Hapja e programit u bë me lexim të Kuranit nga Sufjan Ahmeti dhe më pas u bë prezantimi i një videoje të përgatitur nga zyra për media e FRI-së, Kumanovë, në të cilën u tregua universaliteti i veprimtarisë së Muhamedit a.s.

Të pranishmit i përshëndeti kryetari i FRI-së në Kumanovë, Liridon Ismaili, i cili mes të tjerash tha se qëllimi i këtij aktiviteti është përkujtimi i njeriut që ishte shembull i një mëkëmbësi të denjë, dhe i posedimit të të gjitha virtyteve dhe moraleve më të larta, pra Muhamedi s.a.v.s., si dhe përkujtimi i veprës dhe misionit të tij, që ishte formimi i një njeriu me përpjekje të vazhdueshme drejt përsosjes.

Gjithashtu, fjalë rasti pati edhe kryetari i përgjithshëm i Forumit Rinor Islam, Fisnik Shabani, i cili përgëzoi degën për aktivitetet e realizuara gjatë kësaj fushate.

Pjesa kryesore e këtij programi ishte ligjërata, me ç’rast ligjërues ishte hoxhë Rufat Sherifi, i cili para të pranishmëve tregoi mbi jetën dhe veprën e Muhamedit a.s., moralin e tij të përsosur në raport me njerëzit dhe kujdesin që tregonte, jo vetëm ndaj njerëzve, por edhe ndaj gjallesave tjera.
Pjesa artistike e programit u mbush me tri ilahi të interpretuar nga Furkan Jonuzi dhe Nderim Alimi, si dhe monolog interpetuar nga Bunjamin Selimi me titull “Tre hapat e gdhendjes”, me tekst të Arsim Jonuzit.

Në fund u bë edhe ndarja e çmimit “Hafiz Refik Ajeti”, që i takoi hafizit Rahim Jashari.

anigif