Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe jep këtë shpjegim për numrin: Nocion themelor i matematikës, që shërben për të shprehur në mënyrë të përgjithësuar sasinë dhe për të bërë njehsimet. Numër i plotë. Numër thyesor. Numër pozitiv numër më i madh se zeroja. Numër negativ numër më i vogël se zeroja. Numër konkret numër i shoqëruar me një emër. Numër abstrakt numër që nuk shoqërohet me një emër. Numër dhjetor. Numër çift (tek). Numër natyror (real, imagjinar). Vargu i numrave. Veprimet me numra.. vet. nj. Sasi njerëzish a sendesh; sasi e pacaktuar. Një numër i madh (i vogël, i paktë). Numri mesatar. Numri i pjesëmarrësve (i votave). Numri i këshillave (i organizatave, i reparteve). Numri i krahëve të punës. Numri i rrathëve (i bimëve, i golave). Shtohet (pakësohet) numri.
Një ditë takova një mik të vjetër, i cili prej kohësh merret me statistikën dhe demografinë shqiptare, po njëherit është dhe njohës i shkëlqyeshëm i kësaj veprimtarie. Ai “merret me numra, ai bën numra në sasi, por edhe në cilësi sa herë që merr porosi nga njerëzit” të cilët janë të interesuar a kureshtarë për këtë çështje. Meqë isha i sigurt se nuk do ma “refuzojë pyetjen”, i parashtrova një të tillë sa i përket nocionit në fjalë: Ti, N.N. hajt na bëj pak numra dhe na thuaj se ç’thonë numrat për shqiptarët!? Para se ta nxirrte përgjigjen që e kishte “ndër dhëmbë”, hoqi syzet (me të cilat shikonte “bardhë e zi” çdo gjë që është shqiptare) dhe më tha: E ke fjalën për shqiptarët“toptan”!? Jo, – i thashë, e kam fjalën vetëm për mërgatën. Po për cilën gjeneratë të mërgatës, e ke fjalën…Shpreha habinë duke ia kthyer se mos vallë shqiptarët e mërgatës kanë shumë gjenerata. Po, si jo. Ka gjeneratë që bën shqiptari me a pa arsye, me “orar të shkurtuar”, ka të tillë që flasin shqip, ka të tillë që komunikojnë shqip, por ama me ndihmën e sintaksave të gjuhëve joamtare. Gjenerata e tretë e mërgatës shqiptare karakterizohet me faktin që fare nuk dinë shqip, sidomos ata që kanë lindur në maternitetet e shteteve perëndimore, këta përfundimisht janë të asimiluar, si në aspekt kulturor, ashtu edhe në aspekt gjuhësor, në aspekt traditash… Madje kur këta vizitojnë trojet e tyre hiqen si shqiptarë “Evrope” dhe, kur degdisin në “qytezat e katundet” e veta, preferojnë të flasin në gjuhë joamtare. Ky miku im që përgjigjet i shkonin paksa “zvarrë”, më dukej se si për inat i “pakësonte” numrat e tërë shqiptarëve. Në fund, ma ktheu duke më thënë se ç’të duhen numrat, kur ti “nuk je numër”!?…  dhe mbase asnjëherë nuk je marrë me numra. Hë, thashë me vete, ç’ngatërresa më nxori ky miku im.., ç’më duhej t’i parashtroj kësisoj pyetjesh…, m’u duk se s’më merr për numër a nuk më përfill fare. Nuk më dha hapësirë kohe që t’i them se edhe unë jam numër. Mospërgjigjja e tij ndoshta ishte edhe një “sebep” që ta përfundoj me “nënpyetjet e mia, sa të bezdisshme, po aq edhe folklorike për këta numra jonumrash”!? Nuk më “mbeti borxh” dhe në fund ma tha një fjalë “veresi”, por ama kuptimplotë: “Në këto trevat tona ka më shumë halucinacione sesa shqiptarë, burra, gra e fëmijë shqiptarë “toptan”  në numër…, mos harro se edhe ti je një i përhënshëm me syhapur!?”  Me këtë përgjigje  ma mbylli “gojën”, por nga ana tjetër sikur më dha idenë për një vështrim (veror) gazete të radhës. Mbaj mend se pagoi pesë birra, një më tepër, këtë të fundit, kamerieri ia kishte “bërë hesap” apo futur  “gabimisht”, si përherë dhe si në Tetovë.
Të burgosurit thonë se ngandonjëherë edhe heshtja lodhet dhe bëhet bajat dhe kur pëlcet i stërpik të gjithë që i ka rreth e rrotull. Dhe “stërpikja” e radhës erdhi nga një mërgimtar, i cili shumë kohë më parë  ishte  “shkëputur” nga vendlindja e tij. Në vendin ku kishte “degdisur” me shumë “zor” ishte integruar. Ky, sot, me shumë të padrejtë e trajton vendlindjen. Që të mos e zgjasim shumë këtë “mesele”, do të themi se këtë “bashkëvendës namqorr” e takuam në një ndejë fshati. “Kryepari i mexhlisit” e kishte ftuar që “të bëjë histori kombëtare, mandej të bëjë (folk) patriotizëm, pak ekonomi, gjeografi dhe njëkohësisht bashkëfshatarëve t’u parashtrojë pyetje rreth privatësisë së tyre”. E nisi me historinë e prapambeturisë së shqiptarëve. Pyetja e parë e tij ishte: “… ç’bëni ju këtu në vendlindjen time (njëri që e njihte për së afërmi më tha se punon si “pastrues halesh” në një stacion hekurudhor diku në një shtet perëndimor), ç’bëni ju në vendim tim të vogël e të qelbur…, parashtroi edhe një pyetje për njerëz me profesione të ndryshme. Pa më thoni se në vendin tim ç’bën akademiku, ç’punë bën mësuesi, mjeku, bariu, po ç’punë bën daullexhiu, kur nuk keni dasma, iftare e syfyre, po ç’aktivitet  bën politikani, ç’bën imami tok me xhematin e tij, po ç’bën “kapiteni i varkës” (se edhe varka paskësh kapiten nuk e kisha ditur), pse shqiptarët nuk rebelohen si në kohën e 2001-shit, pse filan solisti  nuk bën një këngë të re për martirin, po pse të gjithë këta njerëz më duken si të përgjumur” e të tjera broçkulla.
Meqenëse nuk e kishte ndërmend të miqësohet me vetveten, po edhe me të tjerët “e mexhlisit” (të cilët nuk e di si i duronin “pordhat” e këtij “kurbetçiu”), e “detyroi” plakun që kishte zënë vend në “kryminderin e ndejës” t’i drejtohet me këto fjalë: “O ti çun Stambolli, ja unë po të kallëzoj se ç’bëjnë këta njerëz…, thjesht tjerrin lesh për gjermane, për daneze, për zvicerane a edhe italiane…, po për mua pse nuk tjerrin lesh…, ti je vet lesh i palarë!?” Më pastaj pas kësaj përgjigje të plakut sikur u prish ndeja a “mexhlisi” (nuk ishte kushedi se çfarë ndeje). Dhe ky, që bën jetë birbosh, sa herë që viziton fshatin e tij të “qelbur” aq herë i fryn zjarrit dhe aq herë ua prish rehatinë bashkëfshatarëve të tij. Njëri që e njihte osmanishten dhe që nuk e duroi dot “vetëkënaqësinë dhe vetëlavdërimin e këtij kurbetçiu”, tha se ai ishte “fishek që s’shkrep”…,e vazhdoi me atë sharjen e rëndë  anadollake: “Gytymin qenari”, që sikur të bësh përpjekje ta hedhësh a ta përkthesh në gjuhën shqipe të del shumë denigruese…, “rrethi i prapanicës apo i bythës!” (më ndjeni, lexues të nderuar). Besojmë se “mërgimtari ynë i moderuar” nuk do të na e marrë për të madhe nëse rastësisht e përgojuam.