Zemër!
Ti je emri i organit që zëvendëson emrin e njeriut.
Ti je emri tjetër i jorganit që mbron nga çdo të ftohtë të veriut!
Ti je e kuqe e e kuqja simbolizon nxehtësinë.
Toka është larg e e vogël, por është më e dashura për Diellin dhe gjithë gjithësinë.
Me këtë Zoti na tregoi se s’është me rëndësi largësia fizike e madhësia
Sa janë, në odën e urtësisë, afërsia shpirtërore dhe madhështia!
Herë e përherë është thënë e ende thuhet:
Me fjalë mund të nderohet gjithsekush, po me zemër veç njeriu si vetja duhet!
E njerëzit e mirë kë e duan i tregojnë, por jo atyre që i urrejnë,
Sepse kanë si mjet heshtjen për t’u treguar se duhet edhe të vlejnë.
Jam këtu për ta lënë zemrën të flasë vetë:
Nëse nuk më do shumë, mos më duaj hiç…
Çdo gjë mund të teprohet, përpos dashurisë që veç mund të shtohet,
Sepse dashuria që nuk shtohet ka cakun të përfundohet.
Më duaj shumë, se pa dashuri jemi trupa me shpirt të humbur!
I padashuri mund të flasë për lumturi, po nuk është i lumtur.
Ai mbetet një copë mishi që njerëzit e mëshirojnë.
Pasi që i humbet shpirti, me harrim e varrojnë.
Kur t’u shkojë e presin, por parimisht nuk e ftojnë.
Kur t’i thërrasë i përgjigjen, po përndryshe e harrojnë.
Më duaj shumë, se kam nevojë dikush të më dojë!
Ji ti njeriu me të cilin zemra ime do të rrojë!
Mos harro mjetin që më së miri qëllimit i përgjigjet:
Më duaj si dua unë, jo si thonë të tjerët ose ligjet!
Më duaj duke më pyetur se si të më duash,
Që të mos e shndërrosh në helm vdekës, pastaj edhe ti të vuash!
Prej të gjithë njerëzve me të cilët të paktën një herë kam qëndruar,
Pashë dhe pastaj më vete thashë se:
Ka njerëz që mund të jetojnë me urrejtje,
Por nuk ka njeri që mund të jetojë pa dashuri!
Dhe është e udhës të thuhet se s’është me rëndësi kush të urren,
Po mjafton të të duan njerëzit e duhur që ta dish se ke diçka dhe vlen!
Arsim Jonuzi