Namazi i natës është shërimi më efektiv për trupin, parandalimi më i mirë i sëmundjeve kronike

Namazi i natës është shërimi më efektiv për të trupin, parandalimi më i mirë i sëmundjeve kronike

Namazi i natës … A e di te se ç’është namazi i natës? Ajo është praktikë e pashmangshme e Pejgamberit a.s., e njerëzve te mëdhenj dhe të zgjedhur. Ajo është shkollë nga dolën më të mirët e gjeneratave të para dhe të vonshme. Sikur vlera e saj të ishte e vetme që Pejgamberin a.s., e ka ngritur në vendin e nderit /“el-mekamul-mahmud”, do t’i mjaftonte si vlerë dhe nderë.
Allahu thotë: “Dhe në një pjesë të natës zgjohu me të (me Kur’anin – namazin), është e sigurt se Zoti yt do të ngrejë ty në një vend të lavdishëm.. “(El-Isra, 79)
Njerëzit e devotshëm e kanë ditur se namazi i natës, është shkollë e te sinqertëve dhe karvani i më të mirëve, se Allahu i ndan dhuratat dhe thesaret e mirësisë së Tij në thellësinë e natës për ata që gjumin e zëvendësojnë me të qëndruarit zgjuar, ndërsa i privon të shkujdesurit dhe gjumashët. Robi nuk mund t’i arrijë shkallët e larta e as Allahu nuk do t’ia ndriçoj zemrën me urtësi nëse nuk merr pjese në namazin e natës.
Sekreti i madhështisë se namazit të natës është se duke u zgjuar dhe duke e lënë krevatin, njeriu lë kënaqësinë, rehatinë, komoditetin e kësaj bote për t’iu dorëzuar ibadetit dhe Allahu, si kompensim, i jep më shumë se ajo që ka lënë.
Shpërblimi për namazin e natës përfshin përfitimet e kësaj bote dhe të botës tjetër.
Ibn Kajjim ka thënë: “Katër vepra të mira sjellin furnizim: Namazi i natës, istigfari (kërkim falje në kohën e syfyrit, sadakaja/lëmosha, dhikri i mëngjesit dhe i mbrëmjes”
Gjithashtu ka thënë: “Nuk ka dyshim se namazi, përveç se ruan shëndetin e shpirtit, forcon dhe mbron imanin, e bën njeriun të lumtur në këtë botë dhe në botën tjetër, gjithashtu ruan shëndetin e trupit dhe ndihmon të lirohet nga substancat e panevojshme dhe të dëmshme.
Namazi i natës është një histori në vetvete. Ai është ilaçi më efikas për trupin, parandaluesi më i mirë i sëmundjeve kronike dhe stimuluesi më i mirë për trupin, zemrën dhe shpirtin.
Ata të cilët rregullisht kryejnë namazin e natës, janë fizikisht më të shëndoshë dhe shpirtërisht më të lumtur; fytyrat i kanë më të ndritura, të folurit e bekuar; veprat e tyre janë të ndershme. Ata janë larg mashtrimeve, vetëkënaqësisë dhe kërkesave për t’u lavdëruar nga njerëzit. Janë më të ndaluarit nga mëkatet, më të heshturit e gjuhës, më ambicioz dhe këmbëngulës në kryerjen e veprave të mira.
Pejgamberi a.s., siç thuhet në hadithin e transmetuar nga Aisheja, r.a., kurrë nuk e ka lënë namazin e natës, e në qoftë se ka qenë i sëmurë, falej ulur. (Sahih, Ebu Davudi).
Ai i ka këshilluar shokët e tij të jenë të qëndrueshëm dhe të pa lëkundur në kryerjen e rregullt te këtij adhurimi.
Transmeton Abdullah ibn Amr ibn el-As, r.a., se Pejgamberi a.s., ka thënë: “O Abdullah, mos u bëni si ai dhe ky, një kohe e ka falur namazin e natës e pastaj e ka ndërprerë.”
Statusin e namazit të natës e ka çdo namaz, prej dy, katër ose më shumë rekatesh, i cili kryhet natën, në periudhën mes namazit të jacisë dhe namazit te sabahut.
Pejgamberi a.s., e ka bërë këtë namaz të lejuar për të gjithë njerëzit, kështu që për të nuk është kushtëzuar leximi i një numër të caktuar ajetesh, qëndrimit të gjatë në këmbë apo diç tjetër, por ka porositur që të falet sipas mundësive.
Transmeton Abdullah ibn Amr ibn el-As, r.a., se Pejgamberi s.s., ka thënë: “Kush e fal namazin e natës me dhjetë ajete, nuk do të regjistrohet në grupin e te pakujdesshmëve; kush e fal namazin e natës me njëqind ajete do të regjistrohet në grupin e te bindurve, e kush e fal namazin e natës me njëmijë ajete, do të shënohet në “mukantirinë” – atyre të cilëve do t’ju jepet shpërblim i pakufishëm.”(Sahih, Ebu Davudi).
Të gjithë ne, secili sipas mundësisë së tij, duhet të përpiqemi sa më shumë dhe rregullisht ta kryejnë namazin e natës, e motoja jonë le të jete: “E nëse i bindeni atij (d.m.th. Pejgamberit a.s.), do të jeni në rrugën e drejte”

Ahmed esh-Shejhali
Përktheu në boshnjakishte: Mr. Semir Imamoviç
Shqipëroi: Esat Rexha