar që je!

Po e di që disa na quajnë “të mbyllura” e të “nënçmuara” por mos u mërzit, vështroi ato mirë në sy dhe me një buzëqeshje të ëmbël që buron nga zemra që e ka arritur kënaqësinë e Allahut, tregoju se ti je e zgjedhur nga Zoti te jesh e lirë dhe e lumtur më shumë se çdo kush tjetër. Edhe ti motra ime e dashur që e lexon këtë përshkrim modest rreth mbulesës, nëse nuk je bindur ende, e ke të pamundur ta kuptosh se çfar ndjej unë. Sepse, mbulesa nuk është “mbyllje”, por është liri. Mbulesa nuk është traditë, por është dashuri e çiltër krijesës ndaj Krijuesit.