Allahu xh.sh. kërkon nga ne që gjatë tërë vitit, bile edhe gjatë tërë jetës të bëjmë vepra të mira, e në veçanti gjatë muajit të Shenjtë të Ramazanit, dhe këto vepra mund të jenë të ndryshme, duke filluar nga namazi, agjërimi, lëmosha, toleranca, mirëkuptimi etj, por nga veprat e mira që duhet bërë shprehi në veçanti në këtë muaj janë edhe fjalët e mira, prandaj edhe Muhamedi a.s. na porosit që gjatë këtij muaji të jemi të kujdesshëm me gjuhët tona, ai thotë: “Kush nuk i len fjalët e kota dhe të vepruarit sipas tyre, le ta dijë se Allahu nuk ka nevojë që ai ta lë hajen dhe pijen.” (Buhariu).
Prandaj duhet ta bëjmë shprehi gjuhët tona të flasin fjalë të mira, dhe nga fjalori ynë ti fshijmë fjalët nënçmuese, ofenduese, qortuese dhe lënduese. Por, padyshim se fjala e mirë buron nga ai që e ka moralin e mirë dhe zemrën e pastër. Allahu xh.sh. na urdhëron që të flasim me të tjerët me fjalë të mira, Ai thotë: „Dhe njerëzve u thuani fjalë të mira“ (Bekare, 83). Dhe në versetin tjetër thotë: „E ti robërve të Mi thuaju: Le ta thonë atë që është më e mira, pse djalli ndërsen mes tyre“ (Isra, 53). Pjesa e ajetit „fjalë të mira“, përfshin çdo vepër që me të të afrohemi tek Allahu, si leximi i Kuar’nit, dhikri, urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja etj.
Thuaj një fjalë të mirë prindërve tu që e kanë flijuar tërë jetën e tyre vetëm e vetëm që të të krijojnë kushte sa më të mira për jetë. Prandaj shiko a je ti prej atyre që fjalët e tyre i përzgjedhin më të mirat kur flasin me prindërit e tyre? A je prej atyre që vepron në përputhje me fjalën e Allahut xh.sh. ku thotë: „Po atyre (prindërve) thuaju fjalë të mira“ (Isra, 23).
Në familje, a është bashkëshortja e atillë që burrin e saj e pret me fjalë të mira kur i kthehet nga puna që ndoshta ai është tepër i lodhur, i mërzitur apo i nevrikosur, apo e pret atë me fjalë qortuese dhe ndoshta ende pa u ulur ia rradhit tërë problemet e ditës që ka patur ndoshta me fëmijët e saj?
Po, bashkëshorti a mund që gruas së vet ti dhurojë një fjalë të mirë, pasi që ajo i ka përgatitur ushqimin, ia ka rregulluar shtëpinë, ia ka pastruar rrobat, dhe është kujdesur për fëmijët?
Po në shtëpi me fëmijët e tu, a je prej atyre që u dhuron fjalë dashurie, faljeje, mëshire, tolerance, apo je prej atyre që garon për të zënë vendin e parë duke përdorur fjalë të ashpra e të vrazhda?
Po, punëdhënësi apo përgjegjësi a ështëprej atyre që përdorë fjalë me përmbajtje falenderimi, mirënjohjeje dhe lavdata kundrejt punëtorëve të vet, nëse atë e kanë merituar? Enesi r.a. thotë: ‘I kam shërbyer Profetit a.s. për dhjetë vite me rradh, por asnjëherë nga ai nuk e kam dëgjuar fjalën „of“ ‘, d.m.th. për diçka që e ka vepruar apo nuk e ka vepruar.
Po në rrafshin e arsimit dhe edukimit të fëmijëve, a dëgjohen fjalë të mira nga mësuesit, arsimtarët, profesorët në mënyrë që të nxisin nxënësit për atë që është më e mira, apo përdorin fjalorin më të shëmtuar dhe më nënçmues ndaj nxënësve të tyre që bëhet ndoshta shkak për dështimin e tyre. Dijetarët e mëdhenj përdornin metoda nxitëse me nxënësit e tyre nëpërmjet fjalëve të thjeshta, por fryti i tyre ishte i madh. Tregon Imam Buhariu dhe thotë: Ishim ulur në tubimin e Is’hak ibn Rahavejhit (një nga mësuesit e tij), e ai tha: Kush do të angazhohet në tubimin e haditheve të vërteta? Kjo fjalë më preku në shpirtë, thotë Imam Buhariu, dhe fillova në tubimin e haditheve të vërteta të Muhamedit a.s., dhe kështu njihet si dijetari më i madh i shkencës së hadithit. Imam Dhehebiu thotë: Një nga dijetarët e pa shkrimin tim dhe më tha: Shkrimi yt i përngjanë shkrimit të dijetarëve të hadithit! Imam Dhehebiu thotë: Në këtë mënyrë më hyri në zemër dashuria ndaj hadithit të Muhamedit a.s. Ky është fryti i fjalës dhe sjelljes së mirë. Allahu xh.sh. në Kuran thotë: “A nuk ke kuptuar se si Allahu bëri shembull: fjalën e mirë si pema e mirë që rrënjët e saj janë thellë (në tokë) e degët e saj janë lart. E që me vullnetin e Zotit, ajo e jep frutin e vet në çdo kohë. Allahu pra u tregon njerëzve shembuj ashtu që ata të mendojnë” (Ibrahim, 24-25).
„Fjala e mirë“ është shumë e lehtë, ajo formohet vetëm prej disa shkronjave, dhe është shumë  e lehtë për shqiptim dhe përdorim, nëse ate e bënë shprehi, dhe njëkohsisht të llogaritet lëmosh, Muhamedi a.s. ka thënë: „ Edhe një fjalë e mirë të regjistrohet sadaka (lëmosh)“. Bile mund të jetë shkak për të shpëtuar nga zjarri në botën tjetër, Profeti a.s. ka thënë: “Frikësohuni (ruajuni) nga zjarri i xhehenemit qoftë edhe me gjysëm hurme”.
Feja islame urdhëron në fjalë të mira, Allahu xh.sh. kur e urdhëron Musain a.s. dhe Harunin a.s. që të thirrin  Faraonin në monoteizëm, i urdhëron që ta thirrin me fjalë të mira, Allahu xh.sh. thotë: “Shkoni që të dy te faraoni, se ai vërtet e ka tepruar. Atij i thuani fjalë të buta, ndoshta ai mendohet a frikësohet” (Taha, 43-44).
Dhe nëse Allahu xh.sh. urdhëron Profetët e Tij, njëherit edhe njerëzit më të mirë të asaj kohe, që të shkojnë te njeriu më i keq i të gjitha kohërave, dhe atij ti drejtohen me fjalë të mira dhe të buta, atëherë pse muslimanët nuk marrin mësim nga kjo, dhe të përdorin fjalë të mira dhe të buta ndërmjet veti, por ajo që e shohim sot është e kundërta, muslimanët janë të ashpër, të vrazhdë , ofendues e qortues ndërmjet veti.
Bëre shprehi që gjatë këtij muaji të bekuar të mos flasë gjuha jote përveçse fjalë të mira, të urta dhe respektuese.