(Me rastin e përkujtimit të ditëlindjes së mëshirës së botëve, Muhamedit sal-lallahu alejhi ve sel-lem)
S’do mend se, misioni i njeriut si zëvendës i Zotit në tokë, me gjitha privilegjet dhe obligimet që i ngërthen në vehte, do të ishte i gjykuar të dështojë, po qe se Allahu i Lartësuar nuk dërgonte një pjesë nga mëshira e Tij e pafundtë përmes të dërguarve të Tij, të cilët do të përcillnin mesazhin Hyjnor, si dhe do të udhëzonin në të mirë dhe do të ndalonin nga e keqja. Kjo, ngase, njeriu, pa udhëzimin Hyjnor dhe vetëm në saje të arsyes dhe logjikës, me të cilën Zoti e fisnikëroi dhe dalloi prej gjitha krijesave tjera, nuk do të arrinte dot të ju përballojë cytjeve, dëshirave dhe epsheve të pangopshme të cilat e përshkojnë atë nga brenda, si rezultat i të qenurit krijesë e dobët, e as sfidave dhe rreziqeve të jashtme me të cilat përballohet në çdo hap të jetës, si rezultat i të qenurit pjesë e shoqërisë së gjërë mbarënjerëzore të mbushur plotë e përplotë antagonizma, interesa afatshkurta, egoizma, kundërthënie, etj. Thënë ndryshe, jeta e njeriut në këtë botë, pa dritën profetike, do të ishte mjaft e errët dhe e pakuptimtë, bile-bile e rrezikshme dhe afatshkurtë.
Andaj, Allahu i Madhërishëm dërgoi në çdo popull profetë, e bashkë me to edhe shpallje. Kështu, Ademi alejhis-selam, i cili qe njeriu dhe pejgamberi i parë në sipërfaqen e tokës, madje Nuhu a.s., Ibrahimi a.s., Ismaili a.s., Is’haku a.s. dhe Jakubi a.s., të cilëve iu shpallën fletushka, si dhe më vonë Musai a.s., të cilit iu shpall Teurati, Davudi a.s. të cilit iu shpall Zeburi, dhe Isau a.s., të cilit iu shpall Inxhili, ishin vetëm disa nga qindra apo mijëra profetët të cilët i dërgoi Allahu i Lartësuar si lajmëtar, udhëzues dhe qortues.
Të gjithë profetët bartnin të njejtin mesazh universal, mesazh ky i cili kishte për qëllim çlirimin e njeriut nga adhurimi dhe nënshtrimi ndaj personave, kah adhurimi i vetëm Një Zoti të pashoq, si dhe ngritjen e tij në pozitën e mëkëmbësit dhe ndërtuesit të kësaj jete. Ky mesazh hyjnor u përtëritë me ardhjen e çdo pejgamberi, deri në shpalljen e vulës së të dërguarve, Muhamedit sal-lallahu alejhi ve sel-lem, me ardhjen e të cilit u kurorëzua shpallja qiellore dhe u kompletua mesazhi pejgamberik. I vetmi dallim në mes misionit të profetëve të mëparshëm, si dhe vulës së pejgamberisë, Muhamedit sal-lallahu alejhi ve sel-lem, ishte se, profetët e mëparshëm ishin të dërguar për një kohë dhe për një popull të caktuar, ndërkaq, Muhamedi sal-lallahu alejhi ve sel-lem qe dërguar mëshirë për të gjitha kohërat dhe gjithë botërat, deri në Ditën e Gjykimit.
Poashtu, edhe shpalljet hyjnore, si: Teurati, Zeburi, Inxhili dhe Kur’ani, në vete bartnin po të njejtin mesazh qiellor, respektivisht, reformimin e jetës së this njerëzimit në tërësi, duke i transferuar ata nga barbarizmi dhe idhujtaria, kah qytetërimi i vërtetë monoteist. Pika dalluese në mes shpalljeve të mëparshme dhe shpalljes së fundit, Kur’anit fisnik, qëndron në dy aspekte thelbësore, edhe atë: së pari, në faktin se shpalljet e mëhershme i referoheshin një periudhe dhe një populli të caktuar, duke përcaktuar dispozita konform kushteve dhe rrethanave në fjalë; ndërkaq, shpallja e fundit, Kur’ani fisnik, erdhi si udhërrëfim universal deri në Ditën e Gjykimit. Së dyti, Allahu Fuqiplotë e garantoi mbrojtjen dhe autenticitetin e Kur’anit famëlartë deri sa të jetë jeta, gjë që nuk ndodhi me shpalljet e mëparshme, të cilat përjetuan falsifikime dhe ndryshime.
Periudha e cila i parapriu ardhjes së Muhamedit sal-lallahu alejhi ve sel-lem njihej si periudhë e injorancës (xhahilijjetit). Ky emërtim nuk ishte antonim i dijes, por në të vërtetë ishte sinonim i idhujtarisë, blasfemisë, padrejtësive, amoralitetit, dhunës, dhe çdo gjëje tjetër negative e cila është në kundërshtim me dinjitetin e njeriut si dhe me rolin dhe funksionin për të cilin është krijuar. Kështu, njeriu ishte rob i vëllaut të tij njeri; dallimet racore, gjinore, klasore dhe fisnore ishin në kulminacion; shoqëria ishte e ndarë në pronarë dhe skllevër; vlerat ishin përmbysur; gjakderdhja dhe hakmarrjet ishin bërë normalitet; jetimët, të varfërit dhe të dobtit ishin pa mbrojtje; vajzat varroseshin të gjalla; robërit e luftës vriteshin; etj. Të gjitha këto dhe shumë anomali tjera të cilat ishin përhapur në shoqërinë mekkase të asaj kohe si dhe në shoqëritë përreth, e të cilat ishin rezultat i drejtëpërdrejtë i devijimit nga rruga e drejtë si dhe humbjes së lidhjes me Krijuesin, determinuan ardhjen e Muhamedit sal-lallahu alejhi ve sel-lem.
Lindjes së tij sal-lallahu alejhi ve sel-lem iu gëzua Tokë e Qiell. Me ardhjen e tij në këtë botë u ringjallën shpresat. Adhurimi i Zotit Një, dituria, dashuria, humaniteti, paqa, toleranca, solidariteti, respekti dhe mirëqenia ishin vetëm disa nga vlerat dhe parimet në të cilat ftoi Muhamedi sal-lallahu alejhi ve sel-lem. Të gjitha këto vlera dhe parime, në konceptin kur’anor kanë një emërtim të përbashkët, ‘mëshirë për botërat’. Thotë Allahu i Lartësuar: “E Ne të dërguam ty (Muhamed) vetëm si mëshirë për të gjitha krijesat” (Kur’an, kaptina ‘El-Enbija’, ajeti 107). Prandaj, ‘dora’ e mëshirës së tij, përpos që preku çdo individ, duke përfshirë këtu të dobtit, skamnorët, jetimët, po bile edhe armiqët, kjo mëshirë kaploi edhe botën bimore dhe atë shtazore.
Muhamedi sal-lallahu alejhi ve sel-lem, me frymëzim nga Allahu i Gjithdijshëm, ftoi në një fe (fenë Islame) e cila përkon me natyrën reale të njeriut; fe e cila përkujdeset për nevojat e shpirtit si dhe kërkesat e trupit, duke bërë një ekuilibrim mes të punuarit për këtë botë dhe të punuarit për Botën Tjetër. Misioni parësor i thirrjes së tij ishte çlirimi i shpirtërave nga bestytnitë dhe bindjet e gabuara, çlirimi i zemrave nga ndjenjat negative, si dhe çlirimi i mendjeve nga mendimet e kota. Madje, ai porositi dhe stimuloi për kërkim të diturisë si dhe shfrytëzim racional të mendjes, për të hulumtuar rreth të vërtetave të kozmosit dhe shkencave, ndërkohë që rreptësisht ndaloi çdo element që ndikon negativisht në arsyen e njeriut.
Poashtu, Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem vlerësoi lartë vlerat morale dhe etike, duke ftuar në praktikimin dhe mbrojtjen e këtyre vlerave, në mesin e të cilave bëjnë pjesë: sinqeriteti, besa, maturia, etj. Në të njejtën kohë, ai porositi përforcimin e marrëdhënieve shoqërore, mbajtjen e lidhjeve farefisnore, respektimin e marrëdhënieve familjare, mirësinë në mes bashkëshortëve, kujdesin ndaj prindërve, mëshirën ndaj fëmijëve, respektin ndaj pleqve, etj.; vlera këto të cilat ai i jetësoi edhe praktikisht. Në anën tjetër, ai ndaloi nga vlerat e ulëta morale, duke u distancuar prej tyre dhe duke ua tërhequr vërejtjen njerëzve ndaj veseve të tilla, siç janë: gënjeshtra, pabesia (tradhtia), zilia, amoraliteti, urrejtja, përgojimi, etj. Në saje të kësaj praktike, Muhamedi sal-lallahu alejhi ve sel-lem e meritoi lëvdatën e Krijuesit të Gjithësisë, me ç’rast, Allahu i Madhërueshëm, në Kur’anin famëlartë, dëshmoi për të dhe moralin e tij, duke thënë: “Vërtet, ti je në një shkallë të lartë të moralit” (Kur’an, kaptina ‘El-Kalem’, ajeti 4).
Për më tepër, dashuria, humaniteti, respekti, drejtësia, paqa, toleranca dhe solidariteti i Pejgamberit sal-lallahu alejhi ve sel-lem kaploi gjithë botërat. Madje, këto principe u manifesuan në veprat dhe sunnetin (praktikën) e tij të ndritshme, para se të artikulohet në fjalët dhe hadithet (thëniet) e tij. Mjafton të citojmë hadithin (thënien) e tij në vijim, që të kuptojmë dimensionin hyjnor të mesazhit të tij profetik: “Nuk e ka besimin e përkryer asnjë prej jush përderisa nuk ia dëshiron vëllaut të vet atë që e dëshiron për vetveten”. (Transmeton Buhariu).
Pikërisht këto vlera unike dhe këto dimensione të larta njerëzore bënë që Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem të respektohet nga armiqët, para se të duhet dhe respektohet nga miqët dhe pasuesit e tij. Kështu, çdokush që e njohu Muhamedin sal-lallahu alejhi ve sel-lem, nuk pati zgjidhje tjetër, përpos ta dojë dhe respektojë këtë figurë të ndritur. Bile, të shumtë janë ata që, përreth dallimeve ideologjike, vlerësuan lartë misionin dhe kontributin e tij në ndryshimin e rrjedhave botërore, duke i dhënë atij epitetin e ‘reformatorit më të madh’ në historinë njerëzore. Kjo, përpos disa personave, të cilët, të verbuar nga ndjenja e urrejtjes dhe zilisë, gjithë vrerin dhe mllefin e tyre e e derdhën mbi qenien më të dashur në sipërfaqen e dheut, të cilën nuk e njohën.
Së këndejmi, nëse bëjmë një krahasim të mirëfilltë në mes të rrethanave të cilat i paraprinë ardhjes së Pejgamberit sal-lallahu alejhi ve sel-lem, si dhe atyre të cilat dominojnë në ditët e sotme të kësaj periudhe postmoderne, do të shohim se, përpos distancës së largët kohore, shumëçka tjetër tingëllon mjaft e përafërt, e ngjashme dhe e njohur. Dallimi i vetëm qëndron në emërtime. Andaj, njerëzimi, si asnjëherë më parë, ka nevojë për rikujtim dhe praktikim të traditës profetike, me të gjitha mësimet dhe mesazhet që ngërthen në vehte kjo traditë, me qëllim të daljes nga kjo ‘injorancë bashkëkohore’ në të cilën është zhytur.
Sal-lallahu alejhi ve sel-lem (paqa, mëshira dhe kënaqësia e Zotit qoftë mbi të).