Periudha ilire nuk është e dëshmuar deri sot me shkrime në gjuhën ilire, ndërsa kjo mungesë e frenon entuziazmin nacionalist për gjuhën shqipe si gjuha më e lashtë dhe më e lartë e botës, sipas konceptimit të Sami Frashërit. Një gjuhë që është shkruar vetëm në shekullin XVI, ka hendikepin e madh në raport me gjuhët e fqinjëve, veçmas me greqishten dhe latinishten (italishten), por edhe me sllavishten.
Nga ana tjetër, është patentuar një version ideologjik, sipas të cilit gjuhën e kanë ruajtur dhe shpëtuar priftërinjtë katolikë Buzuku, Budi, Bardhi e Bogdani, që e shkruan këtë gjuhë në shekujt XVI e XVII. Por, ky glorifikim dhe zmadhim i rolit të priftërinjve katolikë të kësaj periudhe nuk e shpjegon se si u ruajt gjuha shqipe ndër shekujt pararendës, kur qe e ndaluar dhe nuk u shkrua. Gjuha ilire/shqipe nuk u shkrua gjatë sundimeve romake, bizantine, bullgare, anzhuine e serbe. Por, mbijetoi dhe erdhi deri në periudhën e sundimit osman, kur ajo filloi të shkruhej.

«Meqë shkrimi shqip dhe letërsia shqipe kanë lindur në kohën e sundimit osman, atëherë duhet të gjendet përgjigje shkencore në pyetjen: pse nuk ka pasur shkrime shqipe e letërsi shqipe në periudhat pararendëse, të pushtimeve romake, bizantine, bullgare e serbe mbi ilirët/shqiptarë?»[1].

Përgjigjen që e kemi dhënë për këtë pyetje në tekstin e sipërcituar, po e sjellim në një fragment pak më të gjatë se zakonisht:

«Pushtimi romak, i filluar në pjesën e parë të shekullit III para erës sonë dhe i përmbushur me pushtim të plotë në shekullin e parë të erës sonë, la pas vetes shkatërrimin e qyteteve ilire si Rizoni dhe Scodra, shpërbërjen e institucioneve sociale e politike vendëse dhe e hapi procesin e romanizimit, i cili e preku identitetin e një pjese të madhe të popullsisë ilire. Në kushte të këtilla të shpërbërjes së strukturave vendore dhe të nxitjes masive të asimilimit, nuk ka pasur shanse kultivimi i letërsisë në gjuhën e ilirëve. Pushtimi bizantin, që e pasoi pushtimin romak, me tejzgjatjen e tij, shkatërroi edhe ato pak struktura që kishin ngelur, duke e integruar popullsinë ilire në një formacion të madh shtetëror e fetar, që në esencën e vet ishte gllabërues […].
Në të vërtetë, nuk e la të krijonte as identitet kulturor. Ngjarjet shkatërrimtare sikundër qenë lufta bizantino-bullgare në shekujt IX-X e deri në vitin 1018, kur u instalua përfundimisht pushtimi bizantin, ndarja e kishave në vitin 1054, e edhe kryqëzatat e periudhës 1095-1270, shkaktuan shkatërrime të rënda ekonomike, shoqërore e kulturore dhe konflikte fetare. Përpjekjet e rimëkëmbjes së Arbërisë në shekullin XII e XIII, u dëmtuan nga ekspansioni serb në shekullin XII dhe nga pasojat që shkaktoi Kryqëzata e katërt e vitit 1204, me pushtimin kryqtar të Kostandinopojës. Kjo ngjarje ka pasur ndikim të jashtëzakonshëm në forcimin e identitetit fetar e kulturor serb në territoret veriore shqiptare, sepse strehimi në Serbi i piktorëve, i arkitektëve dhe i dijetarëve bizantinë të arratisur nga Kostandinopoja e pushtuar, mundësoi zhvillimin ekspansiv të kulturës serbe edhe në trojet shqiptare. Vetëm pesëmbëdhjetë vjet pas Kryqëzatës së katërt, Kisha serbe e fitoi autonominë e saj. Ndër pasojat e forcimit të shtetit serb e të kishës serbe janë serbizimi i një pjese të popullsisë, serbizimi i toponimeve dhe i patronimeve, dyndja e shqiptarëve drejt jugut dhe shkatërrimi i strukturave të kishës katolike romane. Është e kuptueshme se as në këso rrethanash të pushtimit serb nuk ka qenë e mundshme që të zhvillohej gjuha shqipe e as kultura dhe letërsia në këtë gjuhë. Kjo jetesë e gjatë nën pushtimet bizantine, bullgare e serbe dhe nën  juridiksionin e kishave ortodokse, e ka amputuar popullin ilir/shqiptar nga lidhjet politike e kulturore me pjesën tjetër të Europës, shumë para se të pasonte pushtimi osman»[2].

Këto arsyetime tash për tash nuk janë pjesë e shpjegimeve  dominuese të historisë së letërsisë, as të historiografisë e as të studimeve kulturore. Shpjegimi normativ ende mbetet që vetëm Perandoria Osmane ishte ngulfatëse e gjuhës dhe kulturës shqiptare dhe se ajo e ndau këtë kulturë nga Europa. Rrjedhimisht, shpjegimet e pasakta dhe të ngjyrosura me ideologji islamofobe nuk arrijnë të formësojnë një ndërgjegjësim më aktiv lidhur me vlerat e gjuhës e të kulturës shqiptare në sfondin e nacionalizmit shqiptar.
Në fakt, që nga Rilindja kombëtare e këndej, gjuha shqipe ka qenë njëra nga argumentet më të fuqishme për identitetin e veçantë shqiptar dhe për idenë e krijimit të një shteti etnik shqiptar. Gjuha shqipe, për Sami Frashërin, rezulton të jetë nga më të lashtat e më të lartat gjuhë të botës mbarë:

«Shqipëtarëtë flasin një nga më të vjetërat’ e më të bukuratë gjuhë të dheut. Gjuhëratë që kanë qenë shoqet’ e motërat e shqipesë, kanë mijëra vjet që kanë humburë e s’flitenë në nonjë vënt të dheut, po në vendit t’atyre përdorenë mbesat’ e stërmbesat’ e tyre. Shqipja është shoqe me greqishten’ e vjetër, llatinishtenë, me sanskritishtenë, gjuhën” e Indis” së vjetër, me sendishtenë, gjuhën e Persisë së vjetër, me qeltishtenë, me tevtonishtenë etj […]. Ato quhen gjuhë të vdekura e shqipja, gjuha jonë, q’është m’e vjetrë nga ato, ësht” e gjallë e flitetë edhe sot si në kohët të pelasgëvet”»[3].

Sipas këtij vlerësimi nacionalist e romantik të Sami Frashërit, shqipja ka qenë e tillë, edhe në kohët më të lashta, pra ajo edhe në kohërat e pellazgëve ka qenë e njëjtë, njësoj e bukur. Të gjithë romantikët dhe rilindësit, që kanë shkruar më vonë për gjuhën, nuk e kanë kaluar asnjëherë këtë stekë të nacionalizmit gjuhësor, të  ngritur kaq lart nga Sami Frashëri. Me këtë perceptim për gjuhën shqipe, si gjuha më e lashtë dhe më e lartë e botës, pra më e lartë se ato në të cilat janë shkruar kryeveprat e lashtësisë, nacionalizmi shqiptar kishte në dorë një armë të fortë. Edhe observimet e autorëve të tjerë për gjuhën shqipe, si Kristoforidhi e Faik Konica ose poetët, si Naimi e Fishta, e kanë kultivuar më tej atë vizion se kombi shqiptar e ka një gjuhë të lashtë, të bukur e të lartë, e cila i dallon shqiptarët nga kombet e tjera dhe i bën krenarë me gjuhën e tyre.
Ndoshta si në asnjë terren tjetër, në çështjen e gjuhës shqipe nacionalizmi shqiptar e ka ruajtur dinamikën e vet deri në ditët tona. Pa këtë dinamikë nuk do të ishte e mundur që në kohën e diktaturës komuniste të mbahej Kongresi i Drejtshkrimit dhe të miratohej gjuha standarde shqipe. Pra, ajo nuk ka ardhur si rezultat i një platforme ose i një vizioni të regjimit komunist, por ka ndodhur e kundërta – regjimi komunist e ka shfrytëzuar njërën nga çështjet më esenciale të identitetit kombëtar e të nacionalizmit shqiptar, për të krijuar për vete një dozë legjitimiteti në plan kombëtar.
Në çështjen e gjuhës kjo ka qenë më lehtë e realizueshme, sepse ka pasur të bëjë me një çështje brendashqiptare, ndërsa në terrenin e çështjes së territorit nuk ka pasur as vullnet, as guxim e as fuqi që të bënte ndonjë veprim. Për shkak të kufizimeve të mëdha ideologjike, nuk ka pasur mundësi të bënte ndonjë depërtim në çështjen e historisë, as të besimeve fetare e as të kujtimeve të përbashkëta, prandaj gjuha ka qenë një çështje nga e cila regjimi ka përfituar benefite dhe nuk është përplasur me fqinjët e vet. Miratimi i drejtshkrimit në vitin 1972, pra, ishte finalizim i një projekti nacionalist të inicuar nga rilindësit.
Sigurisht që në rrethana të tjera, të një diskutimi më të lirë e të një klime më demokratike, edhe për politikat gjuhësore, mund të arriheshin zgjidhje të tjera nga ato që u arritën. Por, edhe ajo që u arrit, realisht është jashtë vizionit të regjimit komunist. Ajo është një domosdoshmëri e imponuar nga zhvillimi i vetë gjuhës dhe nga drejtimi që zhvillimit të saj i kishin rezervuar nacionalistët shqiptarë. Regjimi pati një përfitim të madh propagandistik, por komunikimi me shqiptarët jashtë Shqipërisë, diskutimet dhe rezultatet që konstituuan një gjuhë standarde, ishin në kundërshtim me politikën e izolimit politik, të ekskluzivitetit ideologjik e gjuhësor, të mbajtjes nën kontroll të politikave gjuhësore.
Prandaj, gjuha standarde shqipe më shumë është produkt i vizionit të nacionalistëve shqiptarë sesa i regjimit enverist. Për këtë arsye, kushdo që sot angazhohet për rikthim në dialekte, për çmontimin e gjuhës standarde, angazhohet jo kundër një trashëgimie të regjimit enverist, por kundër vizionit nacionalist shqiptar për një gjuhë unike kombëtare.


 


[1] Milazim Krasniqi, Tekstet joletrare si burim i deformimit të historisë së letërsisë shqiptare (Revista Avicena, Prishtinë, 2001, nr. fq.75
[2] Po aty, fq. 75-76
[3] Sami Frashëri, Vepër e cituar, fq. 34-35