Mijëra qytetarë nga e gjithë Shqipëria, Kosova, Maqedonia e më gjerë, morën pjesë në programin festiv në përkujtim të Profetit të Mëshirës, Muhamedit, paqja qoftë mbi të!

 
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë organizoi programin e madh festiv “Profeti Muhamed a.s. – Krenaria e Njerëzimit”.
Mijëra besimtarë, pjesa më e madhe të rinj, mbushën paraditen e sotme sallën e Pallatit të Kongreseve në nderim e vlerësim të njeriut që i Madhi Zot e zgjodhi shembull të përsosmërisë.
ZK1A9800111111
Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skender Bruçaj iu drejtua ngrohtësisht pjesëmarrësve duke u shprehur se, jemi mbledhur sot për të përkujtuar Profetin Muhamed a.s., personalitetin që la gjurmët më të mëdha në historinë njerëzore.
“Ardhja e Profetit Muhamed shënon plotësimin e dhuntisë së Zotit ndaj njerëzimit. Ai është burim frymëzimi për çdo epokë, çdo brez, çdo kulturë e çdo popull, sepse erdhi t’i njohë njerëzit me Krijuesin e tyre, t’i shpëtojë nga çdo lloj skllavërie fizike, mendore e shpirtërore; erdhi që njerëzit të jetojnë në paqe, erdhi për të zhdukur errësirën dhe për të përhapur dritën,  erdhi  që njerëzit t’i udhëzojë drejt lumturisë së kësaj bote e asaj të amshuar”, u shpreh mes të tjerash z. Bruçaj
ZK1A9982
Një tjetër përshëndetje që emocionoi të pranishmit ishte ajo e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj. Në fjalën e tij z. Veliaj përmendi disa nga karakteristikat themelore të personalitetit të Muhamedit a.s., si mëshirën, drejtësinë, vlerësimin për dijen, dashurinë për Atdheun dhe respektin për tjetrin ndryshe. Ai u ndal edhe në tolerancën dhe mirëkuptimin fetar që ekziston mes shqiptarëve, ku një rol të merituar sipas tij ka Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, si komuniteti fetar më i madh në vend.
“Komuniteti Mysliman nuk është produkt i tolerancës, por toleranca është produkt i myslimanëve shqiptarë”, u shpreh ministri Veliaj.
Fjalë përshëndetëse mbajti edhe kreu i bektashinjve Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i cili përgëzoi Komunitetin Mysliman për këtë organizim të shkëlqyer në të cilin kujtohet krijesa më e dashur e Zotit.
Kurani, ilahitë dhe pjesët e zgjedhura poetike të përcjella me mjeshtëri nga emrat e njohur të skenës dhe ekranit: Sidrit Bejleri, Kastriot Tusha, Venera Lumani, Rezarta Smaja, Lind Islami, Davud Aktepe, Dritan Boriçi, Sokol Angjeli, Adriana Tolka, Klodian Hoxha, shoqëruar nga kori i bashkuar i medreseve, ngritën peshë zemrat e të pranishmëve, të cilët nuk i kursyen për asnjë moment duartrokitjet e tyre.
Programi që erdhi me regji të regjisorit Agron Hoxha dhe udhëheqës artistik mjeshtrin Kujtim Alia, u dallua gjithashtu për skenografinë dhe efektet e mrekullueshme të cilat prodhuan dimensione të një përjetimi të jashtëzakonshëm.
Respekti e nderimi i manifestuar në këtë program, shpalosën edhe një herë dashurinë për Mëshirën e Dhuruar, një ndjenjë e pastër e ngulitur thellë në zemrat e në shpirtrat e myslimanëve shqiptarë.
Ishte një program i larmishëm e i pasur, që krijoi çaste emocionuese dhe përcolli te publiku shqiptar mesazhet e besimit islam dhe madhështinë e jetës dhe veprës së Profetit Muhamed a.s.
Pjesë e programit ishte edhe një  panair me produkte të ndryshme si: ushqime, libra, punime artistike, etj., të ardhurat e të cilit do të shkojnë në ndihmë të familjeve në nevojë.
Në këtë organizim festiv që organizohet për të nëntin vit radhazi nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në bashkëpunim me Fondacionin Arsimor dhe Kulturor “SEMA”, morën pjesë gjithashtu kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Lulzim Basha, kreu i Komitetit Shtetëror për Kultet, z. Ilir Hoxholli, përfaqësues të forcave politike, ambasadorë të akredituar në Tiranë, akademikë, shkrimtarë, artistë dhe të ftuar nga Shqipëria dhe hapësira mbarëshqiptare.
ZK1A0085   ZK1A9503ZK1A0194ZK1A0363ZK1A9304