Atletico Madridi dhe Valencia kanë luajtur baras (1-1) në ndeshjen e javës së 26-të që u zhvillua në Estadio Vicente Calderon.
Mysafirët luajtën mirë në 20 minutat e para të sfidës, mirëpo kampioni u kthye në lojë në vazhdim dhe në pjesën e parë arriti të shënojë.
Pas një gjuajtje të lirë, Torres e futi topin në një zonë të rrezikshme që pasoi me kthimin e Tiagos me gjoks drejt Kokes, i cili e dërgoi në rrjet (33’).
Vendasit rrezikonin edhe në pjesën e dytë, por as Los Che nuk rrinin të qetë dhe arritën ta barazojnë rezultatin.
Goditja e Parejos u përplas për shtylle dhe aty ishte Shkodran Mustafi që reagoi më së miri për të shënuar nga afërsia (78’) dhe për ta penguar humbjen e skuadrës së tij.
Natyrisht se festa e mbrojtësit shqiptar ishte formimi i shqiponjës me duar.
Atletico Madridi është në vend të tretë në tabelë me një pikë më shumë se Valencia që mban pozitën e katërt. /Telegrafi/