Edhe këtë vit Forumi Rinor Islam – Dega Shkup realizoi manifestimin tradicional “Mirë se erdhe muaji Ramazan” në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, manifestim ky i cili realizohet vite me radhë dhe ka për qëllim pritjen dhe shënimin e fillimit të muajit Ramazan sëbashku me shumë qytetarë.

Manifestimi filloi me leximin e disa ajeteve kuranore nga hafiz Avni Asani, e më pas vazhdoi me fjalim përshëndetës nga kryetari i Forumit Rinor Islam, Fisnik Shabani i cili përmendi aktivitetet që do të realizojë FRI gjatë këtij muaji dhe mes tjerash tha: “Shpresoj që ky muaj për çdo mysliman do të jetë një mundësi e mirë për t’u rizgjuar nga ky gjumë i cili ka kapluar shoqërinë tonë një kohë të gjatë dhe të fillojmë me një aktivizim shpirtëror e objektiv, e të reflektojmë me këto vlera edhe pas këtij muaji të begatë dhe të jemi shembulli më i mirë i gjithë shoqërisë sonë”.

Fjalë rasti kishte edhe kryetari i Forumit Rinor Islam – Dega Shkup, Abdulhamid Mustafa i cili potencoi: “Ramazani, muaj i rizgjimit është motoja e përzgjedhur nga FRI për këtë vit, e cila shpresoj që sado pak do të ndikojë të zgjojë zemrat dhe mendjet e secilit prej nesh për të arritur kthjelltësi, për ta kuptuar dobësinë tonë, e madhështinë e Tij, për tu lartësuar shpirtërisht dhe për tu përsosur moralisht.”

E në pjesën artistike të pranishmit u freskuan me interpretimet e ilahive nga Afrim Haziri dhe Fatime Feruki dhe me monologun e interpretuar nga Amra Saliu.

Dhe në fund më e veçanta e këtij manifestimi, u lansuan fishekzjarret të përcjellura me salavate.