NGRËNIA E PASURISË SË GRUAS

PYETJA: A i lejohet burrit që tërë rrogën e tij t’ua dërgojë të afërmve të tij në vendlindje, ndërkaq ai të jetojë në Gjermani nga rroga e gruas? (Me kete kam per qellim qe gruaja te paguaj banesen, ushqimin, veshmbathjen, e tj.)

PËRGJIGJJA: Burrit nuk i lejohet që ta detyrojë gruan ta mirëmbajë materialisht dhe të jetoj i varur prej saj, ku gruaja të paguajë banesën, ushqimin, veshmbathjen dhe harxhimet tjera jetesore. Nëse ndodh kjo, atëherë me çfarë e meriton burri të jetë i pari dhe përgjegjës i familjes?! E Allahu i Madherishem ka thënë: “Burrat janë përgjegjës për gratë, sepse Allahu ka graduar disa mbi disa të tjerët dhe sepse ata kanë shpenzuar nga pasuria e tyre…” (En Nisa:34).
Dihet mirë ne të drejtën islame se gruaja nuk është e obliguar t’i mbulojë shpenzimet familjare, bile as shpenzimet e veta, edhe nëse eshte e pasur. Këtë ajo mund ta bëjë vullnetarisht dhe nga qëllimi i mirë, e jo e detyruar dhe as nën kërcënimin e shpatës së turpit. Pleqtë kanë thënë: ‘Ajo qe meret me shpatën e turpit është haram’. Në hadith qëndron: “Nuk lejohet pasuria e një personi përveçse me vullnetin e tij”.
Unë nuk dua qe muslimani të jetoj në kurriz të gruas, edhe nëse gruaja e bën këtë gjë me dëshirë dhe pa presion, në veçanti nëse burri ka të ardhura. Për rastin në fjalë, nuhas erë jo të këndshme. Ç’do të thotë që burri të ardhurat e tij t’i dërgojë në vendlindje, e vetë të jetojë i varur prej gruas, e mos ta marrë përgjegjësinë e të qenurit zot shtëpie, ashtu siç na ka mësuar Allahu i Madherishem dhe i Dërguari i Tij. Në hadith thuhet: “Burri është bari në familjen e tij dhe përgjegjës për tufën e tij”.

Dr.Jusuf el Karadavi
Përktheu: Dr.Bashkim Aliu