Për këto 16 vjet të ekzistimit dhe veprimit, Forumi Rinor Islam është shndërruar tashmë në më shumë se një emër dhe organizim joqeveritar. Me shtrirjen e vet të gjerë, aktivitetet e nduarnduarshme dhe anëtarësinë e gjithanshme, me jehonën dhe rrezatimin e vet përtej kufijve gjeografik, Forumi Rinor Islam më shumë merr karakterin e një Lëvizje të gjallë rinore, e cila ka luajtur dhe po luan një rol të rëndësishëm në vetëdijesimin dhe ngritjen e popullatës sonë në përgjithsi, ndërsa shtresës rinore, nxënësve dhe studentëve, në veçanti.

Më shumë se sot, besoj se për Forumin Rinor Islam do të flitet e shkruhet pas 50 vjetëve, kur gjurmët dhe frytet e punës së palodhshme të bartësve dhe anëtarëve të tij, me lejen e Zotit, do të marrin trajtë e formë, dhe do ta shkruajnë historinë.

Në rrafshin personal, ndjehem më shumë se i privililegjuar dhe krenar, falënderues pafund ndaj Krijuesit të gjithësisë, për fatin që pata, që të jem pjesë aktive e këtij asociacioni rinor që në zanafillat e tij, në vendosjen e themeleve të kësaj kalaje që po ndërtohet e zbukurohet ditë e më shumë, me punën e mrekullueshme dhe plot elan e shpirt të drejtuesve dhe aktivistëve të palodhshëm.

Në këtë kuptim, pa marrë parasysh kah na orientojnë dhe dërgojnë valët e jetës, pavarësisht ngritjes e zhvillimit tonë personal e profesional, koha jonë e kaluar me organizimet dhe aktivitetet rinore, përfshi këtu edhe Forumin Rinor Islam, mbetet periudha më e dashur dhe më e bukur e dynjasë sonë, rrjedhimisht edhe më shpresëdhënëse për fatin tonë në botën tjetër.

Lutjet e mia janë gjithmonë për ju, të dashur të rinj, vëllezër e motra pranë Forumit Rinor Islam!

Zoti ju ruajtë e ju bekoftë!

Mr. Muhamed Murtezi, kryetar i Qendrës për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional